"Zgjidhja" e Kokëdhimës letër ambasadorëve: Janë mbyllur sytë para krimeve elektorale

Shqipëria

"Zgjidhja" e Kokëdhimës letër ambasadorëve: Janë mbyllur sytë para krimeve elektorale

Më: 18 korrik 2017 Në ora: 12:29
Kryetari i partisë ZGJIDHJA, Koço Kokëdhima

Kryetari i partisë ZGJIDHJA, Koço Kokëdhima, i dërgoi sot një letër ambasadorit të OSBE-së, Bernd Borchardt; ambasadorit Peter Tejler, kreu i Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të 25 qershorit si dhe për dijeni z.Donald Lu, ambasador i SHBA-ve dhe Romana Vlahutin, ambasadore e BE-së.

Në letër shprehet shqetësimi për hapin prapa që u bë në zgjedhjet e 25 qershorit si dhe u kërkohet partnerëve ndërkombëtarë të Shqipërisë që të vendosen përfundimisht në anën e popullit shqiptar dhe jo në anën e politikanëve të kapur të Tiranës që blejnë, vjedhin dhe manipulojnë zgjedhjet me paratë e marijuanës dhe të krimit, sepse pa zgjedhje të lira dhe pa demokratizimin dhe modernizimin e partive politike ky vend nuk do të ketë as përparim, as liri të vërtetë dhe as stabilitet.

Letra e Kokëdhimës

Të nderuar zotërinj ambasadorë,

Opinioni publik në Shqipëri po ballafaqohet çdo ditë me prova të manipulimit në mënyrë metodike dhe në shkallë të gjerë të procesit elektoral të 25 qershorit nga qeveria në dëm të opozitës dhe nga partitë që administruan këto zgjedhje në dëm të partive të tjera pjesëmarrëse.

"Zgjidhja" pajtohet me të gjitha problemet dhe shqetësimet e trajtuara në raportin paraprak të vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it. Ne vlerësojmë deklaratën e z.Tejler se në zgjedhje pati politizim dhe e konsiderojmë të drejtë konstatimin e z. Roberto Batelli, se “Prisja që këto zgjedhje të ishin më të mira, por janë njësoj si zgjedhjet e mëparshme. Ka ardhur koha që Shqipëria të bëjë një lëvizje serioze dhe domethënëse drejt normalitetit”.

Si kryetar i "Zgjidhja"-s e vlerësoj veçanërisht angazhimin e Prezencës së OSBE-së vitet e gjata të tranzicionit shqiptar dhe përpjekjet e saj për ngritjen dhe fuqizimin e institucioneve demokratike në Shqipëri. Emra të tillë si ambasadorja Audrey Glover që me vendosmëri denoncoi masakrën zgjedhore të 26 majit 1996, apo ambasadorit Daan Everts që u angazhua me kurajo dhe përkushtim në reformën e institucioneve pas trazirave të marsit 1997, janë miq dhe dashamirës të Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Por, për fat të keq, vit pas viti, Shqipëria nuk ariti përparimin e duhur drejt demokracisë. 

Zgjedhjet e fundit ishin treguesi real se sa larg shteteve të rajonit dhe të botës demokratike është Shqipëria, si vendi i vetëm që nuk arrin të bëjë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Rinumërimi i 64 kutive në Tiranë ishte shembulli emblematik i asaj çfarë ka ndodhur më 25 qershor në mbarë vendin. Vetëm në 7 kuti nuk ishte deformuar vullneti i zgjedhësve, ndërsa në 57 kutitë e tjera votat e partive të vogla u numëruan për llogari të katër partive që administruan zgjedhjet.

Misionet që asistojnë Shqipërinë e dinë më mirë se kushdo tjetër, se në vendet demokratike zgjedhjet nuk i administrojnë partitë politike. Partitë shqiptare janë bashkësi parapolitike tërësisht autokratike. Atëherë, përse në Shqipëri është toleruar dhe tolerohet prej më shumë se një çerek shekulli kjo shkarje me pasoja të rënda? Të mbyllësh sytë përpara praktikave të tilla elektorale, është njëlloj si të tradhëtosh aspiratat e qytetarëve shqiptarë për liri, mirëqenie dhe drejtësi.

“Zgjidhja” e përcolli me shqetësim deklaratën e Parlamentit Europian, pas zgjedhjeve të 25 qershorit, se procesi duhet parë më shumë në kontekstin politik, sesa në atë teknik, që bie në kundërshtim edhe me frymën e raportit të gjetjeve paraprake të vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it dhe druan se kjo është në dëm të përpjekjeve për instalimin e vlerave të demokracisë në Shqipëri.

“Zgjidhja” u bën thirrje partnerëve ndërkombëtarë të Shqipërisë që ta bëjnë me kurajo zgjedhjen e tyre duke u vendosur përfundimisht në anën e popullit shqiptar dhe jo në anën e politikanëve të kapur të Tiranës që blejnë, vjedhin dhe manipulojnë zgjedhjet me paratë e marijuanës dhe të krimit, në anën e demokracisë së vërtetë dhe jo në atë të një stabiliteti fals të Shqipërisë së varfër, të korruptuar e të pashpresë.

Një Shqipëri e tillë nuk do e ndihmojë dot për shumë kohë as paqen dhe as stabilitetin e Ballkanit. Ka ardhur momenti që historia e manipulimeve të zgjedhjeve në Shqipëri të marrë fund një herë e mirë. Zgjedhjet e manipuluara të 25 qershorit do të prodhojnë deformime edhe më të thella, korrupsion, keqqeverisje, stanjacion ekonomik, kriminalitet, varfëri, papunësi, emigrim të madh dhe destabilizim. Pa zgjedhje të lira dhe pa demokratizimin dhe modernizimin e partive politike ky vend nuk do të ketë as përparim, as liri të vërtetë dhe as stabilitet.

“Zgjidhja” pret nga OSBE/ODIHR-i një prononcim pa dorashka dhe në lartësinë e skandalit që përbën fakti se 90% e kutive të hapura në Tiranë rezultuan të manipuluara. Kjo tregoi se zgjedhjet e 25 qershorit janë integralisht të deformuara nga mafia e partive.

"Zgjidhja" ftoi qytetarët shqiptarë që t’i bojkotonin këto zgjedhje sepse nuk u plotësua asnjë kusht për zgjedhje të lira dhe të ndershme, siç ishte reforma zgjedhore, aplikimi i votimit dhe numërimit elektronik në qendrat e votimit, krijimi i një administrate shtetërore zgjedhore të departizuar etj. Rreth 55 % e qytetarëve nuk votuan duke shënuar kështu rekordin historik të shqiptarëve për mospjesëmarrje në zgjedhje. Shqipëria tani renditet e fundit në rajon edhe për këtë tregues. Kjo prirje do të thellohet me shpejtësi në se nuk reformohen dhe nuk rivendoset besimi te zgjedhjet.

Ne jemi dëshmitarë se listat e deputetëve edhe në këto zgjedhje u hartuan nga kryetarët e partive pa transparencë, pa konkurencë, pa zgjedhje paraprake dhe pa pjesëmarrjen e militantëve të bazës së partive dhe qytetarëve të vendit.

Modeli shqiptar i zgjedhjeve është i vetmi në bashkësinë e vendeve demokratike ku partitë e vjetra, të cilat janë të kriminalizuara, numërojnë votat e të gjitha partive të tjera.

Me të drejtë njerëzit e këtij vendi pyesin: Kush e mban në këmbë këtë sistem zgjedhor të pabesueshëm? Kush është i interesuar që në Shqipëri të mos ketë zgjedhje të lira dhe me standarte? Një gjë është e sigurt: populli shqiptar nuk është porositësi i ketij modeli antidemokratik, por viktima e përhershme e tij. Zgjedhjet duhet të organizohen në emër të interesit të popullit dhe jo të partive, siç ndodh në çdo vend demokratik.

“Zgjidhja” insiston që raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR-it të fokusohet mbi të vërtetën e 64 kutive që u hapën në Tiranë. Raporti duhet të tejçojë atë që shqiptarët ndjejnë dhe besojnë; faktin se zgjedhjet, ngaqë administrohen nga partitë e diskredituara, janë bërë të pabesueshme dhe të neveritshme dhe nuk e mundësojnë përtëritjen e elitës politike të Shqipërisë.

“Zgjidhja” mbështet fuqimisht opsionin që reforma zgjedhore të udhëhiqet nga Prezenca e OSBE-së si garancia më e madhe që në Shqipëri të kemi një sistem zgjedhor të njejtë me modelet më të mira perëndimore. Respektimi i themeleve dhe vlerave bazë të demokracisë që e kanë zanafillën te zgjedhjet e lira e të ndershme është rruga e vetme për t’i dhënë fund tranzicionit shqiptar dhe për të mundësuar integrimin europian të Shqipërisë.

Mbetemi me shpresën dhe besimin për një vlerësim të drejtë e të paanshëm të zgjedhjeve të 25 Qershorit nga Prezenca e OSBE-së në Tiranë dhe nga Misioni Ndërkombëtar i Vëzhgimit të këtyre zgjedhjeve.

Ju lutem pranoni, zotërinj Ambasadorë, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.

Koço Kokëdhima

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat