Vetting-u/ Ja detyrat e tetë vëzhguesve të BE e SHBA

Shqipëria

Vetting-u/ Ja detyrat e tetë vëzhguesve të BE e SHBA

Më: 24 shtator 2017 Në ora: 11:48
Ilustrim

Tetë përfaqësuesit e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, shtatë nga Bashkimi Evropian dhe një nga Shtetet e Bashkuara të Monitorimit, nuk kanë thjeshtë mision për vëzhgimin e procesit të Vetingut.

Tetë ekspertët ndërkombëtarë, me autoritet të padiskutueshëm në fushat e tyre përkatëse, kanë kompetenca me natyrë hetimore.

Përpos monitorimit të procesit, ata mund të mbledhin prova dhe fakte kundër prokurorëve dhe gjyqtarëve, rreth pasurive dhe lidhjeve të tyre të papërshtatshme me segmente të krimit. Vëzhguesit e BE-SHBA për mbikëqyrjen e një prej proceseve më të rëndësishme në 27 vitet e fundit në Shqipëri, kanë akses të pakufizuar në çdo dosje dhe dokument rreth pasurisë dhe veprimtarisë së prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Të gjitha institucionet e shtetit shqiptar janë të detyruar me ligj që të vënë në dispozicion të vëzhguesve çdo dokument dhe të dhënë që atë kërkojnë rrethe transaksioneve, lëvizjeve dhe çdo veprimtarie të njerëzve të drejtësisë. Ata do të japin gjithashtu një opinion për secilin gjyqtar dhe prokuror, nëse duhet apo jo të shërbejë në drejtësinë e re, ndonëse vendimi përfundimtar për secilin subjekt i takon Komisionit të Kualifikimit dhe Kolegjit të Apelimit.

Baza ligjore
Neni 45 i ligjit të Vetingut u jep të drejtë vëzhguesve ndërkombëtarë që të kërkojnë informacion nga çdo subjekt i së drejtës publike.

Për llogari të procesit të Vetingut, vëzhgues ndërkombëtarë do të kenë akses në regjistrin e pasurive të paluajtshme, në regjistrin noterial shqiptar, në llogaritë bankare, në të dhënat tatimore, në të dhënat për hyrje-daljet në kufi, në të dhënat mbi kreditë, të ardhurat, mbi sende të luajtshme ose të paluajtshme dhe në çdo dokument tjetër që i shërben kontrollit.

Ata do të kenë akses mbi ankesat ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, mbi vendimet për masat disiplinore ndaj tyre si dhe në kodet hyrëse të institucionit për aksesimin e plotë të informacionit të nevojshëm.

Vëzhguesit mund të marrin dokumente dhe të dhëna, sidomos për pasuritë e fshehura, edhe nga shtetet e huaja. Vëzhguesit ndërkombëtarë kanë të drejtën të marrin të gjithë informacionet menjëherë, të dhënat për persona dhe dokumentet e nevojshme, me qëllim monitorimin e procesit të rivlerësimit në të gjitha nivelet dhe fazat. Ata kanë të drejtë që të marrin pjesë në të gjitha seancat dëgjimore për gjyqtarët dhe prokurorët, madje edhe t’u drejtojnë pyetjeve këtyre të fundit, nëse kanë dëshirë që të përgjigjen.

Dosjet e pasurive
Dosjet e pasurive të të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve, të dorëzuara pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, do të kalojnë në vëzhguesve ndërkombëtar. Pika 3 e nenit 33 të ligjit të Vetingut, e detyron ILDKP që t’u mundësojë akses të plotë prokurorëve dhe gjyqtarëve të huaj, që të që të kërkojnë informacione, të konsultojnë, të kopjojnë dhe të hetojnë deklarimet e pasurive të paraqitura7 90 prokurorë dhe gjyqtarë.

Vëzhguesit e huaj do të sekuestrojnë për llogari të hetimeve të tyre, të gjithë dokumentacionin ligjor që kanë paraqitur prokurorët dhe gjyqtarët, për justifikimin e pasurive të deklaruara.

Paraqitja e provave
Vëzhguesi kanë po ashtu të drejtë të kërkojë që Komisioni ose Kolegji i Apelimit të marrë në shqyrtim prova ose të paraqesë prova të marra nga organet shtetërore, entitetet e huaja ose personat privatë, pro ose kundra gjyqtarëve dhe prokurorëve. Gjetja, e paraqitur në formën e një deklarate, dokumenti ose raporti të dhënë nga vëzhguesi ndërkombëtar përbën provë që dëshmon një fakt, rrethanë ose standard ligjor, i cili ekziston ose ka ndodhur. Gjetja parashtron rrethanat për konstatimin e bërë. Komisioni ose Kolegji i Apelimit e çmon gjetjen si të barasvlershme me mendimin e dhënë nga një ekspert. Refuzimi i gjetjes bëhet me vendim të arsyetuar të Komisionit ose të Kolegjit të Apelimit. Një mendim me shkrim i dhënë nga vëzhguesit ndërkombëtarë konsiderohet një përfundim i dhënë për një rrethanë konkrete gjatë procesit të rivlerësimit ose që rezulton nga faktet në çështje të veçanta. Mendimi mund të ndikojë në vendimmarrjen e Komisionit ose të Kolegjit të Apelimit, por nuk ka vlerën e provës. Refuzimi i kërkesës së vëzhguesit ndërkombëtar për të marrë prova bëhet me vendim të arsyetuar të Komisionit ose të Kolegjit të Apelimit, duke argumentuar shkaqet e refuzimit.

Të gjitha dokumentet që do të administrohen nga vëzhguesit ndërkombëtar
Deklaratat e pasurisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Akses regjistrin e pasurive të paluajtshme dhe regjistri noterial shqiptar.

Akses në llogaritë bankare, të dhënat tatimore, bazat e të dhënave mbi automjetet, të dhënat për hyrje-daljet në kufi.

Të dhënat mbi kreditë, çeqet e udhëtimit, çeqet bankare, urdhërpagesat, të gjitha llojet e titujve, mandatpagesat dhe letrat e kreditit, si dhe çdo interes, dividend, e ardhur ose vlerë tjetër që buron prej tyre.

Të dhënat mbi marrëdhënie të mundshme biznesi, veprimtari tregtare ose veprimtari të tjera profesionale.

Të dhënat që provojnë ekzistencën e parave fizike ose mjeteve ose instrumenteve të tjera të tregut të parasë.

Certifikatat e depozitave, kartat e debitit ose të kreditit, kartat elektronike të pagesave, titujt, si dhe çdo dokument tjetër.

Të dhënat që provojnë ekzistencën e trusteve ose marrëveshjeve të tjera të ngjashme.

Raportet e vlerësimit të aftësive profesionale gjatë kohës që ka punuar gjyqtari dhe prokurori.

Deklarata nga subjekti i rivlerësimit, nga dëshmitarët, ekspertët dhe publiku.

Dokumente të tjera shkresore, të marra nëpërmjet mjeteve fotografike, të regjistrimit ose mjeteve të tjera teknike.

Të këqyrë dhe të kontrollojë sende të luajtshme ose të paluajtshme.

Dosjet e zgjedhura për vlerësim, vetëvlerësimet, mendimet e eprorëve dhe të dhënat mbi trajnimet.

Të dhëna mbi ankesat ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve si mbi vendimet për masat disiplinore ndaj tyre.

Kodet hyrëse të institucionit për aksesimin e plotë të informacionit të nevojshëm për verifikim.

Faktet e njohura botërisht si dhe faktet e prezumuara nga ligji.

Dokumentet dhe të dhënat e marra nga burimet e shteteve të tjera.

Akses të plotë në të gjitha të dhënat, pranë Prokurorisë së Posaçme.

Dokumente për gjendjen gjyqësore të subjekteve të rivlerësimit.

Dosjet personale të subjekteve të rivlerësimit, të dhënat statistikore, dokumentet ligjore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat