Përplasja në Universitetin e Tiranës, Bordi i ndërpret rrogën rektorit

Shqipëria

Përplasja në Universitetin e Tiranës, Bordi i ndërpret rrogën rektorit

Më: 22 korrik 2017 Në ora: 16:01
Mynyr Koni

Dy institucionet më të larta të Universitetit të Tiranës, Rektorati dhe Bordi i Administrimit, prej kohësh nuk janë në unison me interesat e universitetit. 

Shkak për këtë janë bërë kompetencat e palëve, të ndara qartësisht në ligjin e arsimit të lartë, shkruan “Panorama”.

Çështja ka shkuar deri aty sa për vendime brenda institucionit të vendosë gjykata. Sakaq, përplasjet e vazhdueshme janë reflektuar në mbarëvajtjen e punës në universitet. Teksa mbajnë qëndrime katërcipërisht të ndryshme mbi ndarjen e përgjegjësive që duhet të kenë institucionet, e vetmja pikë që i bashkon dy palët është pritshmëria e problemeve të tilla që pas miratimit të ligjit për arsimin e lartë.

“Nuk është përplasja klasike midis dy personave. Do të ishte anormale nëse një institucion është i ngrirë, pa mendim ndryshe, pa debate. Një gjë e tillë, në fakt, po ndodh në të gjitha universitetet”, sqaron Drejtoria e Komunikimit pranë rektoratit. Ndërsa Bordi i Administrimit shprehet i vendosur se nuk do të lejojë titullarin e universitetit të ndërhyjë në pjesën menaxheriale.

GJENEZA E KONFLIKTIT

Përplasja midis institucioneve mësohet të ketë nisur fiks një vit më parë, kur rektori Mynyr Koni pranoi udhëzimin e Ministrisë së Arsimit për pranimet e reja, pa u konsultuar më parë me dekanët e as me senatin akademik.

Kjo nuk është lënë me kaq nga këta të fundit, të cilët këtë pakënaqësi e kanë pasuar me kundërshkresa gjatë gjithë vitit akademik e tashmë ndodhen në krah të bordit për shumë akte e veprime të rektorit. Sipas Bordit, i vetmi i humbur në këtë mes është universiteti. “E vetmja gjë që bën rektori është të pengojë ose ngadalësojë punën në universitet. Aktet e rektorit kanë efekt nul, pasi nuk firmosen nga strukturat administrative”.

E njëjta gjë ndodh edhe me shumë procedura, që duhet të kalojnë me patjetër me firmën e rektorit.

PEZULLIMI I PAGËS

Një çështje, e cila është përpjekur të kalojë pa u vënë re, shkak për përplasjen e radhës, është pezullimi i pagës së rektorit Koni për gati një muaj. Nuk bëhet fjalë për një kapriço apo “hakmarrje” të Bordit për pakënaqësitë ndaj tij, por për kohën kur Koni i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale.

Duke qenë e planifikuar, një ditë përpara, rektori mësohet të ketë nxjerrë një urdhër të brendshëm, që për një periudhë të pacaktuar kohore nuk do të jetë në detyrë, duke ia deleguar kompetencat e tij zëvendësrektorit Shezai Rrokaj deri në një urdhër tjetër.

Po ku qëndron problemi?! Jo vetëm që nuk pati urdhër të dytë, por as raport për shtrimin në spital (shkak për pezullimin e një pjese të pagës).

Të gjithë, madje edhe ata që e vizituan në spital për t’i uruar shërim të shpejtë, ngelën të habitur në një moment të dytë, kur rektori mësohet të mos ketë pranuar ta faktojë mosprezencën për arsye që vetëm ai i di.

Prej kohësh, Bordi i Administrimit ka kërkuar auditim të veprimtarisë së Rektoratit, i cili do të zbardhë çështjen me detaje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat