Lulishtja te 21 Dhjetori, Basha: Rama dhe Veliaj po favorizojnë klientin e tyre

Shqipëria

Lulishtja te 21 Dhjetori, Basha: Rama dhe Veliaj po favorizojnë klientin e tyre

Më: 2 korrik 2017 Në ora: 14:31
Lulzim Basha

Edhe pse prej disa ditësh PD-ja është futur në një krizë të thellë, kur kreu i kësaj partie Lulzim Basha ka ngrirë të gjitha funksionet e tij, ditën e sotme ai ka reaguar jo në lidhje me zhvillimet në PD, por për lulishten pranë 21 Dhjetorit në Tiranë ku ditën e djeshme pati edhe konfrontim mes policisë dhe qytetarëve.

Përmes një statusi në profilin e tij, Basha hedh akuza të forta ndaj kreut të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe kryeministrit Edi Rama, për prishjen e lulishtes, ku pritet të ndërtohet një kompleks pallatesh.

Po ashtu, kreu i ‘ngrirë’ i PD-së shprehet se Shqipëria po përjeton mungesën e dritave dhe ujit, pasi sipas tij, paratë publike u përdorën për të manipuluar votën me 25 qershorit.

Statusi i Bashës:

Lulishtja pranë parkut të autobuzave ishte një nga investimet e mia si kryebashkiak në shërbim të qytetarëve të një prej zonave më të populluara të Tiranës. Erjon Veliaj, vegël e bindur në duart e oligarkisë që sundon vendin, e shkatërroi këto ditë lulishten dhe lejoi betonizimin e saj në favor të Besnik Sulajt, klientit të rëndësishëm të Edi Ramës.

Qytetarëve të revoltuar ata iu përgjigjën dje me dhunën e policisë. Edhe më i rëndë qe dhunimi i të drejtave të qytetarëve nga mediat kryesore të vendit të kontrolluara nga oligarkia, të cilat e fshehën protestën dhe dhunën e policisë.

Ndërkohë, Shqipëria po përjeton këto ditë mungesë dritash dhe uji sepse paratë publike u përdorën për të manipuluar votën dhe jo për të blerë energji për njerëzit.

Pushteti oligarkik herët a vonë degjeneron në pushtet të dhunës dhe të errësirës. Përballja me të është sot sfida kryesore e opozitës dhe e të gjithë njerëzve të ndershëm për të ndalur rrënimin e qyteteve, të ekonomisë dhe të ardhmes tonë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat