Fabrika e peshkut, mbetjet në kanal. Banorët e Spitallës letër Kryeministrit

Shqipëria

Fabrika e peshkut, mbetjet në kanal. Banorët e Spitallës letër Kryeministrit

Më: 16 gusht 2017 Në ora: 11:23
Kanali i hapur i ujërave të zeza

Kanali i hapur i ujërave të zeza që përshkon mes për mes zonën e Spitallës, është shqetësimi më i vogël për banorët krahasuar me ndotjen mjedisore që po u shkakton fabrika e përpunimit të peshkut.

Duke e konsideruar të pamundur jetesën, banorët e lagjes 15 në Durrës, nga Spitalla deri tek ish-Konservimi, u janë drejtuar institucioneve vendore në Durrës dhe Kryeministrit Rama me një peticion ku kërkojnë marrjen e masave urgjente ndaj një problemi të rëndë mjedisor me të cilin përballen çdo ditë.

Sipas banorëve, fabrika e përpunimit të peshkut i derdh në kanalin kryesor të gjitha mbetjet, duke krijuar një ndotje të tmerrshme në zonën e mbipopulluar, të vendosur aty prej më shumë se 25 vitesh. Banorët thonë se fabrika i shkarkon mbetjet gjatë natës dhe ato dekompozohen më pas në kanalin e madh, duke bërë që era e rëndë dhe e padurueshme të përhapet në të gjithë zonën.

“Fabrika e përpunimit të peshkut i derdh mbetjet në kanal, duke e bërë të pamundur jetesën në këtë zonë, për shkak të erës shumë të rëndë që përhapet me shpejtësi. Me anë të këtij peticioni, në u kërkojmë institucioneve të marrin masa urgjente, pasi situata është alarmante dhe jetesa e pamundur”, thonë banorët e lagjes nr. 15 të qytetit bregdetar, e njohur ndryshe si zona e Spitallës.

Në bazë të kontratës që firma ka me bashkinë për funksionimin dhe organizimin e saj, presupozohet se mbetjet urbane i eksporton jashtë shtetit për t’i përpunuar, por në realitet thonë banorët, firma i derdh ato natën në kanalin kryesor që përshkon zonën dhe përfundon në hidrovorin e Porto-Romanos.

“Menjëherë pas shqetësimit të ngritur nga banorët, Inspektorati Shëndetësor Shtetëror ka reaguar dhe ka dërguar grupin e inspektimit në këtë fabrikë. Është i drejtë shqetësimi që kanë ngritur banorët. Firma ngriti pretendimin se nuk ka infrastrukturë kanalizimesh në zonën e Spitallës. I jemi drejtuar Bashkisë së Durrësit për këtë çështje”, deklaroi kryeinspektorja e Inspektoratit Shëndetë- sor në Durrës, Zhaneta Saliu.

Nga të dhënat e grumbulluara nga grupi i inspektimit në terren, Saliu shprehet se “shkarkimet, sipas banorëve, bëhen natën, ndërsa firma pretendon me dokumente se mbetjet i eksporton jashtë vendit”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat