Rama mban premtimin / Gjiknuri firmos për pezullimin e ‘policisë gri’

Shqipëria

Rama mban premtimin / Gjiknuri firmos për pezullimin e ‘policisë gri’

Më: 15 shtator 2017 Në ora: 11:37
Edi Rama dhe Damian Gjiknuri

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë ka pezulluar kontrollet në rrugë që ushtrohen aktualisht nga ajo që njihet si policia gri dhe që është nën varësinë e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor.

Në argumentin e ministrisë qëndron fakti se kontrollet bëhen në mënyrë të rastësishme duke mos respektuar rregulloren çka vë në rrezik jetën e drejtuesve të mjeteve. Pas ristrukturimit të DPSHTRR pritet që kompetencat për kontrollet në rrugë t’i kalojnë një strukture të vetme siç është Policia Rrugore ndërkohe që pritet të zbardhet edhe çfarë do të ndodhë me njësinë e veçantë.

Pezullimi i policisë gri u paralajmërua më herët edhe nga Kryeministri Edi Rama.
Njoftimi i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë z.Damian Gjiknuri firmosi sot urdhrin për pezullimin e veprimtarisë së ushtrimit të kontrollit në rrugë nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor dhe strukturat e saj të varësisë.

Pezullimi i veprimtarisë së kontrollit në rrugë do të bëhet deri në ristrukturimin e këtij institucioni dhe miratimin e ndryshimeve të nevojshme të Rregullores së Zbatimit të Kodit Rrugor, të miratuar me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr.153, datë07.04.2000, si edhe miratimin e akteve të tjera nënligjore, siç parashikojnë kërkesat e kësaj rregulloreje. Për zbatimin e këtij Urdhri ngarkohet Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor dhe strukturat e saj të varësisë.

Aktualisht, kontrolli në rrugë ushtrohet në vende rastësore nga strukturat përkatëse të Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor edhe pse rregullorja referon që kontrolli ushtrohet në vende të posaçme, të përcaktuara me Udhëzim. Ushtrimi i kontrollit në vende të papërshtatshme paraqet rrezikshmëri, jo vetëm për jetën dhe shëndetin e drejtuesve të mjeteve që qarkullojnë në rrugë, por edhe për atë të kontrollorëve të rrugëve.

Gjithashtu, kontrolli ka shpesh mbivendosje me kontrollin e ushtruar nga organet e tjera të siç janë shërbimet e Policisë Rrugore dhe organet tatimore, duke sjellë shqetësime dhe pengesa në punën e operatorëve të transportit, deri në abuzime ndaj tyre dhe shkelje të sigurisë rrugore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat