Haki Çako takim me drejtuesit e Policisë së Elbasanit pas incidentit me makinën e blinduar

Shqipëria

Haki Çako takim me drejtuesit e Policisë së Elbasanit pas incidentit me makinën e blinduar

Më: 21 shtator 2017 Në ora: 11:38
Haki Çako

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Haki Çako ka zhvilluar një takim me drejtuesit e Policisë së Elbasanit pas ngjarjes së tre ditëve më parë, kur automjeti i zv/drejtorit të policisë në Elbasan Gjergj Oshafi është goditur nga një makinë e blinduar.

Tvklan.al mëson se takimi mes Çakos dhe vartësve të tij po zhvillohet me dyer të mbyllura në Drejtorinë e Policisë së Elbasanit.

Incidenti mes disa personave dhe policisë ndodhi mbrëmjen e 18 shtatorit pranë tregut agro-ushqimor në Elbasan. Patrulla e policisë kishte ndaluar një fuoristradë luksoze Range Rover për verifikim.

Në momentin që uniformat blu i kërkuan drejtuesit Kelmend Xhaferri 35 vjeç që të shkonte për verifikim në komisariat, një makinë Audi e blinduar përplasi makinën e policisë, brenda së cilës ndodhej zv/drejtori i policisë së Elbasanit, Oshafi. Pas përplasjes autorët me makinën e blinduar janë futur në ambientet e tregut agro- ushqimor ku edhe kanë humbur gjurmët.

Policia thotë se pas hetimit ka identifikuar dhe shpallur në kërkim autorët e sulmit mbi policinë. Në kërkim u shpall edhe pronari i tregut agro-ushqimor, Petrit Çela si dhe një person i tretë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat