Ngjela: Ja pse dështuan ministrat teknikë

Shqipëria

Ngjela: Ja pse dështuan ministrat teknikë

Më: 18 gusht 2017 Në ora: 10:17
Spartak Ngjela

Avokati Spartak Ngjela, një nga figurat dhe zërat më aktivë në politikën shqiptare, ka komentuar përformancën e punës dhe rolin e ish-ministrave teknikë të Partisë Demokratike në qeverinë “Rama 1”.

Ngjela deklaron për "Sot" se ministrat teknikë të PD ishin të dështuar që kur u bënë pjesë e qeverisë, pasi erdhën me frymën dhe logjikën e Sali Berishës. 

Avokat Ngjela u shpreh se këta ministra gjithashtu ishin njerëz të kotë, që kryeministri Edi Rama i injoroi duke mos i mbledhur asnjëherë si pjesë të qeverisë, të cilët e kishin të garantuar humbjen e zgjedhjeve në 25 qershor. 

Sa i takon publikimit të raportit të zgjedhjeve, Ngjela u shpreh se ky raport nuk duhet marrë në konsideratë pasi nuk ka asnjë fakt me emër, se cilët janë shitësit apo blerësit e votës. Pra, sipas Ngjelës, performanca e punës së ish-ministrave teknikë është totalisht e dështuar dhe se raporti i tyre i zgjedhjeve është i hartuar me frymën komuniste primitive të shkollës së Sali Berishës. 

“Që të kesh mendimin e saktë se zgjedhjet janë blerë, duhet të më tregosh blerësit dhe shitësit! Ke kapur ndonjë blerës? Ke kapur ndonjë shitës? Jo! Kjo është logjika juridike, të tjerat janë logjikë alla Sali, që vijnë nga hardhitë e komunizmit primitiv. Nuk flitet pa prova. Le të nxjerrin provat e vjedhjes së votave, megjithëse i kanë kundërshtarë absolutë. Asnjë muzë nuk mund të pranohet. Këta po shijnë se nuk ka filluar reforma në drejtësi. Pasi të nisë reforma, nuk do dëgjoni asnjë fjalë nga kjo çerdhe kalamajsh që i prodhon Sali Berisha. Ishte shkolla e Enver Hoxhës, tani është shkolla e Saliut”, u shpreh Spartak Ngjela.

SHBA detyroi Ramën të pranonte ministrat

Avokat Spartak Ngjela deklaroi të vërtetën e ardhjes së ish-ministrave teknikë të PD në qeveri. Ngjela bëri me dije se ishte SHBA që e detyruan kryeministrin Rama të pranonte ish-ministrat, si një mënyrë për të mos e nxjerrë PD totalisht të fyer pas dështimit me çadrën në bulevard. Ngjela tha se këta ishin njerëz të kotë që qëndruan në qeveri, kur e kishin të sigurt që në fillim se zgjedhjet do t’i humbisnin. “Politika amerikane i futi ata të çadrës me forcë në Parlament. Sepse iu nxori të gjitha faktet se çfarë kishin bërë ata në hundë e nën hundë, bile edhe në funksion ndërkombëtar. Ata u rrasën brenda por që të mos i nxirrnin të fyer, i thanë Ramës hajde pranoji këta ministra dhe i pranoi si kërkesat e McAllister me përjashtim të presidentit të ri, i cili është zgjedhur. Dhe ata nuk e diskutuan më. Këta ishin kot, njerëz të kotë dhe zgjedhjet i kishin të humbura. Të gjitha ato kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit ishin mendime të Saliut, se Rama nuk tërhiqet dhe në do destabilizojmë Shqipërinë. Se çfarë u duhej këtyre “ministrave” të rrinin në një qeveri që Rama nuk i thirri asnjëherë? Zgjedhjet i kishin të humbura”, u shpreh Ngjela. Avokat Ngjela paralajmëroi se pas reformës në drejtësi në shtator, do të marrin fund këto shfaqje qesharake. “Pas reformës, nuk do dëgjoni më mashtrime dhe akuza për të mashtruar popullin. Duhen prova dhe fakte. Priteni se reforma nuk ka kthim. Le të bëjnë si miza, reforma nuk ka kthim ajo do shkojë deri në fund. Reformë që reflekton nga aleanca shqiptaro-amerikane për Ballkanin Perëndimor”, tha Ngjela.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat