Terrori me banorët, Avokati i Popullit po heton IKMT e policinë

Shqipëria

Terrori me banorët, Avokati i Popullit po heton IKMT e policinë

Më: 17 shtator 2017 Në ora: 07:16
Ilustrim

Institucioni i Avokatit të Popullit ka nisur hetimin administrativ në lidhje me procedimin nga ana e IKMT-së për prishjen e disa ndërtimeve private, në zbatim të një projekti infrastrukturor në Shkozë të Tiranës. Përfaqësues të Avokatit të Popullit kanë ndjekur në terren procedurat që po kryhen nga IKMT dhe Policia e Shtetit në zonën e Shkozës. Gjithashtu nga ana e përfaqësuesve të institucionit është marrë kontakt me qytetarët që preken nga projekti.

Sipas tyre IKMT ka njoftuar para disa ditësh për prishjen e banesave të ndërtuara pas vitit 1991, për të cilat ata kishin kryer vetëdeklarim. ALUIZN-i Tiranë sipas tyre, vetëm para pak ditësh i kishte njoftuar se ndërtimi i tyre nuk do të trajtohej me leje legalizimi. Sipas këtyre personave, janë rreth 150 familje që preken nga prishja e ndërtimeve si rrjedhim i zbatimit të këtij projekti. “Në vijim të informacioneve të mësipërme, nga ana e eksperteve tanë janë hartuar shkresat përkatëse për IKMT-në, ALUIZNI-n dhe ARRSH-në, për të na vënë në dispozicion gjithë dokumentacionin përkatës në lidhje me procedurat që po kryhen në kuadër të këtij projekti me impakt kaq domethënës për qytetarët.

Një çështje tjetër që po ndiqet paralelisht nga një grup i dytë ekspertësh të Institucionit tonë është edhe çështja e shoqërimeve që Policia e Shtetit u ka bërë qytetarëve që nuk ishin dakord me kryerjen e veprimeve nga ana e IKMT-së”, shkruan Avokati i Popullit. Gjithashtu, ekspertët e këtij institucioni kanë ndjekur dhe shqyrtuar procedurat e shoqërimit të disa qytetarëve nga ana e Policisë së Shtetit dhe kanë bërë verifikimet e duhura në lidhje me to. “Sipas konstatimeve tona, 10 qytetarë u shoqëruan në orët e pasdites së djeshme nga Policia e Shtetit. Nga verifikimi ynë, këta qytetarë u mbajtën për rreth tre orë në ambientet e Komisariatit nr. 1 në Tiranë ku janë pyetur në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime.

Për këta shtetas janë përcjellë materiale në Prokurori për procedim penal për veprat “mosbindje ndaj punonjësve të policisë”, “organizim dhe pjesëmarrje në grumbullim e manifestim të paligjshëm” dhe “pengim të qarkullimit të mjeteve të transportit”. Një ndër të proceduarit ishte edhe shtetasi minoren J.M, për të cilin është kërkuar nga ana e përfaqësuesit të Avokatit të Popullit që të trajtohet konform standardeve ndërkombëtare për të drejtat e të miturve.

Qytetari J. M. është marrë në pyetje në prani të avokatit mbrojtës të zgjedhur nga familja dhe psikologut. Këta shtetas janë shoqëruar në komisariat në orën 16:45 dhe janë liruar në orën 19:30 të datës 14.09.2017, pas ndërhyrjes së ekspertit të Avokatit të Popullit”, sqaron institucioni.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat