“Lufta” në Elbasan/ Sulmi ndaj policisë, dëshmitë e dyshimta të nëndrejtorit dhe të 12 efektivëve

Shqipëria

“Lufta” në Elbasan/ Sulmi ndaj policisë, dëshmitë e dyshimta të nëndrejtorit dhe të 12 efektivëve

Më: 23 shtator 2017 Në ora: 10:22
Sokol Ç

“Një sms në telefonin e një zyrtari të lartë policie njoftonte se në tunel iu kishte zënë pritë nga dy makina, njëra Range dhe tjetra Audi. Personi që ka çuar sms-në në telefonin e zyrtarit të policisë iu ka prezantuar shkurt duke lënë përshtypjen e një konifidencialiteti mes tij dhe personit-zyrtar policie. Policia është vënë në lëvizje dhe mjetin Range Rover, që ishte denoncuar e ka pikasur duke udhëtuar në krah të kundërt.

Është ndaluar dhe teksa policia dhe djemtë i makinës luksoze po flisnin për emra, aty ka mbërritur edhe Audi i zi, sërish makina ishte e njohur për policinë, pasi personi që ishte ndjerë i frikësuar kishte dhënë detaje edhe për këtë makinë”. Ky është prologu i një ngjarjeje ku janë nxjerrë armë në Elbasan mes policisë dhe një personi që pretendohet që është edhe në krye të një bande kriminale. Në fakt, djali, i cili quhet Suel Çela, që është 29 vjeç, mësohet se është shpallur në kërkim si personi që iu rrezikoi jetën punonjësve të policisë. Ndonëse ende nuk dihet nëse personi në fjalë është pikërisht Sueli, djali i shumëkërkuar i policisë, bëhet me dije se nga dëshmitë e punonjësve të policisë nuk është mësuar ende asnjë detaj i saktë në lidhje me personin që iu ka rrezikuar jetën.

Top Channel,  dje bëri me dije se gjithçka ka nisur nga një sms që ka dërguar shtetasi Sokol Ç. në drejtim të policisë ku edhe ka kërkuar ndihmë. Botojmë një pjesë nga dëshmia e Gjergji Oshafit, numri dy i policisë së Elbasanit i cili ka deponuar në lidhje me gjithçka ka ndodhur në ato momente frike mes tyre dhe një personi që sipas tyre është i rrezikshëm po që ata nuk e njohin. Mirëpo sipas prokurorisë mësohet se asnjë prej punonjësve të policisë nuk ka dhënë të njëjtët elemente identifikues për personin që i ka goditur me mjet. Burimet tregojnë se janë 12 efektiv policie, përfshi edhe zëvendësdrejtorin e polciisë lokale dhe shefin e krimeve, të cilët nuk tregojnë dy policë të njëjtën të dhënë identifikuese për personin. Njëri nga policët mësohet se ka thënë se kishte kapele, tjetri që ishte i moshës 25 vjeç, ndërsa vetë Oshafi ka dhënë një tjetër version! Por tashmë prokuroria ka në duar një video. Ajo pritet të hedh dritë mbi gjithçka ka ndodhur mes palëve.

Rrëfimi referues i Gjergj Oshafit!

“Pasi arritëm mjetin në fjalë i kemi dhënë shenjë të ndalojë përpara tek dera hyrëse e tregut të frutave duke qenë se vendi ishte i ndriçuar dhe mund të ushtronin kontrollin e mjetit. Në këtë moment, pasagjeri i mjetit “Range Rover” i ka bërë rojës së tregut shenjë për të hapur derën duke dashur të futet brenda me mjet dhe pi në atë kohë ai ka dashur t`i dorëzojë rojës radion që mbante në dorë po ne nuk e kemi lejuar pasi kishim zënë rrugën para derës së tregut. Duke qenë se dera e tregut  në këtë kohë ka qenë e zënë nga mjeti i policisë ai e ka ndaluar makinën. Pas ndalimit ne i jemi prezantuar atij si punonjës policie dhe ai është ndaluar në vendin që i kemi thënë ne pa asnjë kundërshtim. Në mjetin e ndaluar për kontroll, përveç drejtuesit të mjetit ka qenë edhe një pasagjer i ulur tek sedilja e parë i cili pas pyetjes tonë tha se quhej Ledio Zabeli dhe në dorë mbante një radio marrëse-dhënëse ndërsa drejtuesi i mjetit është identifikuar si Endri Çopja!

Pak çaste më pas tek vendi ku ishim ne janë afruar pas njoftimit të bërë edhe dy shërbime të tjetra policie, një patrullë e komisariatit dhe një patrullë “Shqiponja”. Këto shërbime kanë mbërritur tek vendi ku ishim ne me qëllim për të na ndihmuar.  Me qëllim verifikimin e numrit të shasisë të mjetet të ndaluar për kontroll në sistemin përkatës si dhe për të ushtruar kontroll më të imtësishëm të tij i kemi kërkuar t personave që ndodheshin në këtë mjet të vinin pas nesh në komisariat për ta ushtruar aty kontrollin. Ata nuk kanë kundërshtuar. Në këtë kohë ne iu kemi thënë personave të ngjiteshin në mjetin e tyre dhe njëkohësisht po futeshim brenda mjeteve tona të shërbimit kam dëgjuar kolegun Henri Ruçi, drejt nesh po vinte me shumë shpejtësi një Audi i zi. Në këtë moment për një fraksion të sekondës automjeti Audi ka goditur makinën e policisë dhe ne menjëherë kemi reaguar duke iu larguar nga mjeti jonë për të shmangur ndonjë dëmtim trupor.

Si pasojë e goditjes nga Audi mjeti i policisë është zhvendosur 90 gradë pasi automjeti vazhdoi të shtynte mjetin e policisë. Në këtë kohë kam fiksuar se dera e hekurit e tregut të frutave e cila deri në atë moment ka qenë e mbyllu u hap me mekanizëm elektrik dhe në ambientet e tregut i cili ishte i rrethuar me hekura ka hyrë me shpejtësi Audi i zi. Sapo Audi ka hyrë brenda tregut ne kemi thirrur me zë të lartë se jemi polica dhe kemi dashur t`i vihemi në ndjekje këtij mjeti. Unë personalisht kam tentuar instinktivisht të nxjerr armën e shërbimit dhe e kam mbajtur në dorë meqë unë dhe kolegët e mi ishim vënë para një sulmi të çastit i cili na ka rrezikuar mua dhe ata por fatmirësisht askush nga ne nuk është dëmtuar.

Në këtë kohë unë kam vënë re se një punonjës i patrullës “Shqiponja” i cili mbante në dorë një automatik model 56 ka bërtitur disa herë me të madhe dukë thënë se ishim policia. Në këtë kohë kam dëgjuar të shtëna armësh por për shkak të këndit të shikimit në atë moment nuk fiksova dot kish ishte punonjësi i policisë që ka shtënë me armë. Me qëllim për të ndjekur Audin që goditi mjetin tonë kemi dashur të futemi brenda treguar por dera sapo ishte mbyllur.

I jemi drejtuar rojës duke i kërkuar së bashku me policët me uniformë të hapte derën me qëllim që ne të ushtronim detyrën tonë. Me gjithë këmbënguljen dhe paralajmërimin që i bëmë rojës së derës dhe i thamë për përgjegjësinë që mbante në rast mos`hapje të saj ai nuk ka pranuar ta hapi derën duke thënë se pa i dhënë urdhër pronari i tij nuk e hapte atë. Në këtë moment unë iu kam dhënë urdhër punonjësve të policisë që një shërbim të bënte shoqërimin në polici të mjetit Range Rover!”

Mesazhi që solli luftën në Elbasan

Në informacionin përcjellë Krimeve të Rënda thuhet se shkaku i ndërhyrjes së policisë, por edhe një telefonatë e bërë specialistit të krimeve që besohet se ka qenë një shtetas me emrin Sokol Ç. Mesazhi i telefonatës ishte ky: “Koli jam. Më ndihmo se në brendësi të tunelit më kanë dalë dy makina dhe më kanë bllokuar rrugën. Është një ‘Range Rover’ dhe një ‘Audi’ me ngjyrë të zezë. Jam i frikësuar!”. Rezulton se telefonata është kryer në orën 16:20 dhe menjëherë i është shpërndarë sallës operative dhe zëvendësdrejtorit të policisë. Disa orë më vonë, sipas dosjes, një shërbim i patrullës “Shqiponja” ka konstatuar pranë tregut agro-ushqimor një makinë “Range Rover” që po udhëtonte në drejtim të kundërt.

Pas ndalimit të këtij mjeti që drejtohej nga Ledio Zabeli, është konstatuar se ai mbante një  radiomarrëse, thotë policia. Në këtë moment, thuhet më tej ka mbërritur një “Audi” i blinduar me xhama të zi që ka goditur makinën e policisë, duke rrezikuar jetën e katër oficerëve të Policisë së Elbasanit. Zëvendësdrejtori, si njëri prej oficerëve që ndodhej në makinë shpjegon: “Si pasojë e goditjes, mjeti i policisë u zhvendos 90 gradë dhe në këtë moment, vura re se dera elektrike e tregut u hap dhe makina hyri brenda. Një oficer i patrullës ‘Shqiponja’ bërtiti ‘ndal, policia’ dhe më pas dëgjova të shtëna nga ana e policisë”.

Po ndërsa policia lokale e përshkruan autorin si një njeri të rrezikshëm që drejton një grup kriminal, të vakëta janë dëshmitë e oficerëve të cilat nuk japin asnjë përshkrim mbi autorin që sipas tyre, ishte i panjohur. Madje, edhe zëvendësdrejtori i policisë nuk ka arritur ta dallojë. “Drejtuesi i mjetit, me sa vura re, ishte rreth 35-40 vjeç, me fytyrë të mbushur dhe kapele rrumbullake”!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat