Negociatat me BE-në, Flenckenstein: Kanabisi çështje serioze, duhet punë

Shqipëria

Negociatat me BE-në, Flenckenstein: Kanabisi çështje serioze, duhet punë

Më: 20 shtator 2017 Në ora: 10:05
Knut Fleckenstein

Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein nuk dha një përgjigje të prerë nëse kanabisi është një kusht tjetër që i është vendosur Shqipërisë nga Brukseli për hapjen e negociatave për integrimin. Në një konferencë për mediat e vendit, zyrtari i Brukselit u shpreh se nuk do të ishte e drejtë nëse Shqipërisë, veç pesë prioriteteve që duhet ti përmbushë, ti shtohet edhe një prioritet tjetër që lidhet me rezultatet konkrete të luftës kundër drogës në vend.

Pak javë më parë foli ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë, Romana Vlahutin, e cila ka deklaruar se lufta kundër drogës duhet të këtë rezultat dhe afekton procesin për integrimin e vendit në BE.  Mbi këtë qëndrim të ambasadores, Fleckenstein tha se nuk duhet marrë si kusht i ri i Brukselit për Shqipërinë. Megjithatë, ai shtoi se çështja e kanabisit në vend është serioze dhe veç vullnetit politik për ta luftuar, duhet edhe punë konkrete. “Nuk shoh ndonjë kusht shtesë. Kemi folur gjithnjë për zgjedhjet dhe 5 prioritetet kyçe dhe faktin se ato duhet të zbatohen.

S’do ishte e drejtë të kishte kushte të tjera shtesë për çeljen e negociatave. Shqipëria do të vazhdojë rrugëtimin e saj në Bashkimin Europian dhe në rrugën e reformave dhe që do të përqendrohet në disa fusha, për të bërë më të mirën e mundshme në fushën e krimit të organizuar, korrupsionin dhe për të vënë në zbatim reformën në drejtësi, që nuk është proces i lehtë por do vazhdojë në këtë rrugë.

I jam mirënjohës edhe partnerëve për faktin se me ç’pashë ata janë në një opinion të përbashkët sa i përket reformës zgjedhore, pavarësisht se cili do të jetë rezultati”, tha dje Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, i cili ndodhet në një vizitë dy ditore në Tiranë. Sa i përket çështjes së kanabisit, zyrtari i Brukselit tha se do të pres rezultatin që do të nxjerrin autoritet italiane, që kanë bërë një fotografim nga ajri të territorin shqiptar.

“Do të presim dhe raportin që do të na sjellin kolegët tanë italianë, që në fakt kanë fluturime që bëjnë mbi Shqipërinë dhe do të na tregojnë se cila është situata në vend në sajë të këtyre fluturimeve në Shqipëri. Por është vërtetë çështje serioze dhe ajo që duam të shikojmë ne është jo vetëm vullneti i mirë sa i përket kësaj çështjeje, por edhe që vërtetë do të bëhet punë për të pasur një situatë më të mirë në të ardhmen”, u shpreh Flenckenstein. Ai shtoi gjithashtu se një ekip i Europol do të vijë në vendin tonë. Mbi ecurinë e Shqipërisë për integrimin, Raportuesi u kujdes të mos jepte datë për çeljen e negociatave. “Përgjegjës për çeljen e negociatave në Bruksel është Këshilli dhe jo Parlamenti Europian.

Megjithëse dëshiroj t’ju konfirmoj që ne në PE do të vazhdojmë që të punojmë dhe inkurajojmë të gjithë aktorët, qofshin këta Komisioni Europian apo Këshilli, në mënyrë që negociatat për Shqipërinë të çelen në gjysmën e parë të vitit që vjen. Në qoftë se Shqipëria vazhdon në rrugën e reformave, vendimi do merret në mars ndërkohë që të fillojnë çdo gjë në qershor. Megjithëse nuk është PE që e vendos, por është Këshilli dhe Shqipëria duhet të vazhdojë të punojë shumë siç ka bërë deri më tash dhe pastaj do diskutojmë gjërat e tjera deri sa Shqipëria të bëhet vend anëtar”, tha raportuesi për Shqipërinë në PE.

Kuvendi nis në tetor me Vetting-un

Kryetarët e organeve më të reja të Vettingut prezantuan para Komisionit parlamentar të Ligjeve strukturat e posaçme të Kolegjit të Apelimit, Komisionit të Pavarur të Kualifikimit si dhe Komisionerët Publikë. Fillimi i tetorit është koha kur Parlamenti ka parashikuar të votojë për strukturat e tre organeve të Vetting-ut, pa të cilat ato nuk nisin dot shqyrtimin e dosjeve të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Relatorja socialiste Klotilda Ferhati sugjeroi uljen e numrit prej 185 personash, veçanërisht për organin e komisionerëve publikë. “Edhe për drejtorinë ekonomike e të burimeve njerëzore ju propozoni të keni 25 punonjës.

Nëse i referoheni Avokatit të Popullit, numri i tyre është 13”, deklaroi Ferhati. “Si mundet që 40 për qind e një strukture të tillë, kaq të rëndësishme, ta përbëjë sektori i ndihmës, që do të thotë 25 vetë në 65 janë 40 për qind. S’ka mundësi të ketë 9 shoferë”, replikoi deputeti i PS, Bashkim Fino. Por sipas kryetares së Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Natasha Mulaj nuk ka tërheqje. “Këtu është reduktuar deri aty ku s’mban më. Nuk ka më reduktim për mendimin tonë. Ne jemi pro dhe mbrojmë strukturën, klasifikimin e pagave dhe gjithçka që kemi paraqitur këtu. Nuk ka tërheqje”, theksoi Mulaj. Të tre organet e Vetting-ut do të shqyrtojnë dosjet e rreth 800 njerëzve të drejtësisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat