Ndihma ekonomike, 75% e përfituesve do “hetohen” brenda dy viteve

Shqipëria

Ndihma ekonomike, 75% e përfituesve do “hetohen” brenda dy viteve

Më: 3 korrik 2017 Në ora: 15:35
Ilustrim

Qeveria shqiptare i ka kërkuar Bankës Botërore që të shtyjë afatin për projektin e modernizimit të asistencës sociale, e cila në vetvete përfshin një reformim të thellë ndihmës ekonomike.

Në një raport të fundit të Bankës thuhet se, nga 30 qershori 2017, që ishte parashikuar të mbyllej ky projekt, data e re e miratuar është 31 dhjetori 2018. Deri më tani rezulton që të jenë disbursuar 23.8 milionë dollarë nga totali prej 50 milionësh, që parashikon i gjithë projekti.

“Implementimi i projektit ka ecur mirë që nga vizita e marsit dhe indikatorët e lidhur me disbursimin janë arritur dhe verifikuar, ndërkohë që nën verifikim janë fazat 7-14 që e çojnë totalin e disbursimit  në 25 milionë dollarë ose 67% të gjithë projektit. Faza e pilotimit në reformën e paaftësisë ka nisur në fund të prillit. Në shtesë të kësaj ka progres tek ndihma ekonomike, ndërkohë që ka vazhduar përgatitja e terrenit për shtrirjen e reformës në gjithë vendin dhe zbatimi do të nisë në vjeshtë” thuhet në raportin e Bankës Botërore.

Por si paraqitet situata në tregues realë?
Përfitues në total nga skema rezultojnë mbi 490 mijë individë, ndërkohë që në nisje të projektit, në këtë skemë ishin mbi 604 mijë përfitues. Pikërisht numri i lartë në këtë skemë, ku në shumë raste konstatoheshin edhe abuzime, sollën edhe nevojën e modernizimit dhe reformimit të saj. Në fund të projektit, sipas vlerësimit të Bankës, në këtë skemë parashikohen të jenë të paktën 500 mijë përfitues, që do të kalojnë “në sitën” e kritereve të reja.
Për të parandaluar rastet e abuzimeve apo mashtrimit projekti parashikon hetime nga ana e inspektorëve. Të paktën 75 % e rasteve që përfitojnë, do të kalojë në vlerësim të vazhdueshëm.

Projekti  që nisi në vitin 2015 ka dy komponentë thelbësorë ku i pari është Forcimi i Zbatimit dhe Performancës së Programeve të Asistencës Sociale me një kosto 46.2 milionë dollarë dhe i dyti Asistenca Teknike për Forcimin e Kapaciteteve Zbatuese të programit që ka një kosto 3.67 milionë euro.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat