Krasniqi: PD nuk e kaloi testin, ngeli në standardin e 2013

Shqipëria

Krasniqi: PD nuk e kaloi testin, ngeli në standardin e 2013

Më: 23 korrik 2017 Në ora: 00:48
Analisti dhe politologu Afrim Krasniqi

Analisti dhe politologu Afrim Krasniqi tha se me zgjedhjet e 22 korrikut Partia Demokratike nuk e kaloi testin, duke ngelur kështu në standardin e vitit 2013.

Në një intervistë në studion e lajmeve të Ora News, Krasniqi tha se mungesa e një debati publik dëmtoi deri diku garën mes kandidatëve.

Krasniqi: Ishte një test politik për Partinë Demokratike për shkak se erdhi pas zgjedhjeve parlamentare ku vetë PD u ankua për standardet në zgjedhjet parlamentare dhe në disa elementë pati të drejtë. Kështu që ishte një test për të parë nëse kjo parti vetë mund të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe nëse ka një kapacitet për tu bërë demokratike siç e ka edhe emërtimin. Mënyra si funksionoi gjithë procesi zgjedhor dhe sot deri diku edhe elementë të votimit, tregoi që nuk e kaloi dot testin, pra ngelemi në standardet e vitit 2013, me një garë me problematika, me një anëtarësi problematike dhe dukshëm fiktive, me një mobilizim të njëanshëm të një grupi të caktuar zyrtarësh të lartë të cilët sipas stautit ndalohet të jenë aktorë zgjedhorë pro një kandidati të caktuar me pamundësi gare reale dhe mungesë debati. Pavarësisht se pati kërkesë publike për të bërë debat publik, nuk pati dhe kjo dëmtoi deri diku garën midis kandidatëve.

Krasniqi tha gjithashtu se në këtë garë nuk u panë elementë që kishin të bënin me analizën e rezultatit të zgjedhjeve të 25 qershorit, atë që prisnin shqiptarët.

Krasniqi: Shqiptarët prisnin të kishte një analizë për rezultatin e zgjedhjeve. Nuk pati një analizë për rezultatin e zgjedhjeve. Shqiptarët prisnin një ndarje nga modelet e së kaluarës, do të thotë një PD e re që merr përgjegjësi për sfidat e kohës, pranon gabimet dhe është e aftë të reflektojë. Nuk i pamë këto elementë në këtë garë elektorale. Shqiptarët prisnin politkanë që vendosnin interesin publik mbi interesin personal, sepse opozita në Shqipëri është  interes i madh publik. Nuk e patëm as këtë element në fushatën elektorale.

Zoti Selami  dhe Basha patën një retorikë të kundërt. Basha për gjithçka akuzoi kryeministrin, ndërkohë që ai është në marrëveshje me kryeministrin si përfaqësues i opozitës. Ndërkohë që zoti Selami u mundua të bëjë një lloj reformimi në atë që quhet në parimet e përgjithshme të organizmit të partive, disa nocione që janë të huaja në PD, siç është votimi i brendshëm, rregullat demokratike, strukturat vendimmarrëse, statusi, parime që në PD janë harruar që nga mesi i viteve ’90. Në këto rrethana duke kaluar një tokë pa përvojë demokratike ishte e vështirë që këto ide të zënë vend në një mjedis ku interesat e pushtetit dhe interesat e tjera janë dominuese. Kështu që ishte një shans i humbur për cilësinë që pritej për të pasur këto zgjedhje.

Pati dy elementë pozitivë siç ishte rasti i Korçës dhe Shkodrës ku pati debat mes dy kandidatëve, një debat që erdhi jo për shkak të zgjedhjes së kandidatëve për të bërë debat, por për shkak të rrethanave që u krijuan. Por edhe në thelb këto dy debate nuk  arritën të plotësojnë një lloj kuadri të një standardi normal që të ketë një parti për debat publik. Është kaq e thjeshtë! Kur ti ke mundësi të bësh zgjedhje brenda partisë, dhe për të respektuar mendimin ndryshe duhet ta bësh këtë gjë që të bëhesh i besueshme për jashtë, dmth të të votojnë shqiptarët nesër për alternativë pushteti. Në momentin që ti e ke të pamundur të bësh zgjedhje brenda partisë, e ke të pamundur të krijosh kushte të barabarta dhe të bash debat publik, përse ja kërkon kundërshtarëve  politik?! Sepse ata nisen nga standardet e familjes tënde. Në këtë lloj aspekti këtu ishte një shans i humbur për PD.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat