Dalin detaje tronditëse për 16 vjeçaren që u gjet e mbytur në Ksamil

Shqipëria

Dalin detaje tronditëse për 16 vjeçaren që u gjet e mbytur në Ksamil

Më: 22 korrik 2017 Në ora: 12:46
Ksamil

Turistja ruse, 16-vjeçare qe u gjet e masakruar dje në Ksamil ndodhej aty me të ëmën, vetëm prej pak ditësh.

Ngjarja e rëndë ndodhi dje, në Ksamil, në plazhin e quajtur “Tre ishujt”, ndërsa dyshimi kryesor i policisë është se vajza adoleshente është përplasur nga ndonjë motor uji apo skaf detar.

Policia konfirmoi se viktima është shtetasja Ksenia Roik nga Shën Peterburgu. Trupi i saj u konstatua rreth 0.8 milje larg bregut. Mësohet se 15-vjeçarja kishte vetëm pak ditë që ndodhej për pushime me nënën e saj në Ksamil.

Ato kishin zënë dhomën e një hoteli për të kaluar pushimet e këtij sezoni pikërisht në Ksamil, por që fatkeqësisht për to përfunduan tragjikisht.

NGJARJA

Rreth orës 13.00, një telefonatë është bërë në sallën operative të Policisë Kufitare në Sarandë. Një shtetas i identifikuar si Myrsel Ceta, ka informuar se: “përballë tre ishujve ndodhej një trup i mbytur”. Menjëherë është nisur skafi i policisë kufitare, ndërkohë që është nisur edhe grupi hetimor i Policisë së Rendit.

“Trupin e gjetëm mbi ujë. E nxorëm nga uji dhe e sistemuam në skaf. Pamë se vajza nuk kishte shenja jete. E nxorëm në breg. Atje priste ambulanca e Sarandës dhe grupi hetimor”,- u shpreh N.B., punonjës i patrullës së policisë kufitare të Sarandës. Me nxjerrjen nga uji, menjëherë trupi është dërguar në spitalin e Sarandës. Pas këqyrjes paraprakisht të kufomës trupi i 15-vjeçares do të transportohet për ekspertizë mjeko-ligjore në Tiranë, për faktin se ajo është shtetase e huaj. Mjeku i Qendrës Shëndetësore të Ksamilit, u shpreh se “vajza kishte shenja prerjeje në trup, në bërryl dhe në shpatullën e majtë”.

DYSHIMI

Paraprakisht, Policia ka hedhur dyshimin se vajza 15-vjeçare mund të jetë goditur nga ndonjë motor uji. Ajo është larguar e vetme, në një distancë të largët nga deti dhe një skaf ose motor uji nuk e ka parë atë e për rrjedhojë e ka përplasur.

Pas kësaj, ka dyshime se drejtuesi i mjetit detar e ka konstatuar trupin e përgjakur, por nuk i ka dhënë ndihmën e duhur. Pasi ka parë trupin e përgjakur, dyshohet se drejtuesi i mjetit është larguar për të humbur gjurmët. Policia nuk përjashton as pistën që adoleshentja të jetë përplasur në ndonjë shkëmb.

Burime të policisë bënë të ditur se nga hetimet e deritanishme, nuk rezulton që vajza të jetë mbytur. Kjo pasi në trupin e saj ka shenja të dukshme prerjeje, të cilat më së shumti dyshohet të jenë shkaktuar nga ndonjë mjet detar, shkruan “Panorama”.

“Më datë 21.07.2017, rreth orë 13:00, njoftohemi nga shërbimet e policisë kufitare se në Ksamil është mbytur një shtetase. Policia është afruar menjëherë në vendngjarje dhe ka konstatuar se te vendi i quajtur “3 Ishujt” Ksamil, Sarandë, është gjetur e mbytur një vajzë, e cila pas hetimeve paraprake, dyshohet të jetë shtetase Ruse, rreth moshës 16-17- vjeçare.

Trupi i saj është dërguar drejt Spitalit të Morgut në Sarandë për veprime të mëtejshme hetimore. Nga këqyrja paraprake, në trupin e pajetë janë konstatuar dëmtime dhe prerje në trupin e vajzës (në bërryl dhe në shpatullën e majtë). Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes”,-thuhet në njoftimin e dhënë dje nga Policia.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat