Situata zgjedhore dhe kriza ekonomike, ja ç’thotë guvernatori Sejko

Shqipëria

Situata zgjedhore dhe kriza ekonomike, ja ç’thotë guvernatori Sejko

Më: 6 korrik 2017 Në ora: 07:57
Gent Sejko

Dy janë faktorët që po ndikojnë në rritjen ekonomike, pasiguria e zgjedhjeve, si dhe klima që mund të çojë në vështirësi sektorin energjetik. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, duke prezantuar vendimmarrjen e Këshillit Mbikëqyrës, nënvizoi këta dy faktorë që mund të ndikojnë në rritjen ekonomike të vendit. Megjithatë, ai ishte optimist, se efektet do të jenë afatshkurtra dhe në muajt që vijnë ekonomia do të marrë ritmin e pritur nga Banka e Shqipërisë.

ZGJEDHJET DHE ENERGJIA

 

Sipas Sejkos, rritja ekonomike e tremujorit të parë ka rezultuar më e lartë se pritjet, ndërsa inflacioni i muajit prill dhe maj ka qenë disi më i ulët. Përditësimi i parashikimeve të Bankës së Shqipërisë nuk ka sjellë ndryshime të rëndësishme në zhvillimet e pritura, si afatshkurtra dhe afatmesme.

Por, Guvernatori shtoi se “Rritja ekonomike shënoi vlerën 3.94% në tremujorin e parë, ndërkohë që të dhënat e disponuara sugjerojnë një ngadalësim të saj në tremujorin e dytë. Një nga faktorët lidhet me pasigurinë që shoqëron situatat parazgjedhore. Më tej, në muajin e fundit, një pasiguri e shtuar buron nga kushtet e pafavorshme klimaterike, efektet e të cilave mund të shfaqen në sektorë të caktuar të prodhimit. Efektet që rrjedhin nga këto pasiguri pritet të jenë të përkohshme.”

KURSI I KËMBIMIT

Rënia e euros para zgjedhjeve dhe rritja e saj menjëherë pas votimeve, është komentuar edhe nga Sejko. I pyetur për lëvizjet e kursit të këmbimit, guvernatori ka mbajtur të njëjtin qëndrim, i cili bazohet në shifrat e rritjes së eksporteve, turizmit dhe investimeve të huaja.

Megjithatë, ai në komentin e tij para gazetarëve shtoi: “Kjo nuk shmang edhe paranë në qarkullim nga informaliteti. Por, ne si institucion flasim vetëm mbi bazën e shifrave dhe shifrat na tregojnë që kemi një ofertë të rritur në euro, si pasojë e faktorëve që unë përmenda më sipër dhe kjo ka çuar në forcimin e lekut”.

PARASHIKIMI

Banka e Shqipërisë pret një përmirësim gradual të aktivitetit kreditues në tremujorët në vazhdim, në reflektim të zgjerimit të pritur të kërkesës dhe përmirësimit të ofertës. “Kushtet e ofertës bankare për kredi pritet të lehtësohen, të ndihmuara nga masat e marra për reduktimin e kredive me probleme dhe për nxitjen e kredisë së shëndetshme”, theksoi Sejko.

Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 1.25%. Duke gjykuar mbi informacionin e disponuar, Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se politika monetare do të vazhdojë të mbetet në kahun lehtësues dhe intensiteti i stimulit monetar nuk do të ulet përpara tremujorit të parë të vitit 2018.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat