'Biznesmeni' shqiptar shkon deri në Marok për tu martuar, përfundon 4 vite në qeli

Shqipëria

'Biznesmeni' shqiptar shkon deri në Marok për tu martuar, përfundon 4 vite në qeli

Më: 16 shtator 2017 Në ora: 07:23
Ilustrim

Shqiptarët vijojnë ende të bëjnë ‘histori’ sa i përket prostitucionit, e për të pasur sa më shumë të ardhura nga kjo veprimtari e jashtëligjshme që shfrytëzon vajzat dhe gratë për të kryer marrëdhënie seksuale kundrejt parave, metodat e mashtrimit janë ‘perfeksionuar’.

Sipas mediave italiane, një shqiptar i cili i ishte prezantuar një vajze nga Maroku si biznesmen i fuqishëm, ka shkuar deri në vendlindjen e saj, për tu martuar me të. Vetëm se jeta që e priste vajzën nga Maroku nuk ishte aspak çka i ishte premtuar nga shqiptari, që në të vërtetë ishte shfrytëzues i vajzave për prostitucion. 

Ai i ka kërkuar marokenes të nisin jetesën bashkë në Itali, ku nuk ka vonuar shumë dhe e ka nxjerrë për të prostituuar në rrugët e Italisë. Mediat shkruajnë se vajza të cilën shqiptari e kishte nxjerrë në ‘punë’ përgjatë rrugës kryesore në komunën “Martinsicuro”, gjeti forcën për t’ia mbathur derisa mbërriti në një qendër strehimi. 

Më pas, bëri kallëzim duke dërguar në gjyq shqiptarin. 40-vjeçari u dënua me 4 vite burgim për nxitje prostitucioni nga Gjykata e Teramos, paraditen e sotme, ndërkohë që mediat italiane nuk e bëjnë të ditur identitetin e tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat