EMRI/ Gruaja nuk e duron dot më dhunën e burrit, telefonata që shpëtoi atë dhe vajzën e vogël

Shqipëria

EMRI/ Gruaja nuk e duron dot më dhunën e burrit, telefonata që shpëtoi atë dhe vajzën e vogël

Më: 16 gusht 2017 Në ora: 08:01
Ilustrim

Policia e kryeqytetit arrestoi dje një 39- vjeçar, i cili ishte denoncuar nga bashkëshortja për dhunë në familje. I arrestuari është Alban Balla, të cilit iu sekuestrua në banesë edhe një armë gjahu që e mbante pa leje.

Ngjarja për të cilën akuzohet i dyshuari ka ndodhur rreth orës 22:00 të së hënës, në rrugën “Riza Cuka”.

Ai ka shkuar në shtëpi në gjendje të dehur dhe ka nisur të debatojë ashpër me gruan. Sipas deklarimeve të të dëmtuarës D. Balla, 31 vjeçe, bashkëshorti kohët e fundit sa herë që konsumonte alkool, sillej në të njëjtën mënyrë me të.

Por kësaj here, ai kishte ushtruar dhunë edhe ndaj vajzës së tyre 13- vjeçare, duke e terrorizuar edhe psikologjikisht. Edhe pse e kishte toleruar disa herë, bashkëshortja e të dyshuarit kësaj here vendosi që ta denonconte në Polici.

Në një moment kur ai nuk e kishte mendjen, ajo i ka telefonuar Policisë në numrin e emergjencave dhe ka kërkuar ndihmë, duke treguar se kishte edhe armë në shtëpi dhe ndiehej e frikësuar.

Menjëherë drejt vendngjarjes janë nisur shërbimet e Komisariatit nr.3 që kanë arritur të neutralizojnë 39-vjeçarin që po ushtronte dhunë ndaj familjarëve.

Burimet thanë se në momentin e ndërhyrjes ai ka tentuar të largojë Policinë, duke thënë se bëhej fjalë vetëm për një keqkuptim, pasi kishte debatuar me gruan, sepse kishte shkuar në shtëpi në gjendje të dehur.

Megjithatë, nuk ka bërë rezistencë në momentin që i është komunikuar se duhej të shkonte në Komisariat. Të njëjtat burime thanë se duke qenë se nuk ishte i vetëdijshëm, ai është mbajtur në qeli deri në momentin që i ka dalë pija, më pas është marrë në pyetje për ngjarjen, të cilën ai pretendonte se nuk e mbante mend.

Bashkëshortja dhe vajza e 39-vjeçarit kanë deklaruar episodin e dhunës, duke bërë edhe kallëzim me shkrim për ngjarjen. Nga ana tjetër, Policia tha se veç akuzës për dhunë në familje, Alban Balla akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, u gjet dhe u sekuestrua një armë gjahu sportive, tip “Kralmagnum” me 38 fishekë, 12 prej të cilëve të vendosur gjerdan. I pyetur për armën, 39-vjeçari ka pohuar se e kishte blerë së fundmi dhe do të shkonte shumë shpejt për të nxjerrë një leje, pasi ishte i dhënë shumë pas gjahut.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat