Zbardhet Procesverbali/ Të gjitha partitë kanë vjedhur në 25 qershor

Shqipëria

Zbardhet Procesverbali/ Të gjitha partitë kanë vjedhur në 25 qershor

Më: 14 korrik 2017 Në ora: 11:29
Procesverbali

Nga rinumërimi i 64 kutive të qarkut të Tiranës me kërkesë të PDIU-së dhe PS-së doli në pah elementi i konsumimit të veprës penale nga dhjetëra numërues.

Nga 64 kuti, vetëm 7 tabela rezultatesh përputheshin me votat që ndodheshin brenda kutisë. Në 57 kuti të tjera votat ishin tjetërsuar dhe numërimi i parë me atë të dytin nuk përputheshin thuajse në asnjë parti.

Në total, Partia Socialiste kishte marrë padrejtësisht 69 vota më shumë, ndërsa Partia Demokratike 47 të tilla. LSI-ja ka marrë padrejtësisht 74 vota më shumë, ndërsa PDIU është e vetmja me bilanc negativ, ku edhe pse i kishin hequr 5 vota në total, ajo vetë kishte përfituar padrejtësisht 52 vota, ndërsa i kishin marrë 57 të tilla.

Nga këto lëvizje nuk ndryshon rezultati në nivel qarku, por është konsumuar vepra penale e të Falsifikimit të materialit zgjedhor dhe rezultateve të zgjedhjeve, parashikuar nga neni 326 i Kodit Penal.

Po kjo vepër kur kryhet nga personat që kanë për detyrë të administrojnë procesin zgjedhor, pra, nga numëruesit, dënohet me burgim nga tre gjer në shtatë vjet.

Përfaqësuesi i LSI-së në KQZ. Bledar Dervishaj tha per report tv se pikërisht për këto parregullsi që u hasën, duhej të ishte rinumëruar e gjithë Tirana.

Por pavarësisht kësaj kërkese të LSI, përfaqësuesi i saj në KQZ, Gëzim Veleshnja votoi kundër rinumërimit të gjithë Tiranës.

Deri më tani, edhe pse kreu i KQZ-së ka bërë thirrje publike që prokuroria të hetojë krimet elektorale, nuk ka asnjë të dhënë zyrtare për nisjen e hetimit të ndonjë rasti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat