8 zjarre në 24 orët e fundit në Shqipëri, ja zonat me rrezik

Shqipëria

8 zjarre në 24 orët e fundit në Shqipëri, ja zonat me rrezik

Më: 12 gusht 2017 Në ora: 11:11
Ilustrim

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë shënuar 8 vatra zjarri në qarqet Tiranë, Dibër, Durrës, Fier, Vlorë, Gjirokastër.

Në operacione për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 75 punonjës zjarrfikës, 13 automjete zjarrfikëse, 100 personel nga Forcat të Armatosura të Ushtrisë, dhjetëra banorë të zonave të prekura, 88 punonjës të Pyjores, të DMZ, të bashkive etj, të mbështetur nga helikopterë dhe avionë.

Specialistët e Emergjencave Civile, janë duke mbajtur situatën në monitorim të vazhdueshëm në të gjithë vendin.

Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile, në Ministrinë e Punëve të Brendshme përsërit thirrjen ndaj të gjithë qytetarëve që në rast se konstatojnë zjarre, të njoftojnë menjëherë në numrat e emergjencave 112, 129 dhe 128.

QARKU TIRANË

Operacioni për shuarjen e vatrave të zjarrit në Malin e Derjes pranë fshatit Shëngjergj, bashkia Tiranë vijon ende dhe në të janë angazhuar forca të Pyjores, të Drejtorisë së Zonave të Mbrojtura Tiranë dhe forca ushtarake. Vatrat zjarrit janë aktive dhe nuk ka qenë e mundur të izolohen për shkak të terrenit të thyer dhe intensitetit të lartë. Si pasojë e zjarrit është djegur një sipërfaqe e madhe me shkurre dhe pisha. Në fshatin Kuç, bashkia Vorë janë aktive vatrat e zjarrit. Në vendngjarje janë forcat zjarrfikëse, të mbështetura nga forca ushtarake. Sot në mëngjes ka nisur të operojë dhe një helikopter për shuarjen përfundimtare të zjarrit.

QARKU DIBËR

Një vatër e fuqishme zjarri ka rënë në fshatin Bllatë, Maqellarë, bashkia Dibër. Zjarrfikësit e kanë pasur të vështirë të ndërhyjnë për shkak të terrenit të thyer malor dhe sipërfaqes së madhe të zjarrit. Sot kanë shkuar në ndihmë edhe forca të ushtrisë për të shuar zjarrin, i cili rrezikon banesat e fshatit.

QARKU VLORË

Vazhdojnë të jenë aktive vatrat e zjarrit në territorin e bashkisë Finiq. Situata ka qenë më e rëndë në fshatin Dhrovjan. Forcat zjarrfikëse me mjete dhe banorët e zonës kanë punuar për të mbajtur flakët larg zonës së banuar. Sot pritet që të shkojë një helikopter dhe të shuajë vatrat e zjarrit.

QARKU GJIROKASTËR

Janë ende aktive vatrat e zjarrit në fshatrat Frashtan dhe Lugar, bashkia Dropull. Në vendngjarje po punojnë zjarrfikësit, të mbështetur nga forca ushtarake, punonjës të bashkisë, forca të Policisë së Shtetit dhe banorë të zonës. Në aksion janë përfshirë edhe 2 avionë Canadair nga Greqia, por vatrat e zjarrit nuk ka qenë e mundur të shuhen. Situatë problematike është vatra mbi fshatin Bularat ku rrezikohet një sipërfaqe e madhe pyjore.

QARKU DURRËS

Në fshatin Cudhi të bashkisë Krujë ka rënë zjarr i cili rrezikon Parkun Kombëtar të Qafë Shtamës. Zjarrfikësit, bashkë me forca të pyjores, banorë të zonës dhe forca të bashkisë janë në vendngjarje për të mbajtur zjarrin nën kontroll. Vatrat e zjarrit vazhdojnë të jenë aktive.

QARKU FIER

Në fshatin Çorrush të bashkisë Mallakastër, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre, pisha dhe ullishte. Në vendngjarje kanë shkuar zjarrfikësit e 3 bashkive si dhe forca ushtarake të cilat kanë shuar zjarrin. Si pasojë u dogj një sipërfaqe e madhe me shkurre dhe pisha, 3 banesa të pabanuara dhe rreth 4000 rrënjë ulliri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat