Basha: Nëse Rama e ka seriozisht, t'i shkarkojë ata që shkaktuan 600 mln euro dëm në Dogana e Tatime

Shqipëria

Basha: Nëse Rama e ka seriozisht, t'i shkarkojë ata që shkaktuan 600 mln euro dëm në Dogana e Tatime

Më: 30 korrik 2017 Në ora: 12:59
Lulzim Basha

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ka reaguar menjëherë pas publikimit të një raporti të KLSH-së për 600 milionë euro dëme nga shkeljet dhe abuzimet e zyrtarëve të lartë në Dogana e Tatime. "Nëse Rama e ka seriozisht, - deklaron Basha, -  le të marrë raportin e KLSH-së dhe të pushojë dhe ndjekë penalisht drejtuesit e doganave, tatimeve dhe prokurimeve, dhe ministrat e funksionarët e tjerë publikë që kanë shkaktuar këto dëme." 

Mesazhi i plotë i Bashës:

"Raporti i sapo bërë publik i Kontrollit të Lartë të Shtetit shpjegon në detaje se dëmi ekonomik i shkaktuar nga keqqeverisja dhe abuzimi vetëm në dogana, tatime dhe tendera është afro 600 milionë euro, - shprehet Basha. - Është tjetër tregues skandaloz i një qeverisje qëllimi i vetëm i së cilës është grabitja e parave dhe pasurive të vendit.

Në shfaqjen e tij tragji-komike Edi Rama është duke bredhur në Shqipëri për t’ju kërkuar njerëzve të denoncojnë ata që abuzojnë me detyrën. Nëse e ka seriozisht le të marrë raportin e KLSH-së dhe të pushojë dhe ndjekë penalisht drejtuesit e doganave, tatimeve dhe prokurimeve, dhe ministrat e funksionarët e tjerë publikë që kanë shkaktuar këto dëme. Por kjo nuk ka për të ndodhur, sepse në fakt Edi Rama është vetë shembulli dhe kampioni i abuzimit me detyrën dhe pasuritë publike për interesat e tij dhe klientëve të tij."

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat