Masat kundër terrorizmit, përforcime shtesë në zonat turistike

Shqipëria

Masat kundër terrorizmit, përforcime shtesë në zonat turistike

Më: 18 gusht 2017 Në ora: 20:56
Ilustrim

Pas sulmeve terroriste në Barcelonë, ku mbetën të vrarë 14 persona, policia shqiptare ka reflektuar sërish shërbim të përforcuar.

Por, burimet pohojnë se ndryshe nga masat e mëparshme, Drejtoria e Anti-terrorit është në gjendje gatishmërie prej kohësh dhe një ndër arsyet është edhe fluksi i hyrjeve në vendin tonë gjatë sezonit turistik.

Sikurse edhe pas sulmeve terroriste në Londër, Mançester,  Paris dhe Berlin, policia shqiptare ka shtuar vëmendjen në objekte dhe zonat që konsiderohen me risk, sikurse janë ambientet publike, por edhe zonat turistike.

Burimet thonë se masa kryesore e Policisë së Shtetit lidhet me angazhimin e agjentëve të anti-terrorit që po mbajnë nën vëzhgim  personat  me prirje radikale, por edhe lidhjet e tyre.

Kjo procedurë e drejtuar nga Anti-terrori, por edhe Shërbimi Informativ po zbatohet në mënyrë të pandërprerë për shkak të dy dosjeve të bujshme gjyqësore që kanë në brendi që nga akuzat e terrorizmit, deri tek rekrutimet për luftime në Siri.

Njëra nga dosjet është e njohur si “Imamët”, tashmë të shpallur fajtorë edhe nga Apeli i Krimeve të Rënda. Dosja e dytë ka nën akuzë vetëm në Shqipëri 4 të dyshuar dhe në Kosovë 18 të tjerë, që dyshohen se po planifikonin një sulm terrorist në stadiumin ku do të mbahej ndeshja Shqipëri-Izrael.

Gjatë këtij sezoni turistik bëhet e  ditur se, veçanërisht në pikën kufitare të Morinës dhe të Qafë-Thanës agjentë të Anti-terrorit që gjenden në gatishmëri kanë intervistuar persona që fillimisht janë vlerësuar si të dyshimtë për të udhëtuar drejt Shqipërisë. Por, me gjithë masat e policisë, ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale parashikojnë transferimin për shqyrtimin e veprave të terrorizmit nga Krimet e Rënda në gjykatat e rretheve. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat