Ndotja rrezikon jetën e shqiptarëve, situata alarmante

Shqipëria

Ndotja rrezikon jetën e shqiptarëve, situata alarmante

Më: 21 korrik 2017 Në ora: 09:58
Julian Beqiri

Tirana mbetet qytetit më i ndotur në Shqipëri, kjo jo vetëm për shkak të numrit të lartë të popullsisë por edhe të përqendrimit të aktivitetit tregtar dhe lëvizjes së automjeteve. Në një raport të publikuar nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit evidentohet se grimcat e pluhurit pm10 kanë tejkaluar normat e lejuara të BE në dy pikat ku është monitoruar ajri; në stacionin pranë agjencisë Kombëtare të Mjedisit, tejkalim norme në masën 15 për qind; dhe pranë ministrisë së Mjedisit në bulevardin Zhan D’ark në masën 38 për qind.“Tirana vazhdon të mbetet qyteti më i ndotur. Ka nivel më të lartë se normal e lejuar. Është më shumë se 70 – 75 ditë e ndotur”, është shprehur Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, Julian Beqiri, duke shtuar se shqetësim është edhe niveli i ndotjes akustike për shkak të zhurmave, ku kryeqyteti shënon tejkalim norme me 17 për qind. Fieri, Lushnja, Lezha gjithashtu rezultojnë në raport më të ndotura, ndërsa Korça paraqet shqetësim gjatë periudhës së dimrit për shkak të ngrohjes me dru. Por cilët janë shkaktarë të këtij niveli të ndotjes së ajrit? “Transporti është e keqja më e madhe, ndërsa menaxhimi më i mirë i situatës do të sjellë një përmirësim të cilësisë së ajrit, shprehet Beqiri.

Ndotja e ujërave

Në monitorimin e ujërave sipërfaqësorë për vitin 2016 ka një përmirësim të ndjeshëm të ujërave larës bregdetarë edhe pse 5 pika ende mbeten problematike. Në analizimin e kësaj situate Beqiri shtoi se: “vazhdon mungesa e informimit dhe  e infrastrukturës nga pushteti vendor në këtë pikë”.  Në raport nuk kanë ndryshim në krahasim me vitin 2016 cilësia e ujërave sipërfaqësorë në lumenj dhe liqene si edhe cilësia e ujërave nëntokësorë. “Pavarësisht ndarjes së re territoriale,bashkitë po bëjnë ende një punë të dobët, në drejtim të ndotjes e menaxhimit të mbetjeve”, u shpreh kreu i AKM-së duke iu referuar rezultateve të monitorimit të menaxhimit të mbetjeve për vitin 2016. Pasi sjell situatën e trashëguar në monitorimin e mbulesës së tokës, Raporti konstaton rezultate pozitive të vitit të parë të moratoriumit 10-vjeçar të pyjeve.

“Moratoriumi do të sjellë padyshim një ripërtëritje të mbulesës së tokës. Ndërkohë që  janë konstatuar 15 specie drunore në rrezik zhdukje.“- tha drejtori i përgjithshëm i AKM-së.  Në fund të prezantimit Beqiri theksoi se në Raportin për Gjendjen në Mjedis 2016 Agjencia Kombëtare e Mjedisit ka dhënë  rekomandime te plota në çdo sektor të monitoruar për përmirësimin e gjendjes në mjedis. Raporti ofron një bazë të mirë për orientimin e zhvillimeve, planifikimeve dhe investimeve strategjike në sektorët të cilët kanë ndikim në mjedis siç janë: industria, energjetika, transporti, bujqësia etj, por edhe për marrjen e masave të duhura dhe hartimin e projekteve për përmirësimin e gjendjes së mjedisit dhe përbërësve të tij.  Agjencia kombëtare e mjedisit ngriti shqetësimin se ka operuar këtë vit me një buxhet në minimum historik, ndërsa për të dhënat e publikuara përcolli dhe një sërë rekomandimesh për Bashkitë dhe qeverinë për të marrë masat në reduktimin e nivelit të ndotjes, me pasoja direkte në shëndetin e popullatës.

Kujdesi

Sa i përket kujdesit shëndetësor, raporti vlerëson se, “edhe pse shpenzimet në shëndetësi për frymë janë rritur ndjeshëm gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, sektori shëndetësor shqiptar mbetet pa financime të mjaftueshme. Numri i përgjithshëm i mjekëve në Shqipëri nuk është i mjaftueshëm për të përmbushur nevojat shëndetësore. Numri i spitaleve dhe shtretërve në spitale ka rënë gjatë viteve të fundit në Shqipëri”. Për këtë AKM rekomandon nevojën për një sistem të shëndoshë të shëndetit publik për t’u mbrojtur nga rreziqet ndaj shëndetit dhe për të nxitur praktika të shëndetshme në popullsinë shqiptare me personel të mjaftueshëm dhe të trajnuar mirë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat