Ish-kreu i SHIK-ut, Klosi: E vërteta e vizitës së senatorëve amerikanë në Shqipëri

Shqipëria

Ish-kreu i SHIK-ut, Klosi: E vërteta e vizitës së senatorëve amerikanë në Shqipëri

Më: 16 gusht 2017 Në ora: 10:28
Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi

Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, jep mendimin e tij mbi të vërtetën e vizitës së befasishme të katër senatorëve amerikanë në Tiranë.

Ish-kreu i spiunazhit shqiptar jep alarmin se shërbimet iraniane po ndërhyjnë në Shqipëri për të goditur muxhahedinët e strehuar në vendin tonë, të cilët janë armiq të regjimit të sotëm të Iranit.

Fatos Klosi u shpreh se, meqenëse SHBA kanë qenë vetë ata të cilët i sollën muxhahedinët në Tiranë, kërkojnë nga qeveria dhe autoritetet shqiptare që të rrisin masat për mbrojtjen e tyre, pasi kanë informacione se Irani po kërkon t’i godasë.

Ish-kreu i SHISH thotë se Shqipëria vetë nuk është e rrezikuar nga Irani, pasi dy shtetet kanë marrëdhënie diplomatike midis tyre.

“Senatorët kanë ardhur për t’u interesuar nëse ne i kemi marrë të gjitha masat për t’i mbrojtur ata këtu. Shërbimi iranian ka filluar të fusë hundët në Shqipëri se është bërë qendër e muxhahedinëve, e armiqve të tyre.

Vetë Shqipëria nuk është e rrezikuar nga Irani. Ne kemi marrëdhënieve diplomatike, sepse Irani ka ambasadë në Shqipëri”, u shpreh Klosi. Në këto kushte, SHBA kërkon ashpërsimin e masave për mbrojtjen e tyre nga regjimi i Iranit.

Fatos Klosi u shpreh per “Sot” se SHBA kërkojnë që muxhahedinët mos ta pësojnë në Shqipëri ashtu si në Irak ku ishin të strehuar. Pra, shteti shqiptar të marrë masa të forta për mbrojtjen e tyre. “Amerika i ka sjellë vetë muxhahedinët në Shqipëri dhe trembet se Irani mos u bëj gjë.

I kanë sjellët muxhahedinët në një vend që janë të mbrojtur apo siç ishin në Irak dhe Irani filloi t’ju bjerë? Këta janë armiq të regjimit të sotëm iranian. Shqipëria i është përgjigjur pozitivisht thirrjes së Amerikës për t’ju gjetur një vend të përshtatshëm muxhahedinëve.

Muxhahedinët janë njerëz të shtresës së mesme iraniane, në përgjithësi të shkolluar në Perëndim. Nuk janë terroristë. Janë siç kanë qenë ballistët tanë nëpër Europë gjatë kohës së regjimit komunist. Amerikanët i kanë sjellë këtu e para se jemi miq të Amerikës dhe nuk i themi dot jo dhe e dyta, se ne jemi vend kryesisht mysliman dhe ata mund ta ndjejnë veten mirë. Qendrën ata e kanë në Paris dhe presidenti i tyre rri më shumë në Paris, dhe tani ka filluar të rrijë edhe këtu.

Është bërë një kamping i madh te ish-universiteti “Vitrina””, deklaron Klosi. Ai thotë se Irani si shtet nuk është terrorist, por presidenti i tanishëm po mbështet opozitën e Jemenit.

“Amerikanët i kanë vënë nofkën terrorist shtetit iranian. Unë nuk mendoj kështu. Irani është shtet. Presidenti i ri që ka ardhur e ka futur Iranin në shtetet që përkrahin terrorizmin. Por në atë zonën atje, ndihmojnë opozitën në Jemen.

Iranianët ndihmojnë presidentin e Sirisë. Janë aleat me rusët në Siri”, thotë Klosi.  Senatorët në Tiranë diskutuan me liderët e politikës shqiptare edhe për ndikimin rus. Fatos Klosi shprehet se SHBA duhet ta bindin BE që të anëtarësojnë Ballkanin Perëndimor, në mënyrë që të minimizohet ndikimi rus.

“SHBA mos të shqetësohet dhe të vijë të na i thotë neve. T’i thotë Europës të na fusë në BE. Të futet i gjithë Ballkani Perëndimor në BE. Ky është hapi më i madh për ta mbrojtur Ballkanin nga rreziku rus”, tha Klosi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat