Vijon “beteja” brenda MAS-it, Ndreca: Karabina s’ka të drejtë të shkarkojë

Shqipëria

Vijon “beteja” brenda MAS-it, Ndreca: Karabina s’ka të drejtë të shkarkojë

Më: 28 qershor 2017 Në ora: 16:43
Sekretari i Përgjithshëm i MAS Plarent Ndreca

Sekretari i Përgjithshëm i MAS Plarent Ndreca dhe ministrja e Arsimit Mirela Karabina kanë vijuar përplasjen duke hedhur akuza të ashpra në drejtim të njëri-tjetrit.

Ndreca u është përgjigjur akuzave të lëshuara paraditen e sotme nga ministrja Karabina. Ndreca deklaroi se Karabina nuk ka të drejtë të bëjë emërime dhe shkarkime të nëpunësve, duke përfshirë edhe atë vetë, pa prova ligjore.

Ai ka sjellë si dokument edhe shkresën e Ministrisë së Financave që shkarkimi i tij nuk është kërkuar nga MAS.

Deklarata e Ndrecës

“…Edhe deklarata e sotme për shtyp e Ministres së Arsimit dhe Sportit, Mirela Karabina është jo vetëm një shfaqje teatrore e turpshme, por një e pavërtetë tjetër në vazhdën e të pavërtetave që Ministrja e Arsimit dhe Sportit ka zgjedhur të publikojë.

Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit është në detyrë dhe kjo ndodh jo për shkak të dëshirës së Ministrit të Arsimit dhe Sportit, por për shkak se jam i detyruar nga Kushtetuta dhe Ligji.

Ka një muaj që të gjithë institucionet shtetërore (Komisioni për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, Departamenti i Administratës Publike) që merren me mbikëqyrjen dhe administrimin e shërbimit civil, me vendime të prera, i kanë bërë  të qartë ministres, se ajo nuk është kompetente për pezullimin apo largimin e nëpunësve civil të ministrisë qe ajo drejton.

Por ministrja me kokëfortësi irracionale, në shkelje flagrante të këtyre vendimeve, vijon të njëjtin qëndrim, i cili ka sjellë probleme të rënda në funksionimin normal të institucionit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.

Unë do vijojë detyrën me vendosmëri të palëkundur për të zbatuar ligjin, pavarësisht vështirësive, pengesave dhe stërkëmbëshave që Ministrja e Arsimit dhe Sportit ka realizuar ndaj meje personalisht, por edhe ndaj stafit civil në krye të të cilit unë jam, si një përgjegjësi funksionale që kam ndaj qytetarëve të Shqipërisë dhe jo ndaj tekave të kujtdo qoftë ai”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat