‘Rama II’ asgjeson 37 agjenci qeveritare, ja cilat janë

Shqipëria

‘Rama II’ asgjeson 37 agjenci qeveritare, ja cilat janë

Më: 28 gusht 2017 Në ora: 08:39
Edi Rama

Bashkë me reformimin e ministrive, gjatë këtij 4-vjeçari do të shkrihen jo pak, por 37 agjenci dhe institucione të administratës shtetërore.

Lajmin për ristrukturimin e tyre e bëri të ditur ish-zv/kryeministri Niko Peleshi  në Asamblenë e Partisë Socialiste, ndërsa riorganizimi i tyre do të bëhet në bazë rajonesh. Ndër propozimet kryesore të përmendura nga Peleshi janë shkrirja e drejtorisë së Bujqësisë, Agjencisë së Prokurimeve Publike, bashkimi i Doganave me Tatimet, ngritja e Agjencisë së Mbrojtjes Civile, si dhe shkrirja në një të vetme e Agjencisë së Pronave, ALUIZNI-t dhe Hipotekës. Sa i përket arsimit parauniversitar, nga 12 drejtori arsimore do të bëhen vetëm 4 në rajonet më të mëdha të vendit. Gjithashtu, reforma do të prekë edhe Entin e Banesave, i cili tashmë do të jetë në kompetencën e bashkive.

Reforma

“Do të bëjmë rishikim të institucioneve dhe për këtë kemi një projekt rekomandimesh. Kemi përmbushur një formular me 341 institucione për të vazhduar punën për strukturën e re të institucioneve. Shqipëria ka numër të madh të institucioneve të varësisë, 500 të tilla, ndërsa kemi 81 institucione për shërbime, 13 në politikëbërje dhe 130 funksione mikse. Kemi një varietet të madh të institucioneve me punonjësit, ku 10 për qind e tyre kanë më pak se 10 punonjës”, tha Peleshi në fjalën e tij. Duke iu referuar 4-vjeçarit që lamë pas, ai shtoi se 30 për qind e institucioneve kanë regjistra të dixhitalizuar, ndërsa pjesa që mbetet nuk i kanë ende ato. “Nga 141 agjenci, ne propozojmë një projekt me 104 agjenci varësie. Kemi shkrirë agjencitë me më pak se 10 punonjës dhe kemi shkrirë ato që kanë funksione të njëjta. 4 agjenci rajonale për shëndetësinë, 4 për arsimin, 4 për mjedisin, shërbimin social nga 12 në 4, degët e thesarit mund të bëhen në 4 nga 36 që janë sot. Propozojmë shkrirjen e drejtorive të bujqësisë, kalimin te Autoriteti Kombëtar i Ushqimit. Statistikat kalojnë te bashkitë.

Doganat do të bashkohen me Tatimet. Do ngrihet agjencia e mbrojtjes civile për emergjencat. Drejtoria e Akreditimit bashkohet me atë të Standardizimit”, tha Peleshi.

Tenderët

Duke pranuar dështimin dhe abuzimet e shumta që janë bërë me tenderët, qeveria e re do të reformojë edhe Agjencinë e Prokurimeve, teksa në vend, deri më dje numëroheshin 1407 autoritet që bënin tenderë.  “ Të dhënat janë të vitit 2016, rreth 1 miliard dollarë është volumi i blerjeve të mallrave dhe shërbimeve në Shqipëri. Janë 1407 autoritete kontraktore, 8500 procedura prokurimi, në vit lidhen 5500 kontrata dhe ofertohen nga 39 mijë oferta nga kompanitë. Sistemi është shumë i fragmentarizuar; mesa duket është baza është e dobët. Për ta ilustruar kemi vetëm një shifër: nga 5 mijë procedura të brendshme, 21% e tyre dështojnë të lidhin një kontratë. Ne propozojmë një reformim të prokurimit. Nuk kemi një formulë të gatshme apo fundore, por kemi disa vështrime për mallrat dhe shërbimet. P.sh. mund të themi që është e domosdoshme të ketë një agjenci të veçantë që është qendra e blerjeve, që sot blen njw kategori mallrash dhe shërbimesh standarde. Ne jemi duke u konsultuar dhe me vendet e bashkëpunimit europian si dhe me disa praktika të vendeve të BE siç është Kroacia; dhe duke i përqasur propozojmë ngritjen e qendrave speciale të prokurimeve me kapacitete të specializuara”, deklaroi Peleshi.

Pronat

Ndërhyrja më e madhe dhe radikale që propozohet për këto 4 vite është çështja e pronave, e cila mbetet një nga problemet më madhore në vend, kjo jo vetëm duke iu referuar zërave të qytetarëve, por edhe raporteve periodike që vijnë nga agjencitë e huaja. Sipas Peleshit, Shqipëria nuk ka pasur asnjëherë një regjistër kadastral të pasurive dhe kjo e ka bërë pasurinë e patundshme të jetë një objekt tjetërsimesh të paligjshme. “Disa procese të cilat janë kalimtare, siç janë për shembull legalizimi apo kompensimi i pronave. Kur themi të përkohshme kuptohet dy deri në katër vjet. Disa prej tyre janë zgjatur 25 vjet siç është kthimi dhe kompensimi i pronës, i cili nuk ka mbaruar ende. Por me ligjin e ri me legjislacionin e ri që ne kemi miratuar në qeverinë e kaluar, kjo çështje brenda dhjetë vjetësh do të marrë fund. Nuk mjafton vetëm ligji, por një kuadër i ri institucional që kemi ngritur për kthimin dhe kompensimin e pronës”, parashtroi Peleshi, duke folur edhe për zgjidhjen që do të jepet tashmë.  “Tani duhet një trajtim i pronës më integral. Këtu janë rreth 12 institucione që lëshojnë tituj pronësie. Synojmë që përmes një strukture të re të përfundojmë një regjistër fillestar, sistematik, kombëtar të pronës së paluajtshme. Të ndërtojmë një regjistër elektronik të pasurive të paluajtshme për pronat në fshat, për regjistrimin e pasurive pas vitit 1991, si dhe ndërtimin e një sistemi digjitalizimi të pasurive të paluajtshme përfshirë hartografinë sipas standardeve europiane. Dua të them që jo vetëm kemi shumë institucione që lëshojnë shumë tituj pronësie, por shumë prej tyre ose të gjitha përdorin hartat e tyre. Pra nuk kemi një hartë të unifikuar dhe ky është shkaku kryesor pse gjenerohen kaq shumë mbivendosje prone, përplasje, të cilat nuk janë mbivendosje terreni por janë mbivendosje letrash dhe hartash të institucioneve tona”, përfundoi ai.

Të dhëna

104 agjenci qendrore nga 141 të analizuara

Shkrirja e institucioneve me funksione të ngjashme

Shkrirja e agjencive me më pak se 10 persona staf. Funksionet e tyre pwrthithen nga agjenci me funksione të ngjashme

Riorganizim në nivel rajonesh

4 Agjenci Rajonale të Sistemit Shëndetësor

4 Drejtori të Sigurisë së Cilësisë së Arsimit Parauniversitar

4 Agjenci Kombëtare të Mjedisit dhe Zonave të Mbrojtura

4 Agjenci Rajonale të Shërbimit Social Shtetëror

4 degë Rajonale të Thesarit (menjëherë pas përfundimit të procesit të dixhitalizmit).

 Skedat

Agjencitë, funksionet që do të kenë

Gazeta ka siguruar skemën e riorganizimit të ministrive dhe agjencive në varësi të tyre, ku shihet qartë reduktimi dhe mbyllja e dhjetëra prej tyre. Më poshtë janë skedat për secilin dikaster dhe funksionet që do të ketë çdo zyrë e reformuar a jo.

Ministria e Bujqësisë

Shkrihen Drejtoritë e Bujqësisë: (funksionet veterinare i kalojnë AKU/ ekstensioni dhe statistikat pranë Bashkive). Shkrihet Inspektorati i Ujërave (funksionet kalojnë tek Inspektorati i Mjedisit dhe Pyjeve). AKU (përqendron kontrollin e veterinarisë dhe kontrollin e ujit të pijshëm, nga Ministria e Shëndetësisë). Krijohet Instituti i Kërkimit të teknologjive (përmbledh QTTB, Agjencinë e duhanit  dhe Entin e farave dhe fidaneve). Agjencitë e Ujit dhe Baseneve i kalojnë Sekretariatit të Ujërave.

Ministria e Financave

Agjencia Kombëtare e të Ardhurave (bashkohet Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve). Shkrihet  Qendra e Trajnimit te Administratws Tatimore dhe Doganore (funksionet kalojnë tek ASPA). Shkojnë drejt rajonalizmit Degët e Thesarit  (pas përfundimit të dixhitalizmit).

Ministria e Shëndetësisë

4Agjenci të Sistemit Shëndetësor Rajonal dhe 11 Drejtori + Autoriteti Rajonal Shëndetësor. Shkrihet Qendra Kombëtare Edukimit në Vazhdim (funksionet kalojnë tek ASPA). Shkrihet Qendra Kombëtare e Biomjekësore (Funksionet delegohen te FSDKSH për programet ne e-health si dhe te spitalet  në lidhje me telemjekësinë).

Ministria e Brendshme

Agjencia e Inventarizimit të Pronave integrohet brenda Agjencisw sw re tw Titujve të Pronësisë). Krijohet Agjencia e Mbrojtjes Civile (përfshin Drejtorinë  e rezervave materiale dhe emergjencat Civile). Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit (kalon te Ministria përgjegjëse për mbrojtjen e territorit).

Ministria e Mirëqenies Sociale

4 Drejtori të Shërbimit Social Shëndetësor nga 12 që janë aktualisht.

Ministria e Arsimit

Krijohet Agjencia e Sigurimit të Cilësisë ne Arsimin parauniversitar  (bashkon funksionet e Institutit të Zhvillimit të Arsimit dhe Inspektoratit të Arsimit). 4 Drejtori të Sigurimit te Cilësisë se Arsimit Parauniversitar VS 13 Drejtori Arsimore Rajonale. Shkrihet  Shtëpia Botuese e Teksteve Shkollore.

Ministria e Ekonomisë

Shkrihet Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë (funksionet i kalojnë Inspektoratit Teknik Shtetëror dhe industrial). Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale integrohet brenda QKB-së. Krijohet Drejtoria e Akreditimit dhe Standardizmit (bashkon funksionet e dy drejtorive të akreditimit dhe standardizmit).

Ministria e Zhvillimit Urban

Krijohet Fondi i Strehimit (shkrihet Enti i Banesave). Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale  (ALUIZNI) integrohet brenda Agjencisë së re të Titujve të Pronësisë.

Ministria e Mjedisit

Krijohet Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Zonave të Mbrojtura  (përthith funksionet e Agjencisë së Mjedisit dhe Agjencisë së Zonave të Mbrojtura). Krijohet Inspektorati Shtetëror i Mjedisit dhe Ujërave  (bashkon funksionet e Inspektoratit të Mjedisit dhe Pyjeve me Inspektoratin e Ujërave).

Derregullimi

Platforma që ngrihet për biznesin

Gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Përgjithshme të PS-së, Arben Ahmetaj prezantoi në funksionin e kreut të grupit të punës për Reformën e Derregulimit, rekomandimet për zbatimin e reformës që konsiston në reduktimin e lejeve, licencave, autorizimeve dhe procedurave, me qëllim uljen e burokracisë dhe rritjen e eficencës së institucioneve. “Synimi është t’i japim fund njëherë e mirë kalvarit të gjatë e të mundimshëm të hapave dhe procedurave që duhet të ndiqen për marrjen e një shërbimi apo të drejte nga shteti. Do të garantojmë që çdo dokument që i kërkohet qytetarit apo sipërmarrjes nga shteti, vet shteti ta sigurojë në një sportel të vetëm dhe në kohë minimale. Dokumenti i Rekomandimeve për Derregulimin përbën një analizë tërësore të numrit të lejeve, licencave, autorizimeve dhe dokumenteve që kërkohen në këtë vend dhe ofron një set me rekomandime për zbatimin praktik të kësaj reforme”, u shpreh Arben Ahmetaj. Sot numërohen rreth 141 autorizime të ndryshme të lëshuara nga 19 institucione qendrore dhe 94 licenca, numrin dhe afatet e përfitimit të të cilave synohet të reduktohen ndjeshëm përmes kësaj reforme. Ahmetaj tha më tej se reforma e derregulimit ka 3 aspekte kryesore: Së pari, reduktimin e numrit aktual të lejeve, licencave dhe autorizimeve. Së dyti, ofrimi i shërbimeve publike në një sportel të vetëm, sipas konceptit “Public Service Hall”. Hapi i parë është hedhur me bashkimin e QKR dhe QKL për krijimin e Qendrës Kombëtare të Biznesit, por edhe rasti i ADISA-s, që ofron një gamë shërbimesh në një qendër unike. Së treti, dixhitalizimi. Pra, ofrimi i shërbimeve publike elektronike, që kërkon vazhdimin e riinxhinerimit të shërbimeve ekzistuese, përdorimin e një platforme për ndërveprimin e sistemeve dhe aksesimin e tyre drejtpërdrejt nga publiku.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat