3 mijë € për punë në administratë, si i mashtronte njerëzit Bukuroshja nga Vlora

Shqipëria

3 mijë € për punë në administratë, si i mashtronte njerëzit Bukuroshja nga Vlora

Më: 2 gusht 2017 Në ora: 08:36
Ilustrim

Prezantohej te qytetarët si punonjëse institucionesh dhe që kishte lidhje e njohje me zyrtarë, mashtron 15 vetë, duke u marrë në total 40 mijë euro me premtimin se do t’u gjente vende pune në administratë dhe sektorin privat.

Policia e Vlorës bëri të ditur se arrestoi shtetasen Bukuroshe Kola, 51 vjeçe, në kuadër të operacionit të koduar “Mashtrimi i fundit”.

“Në kuadër të masave të marra nga policia për vënien para përgjegjësisë, kapjen dhe ndalimin e shtetasve të cilët rezultojnë me precedentë penalë, po ashtu edhe për shtetasit e shpallur në kërkim policor, specialistët e Sektorit të Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë e Policisë Vlorë, pas një hetimi të gjatë policor me metoda speciale, kanë arritur të bëjnë të mundur kapjen dhe ndalimin e shtetases së shpallur në kërkim, Bukuroshe Kola, 51 vjeçe, banuese në Vlorë.

Kjo shtetase dyshohet se ka konsumuar veprën penale të ‘mashtrimit, më shumë se një herë dhe me pasoja të rënda’, parashikuar nga neni 143/2/ 3 i Kodit Penal, për të cilin ka marrë edhe masën e sigurisë ‘arrest në burg’, prej Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, me numër vendimi penal 258, datë 28.07.2015”, thuhej në njoftimin e dhënë nga Policia e Vlorës.

Nga hetimet e mëtejshme të kryera, ka rezultuar se gjatë periudhës kohore dhjetor 2016 – maj 2017, ajo ka mashtruar rreth 15 shtetas, duke u marrë një shumë të konsiderueshme parash, në total 40.000 euro, me premtimin se do t’u siguronte një vend pune në institucione shtetërore edhe në kompani private.

“Policia ka bërë të mundur menjëherë ndalimin e saj, si dhe vazhdojnë hetimet për vënien para përgjegjësisë të të gjithë shtetasve, të cilët rezultojnë se mashtrojnë duke marrë shuma parash në këmbim të pozicioneve të ndryshme pune”, bëri të ditur Policia.

Sipas të dhënave, kjo shtetase premtonte vende pune në sektorë të ndryshëm të administratës, në arsim, shëndetësi, te tatimet, por edhe nëpër kompani private. Shumat që varionin ndaj çdo personi janë 2 mijë deri në 3 mijë euro, në varësi të pozicionit dhe sektorit të premtuar.

Pak kohë më parë, një vajzë e re në Elbasan u arrestua pasi ajo kishte mashtruar disa shtetas me premtimin se do t’u siguronte vende pune, duke përfituar prej tyre mijëra euro.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat