Banorët e Shkozës te ambasadat: Na ndihmoni!

Shqipëria

Banorët e Shkozës te ambasadat: Na ndihmoni!

Më: 18 shtator 2017 Në ora: 09:57
Pamje nga protesta

Banorët e Shkozës, shtëpitë e të cilëve do të shemben për shkak të zgjerimit të rrugës dhe rehabilitimit të lumit të Lanës kanë marshuar drejt ambasadës së SHBA dhe delegacionit të BE-së. Përmes një letre ata kërkojnë ndihmë. Banorët shohin si zgjidhje ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar pasi i kanë humbur shpresat tek institucionet e shtetit shqiptar. Banorët nuk janë kundër rehabilitimit të Lanës, por ata kërkojnë njohjen e pronësisë dhe garantimin e dëmshpërblimeve. Në rast se institucionet shtetërore nuk gjejnë zgjidhje, ata paralajmërojnë vijimin e protestave. Prej 3 ditësh banorët e Shkozës protestojnë kundër prishjes së banesave të tyre për shkak zgjerimit të rrugës, në kuadër të një projekti të ARRSH-së dhe Ministrisë së Transporteve. Janë 153 familje që preken nga ky projekt.

Letra

Në letrën e dërguar ambasadorëve, banorët thonë se nuk janë informuar zyrtarisht mbi këtë situatë, por informacionin e kanë siguruar privatisht. Ndonëse autoritete vendore i kanë garantuar se do t’u japin mbështetje, ata janë gjendur pa asnjë zgjidhje në momentin kur kanë parë fadromat pranë banesave të tyre më 14 shtator.  “U bënë rreth 9 muaj që ka filluar projekti për rehabilitimin e lumit Lana që kalon pranë banesave tona.

Nga zbatimi i projektit preken 153 banesa duke pasur parasysh se në to banojnë mbi 300 familje, të cilat vetëm para disa ditësh, janë informuar për skualifikimin nga procesi i legalizimit edhe pse kanë aplikuar që nga viti 2006, bazuar mbi ligjet dhe rregullat e shtetit shqiptar, duke shtuar këtu se një pjesë e mirë e banorëve janë të pajisur me leje ndërtimi nga institucionet shtetërore që në vitet 1960-1991 dhe kurrë nuk kanë mundur të marrin certifikatën e pronësisë.

Edhe pse të pa njoftuar zyrtarisht, banorët në mënyrë private kanë mësuar lajmin për prishjen e banesave të tyre të ndërtuara prej vitesh, për këtë arsye është marrë kontakti me autoritetet lokale dhe shtetërore (deputeti i zonës, kryetari i Bashkisë etj.)  nga të cilët na është premtuar se do të ketë një zgjidhje në të mirë të komunitetit. Çfarë ne ende nuk kuptojmë, është privimi i të drejtës tonë për të legalizuar banesat edhe pse kanë kaluar afro 11 vite, ndërkohë që kryeministri nuk kanë lënë asnjë cep të Shqipërisë pa shpërndarë leje legalizimi. Në hartimin e projektit, me të cilin jemi njohur vetëm pak ditë më parë, mendojmë se me dashje është bërë devijimi i rrjedhës normale të lumit, pasi në dijeninë tonë, në krahun e kundërt të lumit Lana do të ndërtohen pallate gjigante nga njerëz me emër dhe poste të rëndësishme.

Në kontaktet me autoritetet e shtetit, na është premtuar se do të ketë një VKM  të posaçme për shpronësimin e banesave që preken nga ky projekt. Por, përkundër të gjitha premtimeve dhe pa asnjë njoftim zyrtar nga ana e shtetit për lirimin e banesave, në datën 14 shtator një lukuni njerëzish me uniforma dhe civilë kanë terrorizuar gra, fëmijë dhe të moshuar. Banorëve u është kërkuar që brenda 2 orëve të largoheshin nga shtëpitë e tyre të ndërtuara me mund dhe sakrifica, në të kundërt do të gjobiteshin për shkelje ligji. Të ndodhur para kësaj situate çnjerëzore, banorët u detyruan të reagonin me një protestë paqësore duke bllokuar rrugën, si mënyra e vetme për të autoritetet dhe opinionin publik.

Në orët e pritjes së një reagimi nga institucionet shtetërore, jemi përballur me kërcënimet e vazhdueshme nga ana e Policisë së Shtetit për të mbyllur protestën. Vetëm pak më vonë kjo protestë degradoi në dhunë fizike dhe psikologjike ndaj grave, fëmijëve dhe të moshuarve. Theksojmë se nxitësi i përshkallëzimit të kësaj situate ishte vetë policia e shtetit, e cila nuk kurseu grushtet dhe shkelmat për të gjithë banorët, duke arritur deri në shoqërimin e minorenëve në Komisariatin nr. 1. Çfarë kërkojmë ne është shumë e thjeshtë, të trajtohemi si qytetarë normale të një vendi që pretendon të futet në BE.

Ajo çfarë na është ofruar në mënyrë joformale deri më tani, kredi e butë dhe banesa me qira, nuk përmbush aspak kërkesat dhe nevojat tona, detyrimin që ka shteti ndaj dhe nuk i përafrohet sadopak premtimeve të bëra. Ne si banorë nuk jemi kundër zhvillimit urban të zonës, por as nuk pranojmë të hidhet poshtë gjithë djersa dhe mundi ynë prej vitesh të tëra. Pasi kemi trokitur në të gjitha dyert e institucioneve shtetërore dhe nuk kemi marrë asnjë zgjidhje, mendojmë se mundësia e vetme për ne është ndërhyrja nga ana juaj. Ndaj, lutemi të përdorni çdo ndikim të mundshëm ndaj autoriteteve shqiptare, në mënyrë që ato të reflektojnë pozitivisht dhe të na japin zgjidhjen e duhur”, thuhet në letër.

Krim!

Kreu i Partisë Demokratike e ka cilësuar një krim të vërtetë nxjerrjen në rrugë të 150 familjeve në Shkozë, banesat e të cilave do të shemben. Përmes një statusi të publikuar në faqen e vet në Facebook, Basha ka kërkuar nga kryeministri Edi rama të mbajë premtimin e dhënë gjatë fushatës, duke i shpronësuar këta banorë sipas vlerës së tregut. “Nxjerrja në rrugë e 153 familjeve në Shkozë, me një të rënë të lapsit, i kalon kufijtë e mashtrimit, dhe është një krim i vërtetë. Në fushate ishte Edi Rama që përmes mashës së tij në Bashki, u premtoi shpronësim sipas tregut. Pasi u mori votën, u thotë do u jap bonus strehimi. Por përtej mashtrimit tipik të Edi Rames, kemi të bëjmë me një krim, se krim është të përmbysësh jetën e 150 familjeve, burrave e grave, fëmijëve e të miturve, të moshuarve. Ka vetëm një mënyrë për të zbutur këtë dramë, shpronësim sipas vlerës së tregut. Ne do ta kërkojmë me ngulm këtë”, shkruan Basha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat