Koço Kokëdhima poston foton ikonë dhe akuzon qeverinë e Ramës

Shqipëria

Koço Kokëdhima poston foton ikonë dhe akuzon qeverinë e Ramës

Më: 24 shtator 2017 Në ora: 13:37
Kryetari i Zgjidhja, Koço Kokëdhima

Kryetari i Zgjidhja, Koço Kokëdhima, postoi një foto-ikonë të shkrepur 11 vite më parë, për të bërë një akuzë të rëndë ndaj qeverisë së Ramës se po sillet me shqiptarët si pushtues dhe jo si kryeministër i një qeverie të përgjegjshme dhe njerëzore.

“Edhe një njeri i vetëm mund të përballet me brutalitetin e qeverisë! Kur shoh këtë foto mendja më shkon tek Shkoza, Transballkanikja Vlorë, Stacioni i trenit Tiranë, populli i Dhërmiut, Himarës dhe të gjitha rastet e shumta të shqiptarëve që Rama ju ka prishur shtëpitë dhe i ka nxjerrë në qiell të hapur, pa i paguar dhe pa ju dhënë strehë tjetër!”-shkruan Kokëdhima në profilin e tij në “Facebook”, duke risjellë foton që fitoi çmimin Pulitzer dhe që paraqet një vajzë të re, të vetme përballë dhjetra forcave policore, duke u përpjekur t’i pengojë për të shkatërruar disa shtëpi.

Paralelizmi që bën kryetari i Zgjidhja është një akuzë e rëndë për qeverinë e Ramës e cila prej 4 vitesh ka prishur me qindra ndërtime me dhe pa leje, duke lënë mes katër rrugëve, dhe pa asnjë shpërblim me mijëra shtetas të braktisur nga instancat shtetërore. Foto që përdori Kokëdhima për të akuzuar Ramën është bërë ikonë prej një dekade. Ajo paraqet një studente, Nilin, që ishte pjesë e protestuesve në Ramallahun Perëndimor, në Paletstinë, kundër ushtrisë izraelite që po tenton të shkatërrojë shtëpitë e palestinezëve. Foto e shkrepur nga fotografja izraelite, Oded Balilty u shpërnda rrufeshëm nëpër botë më 2006-ën dhe u quajt “turpërimi i Izraelit”.

Zgjidhja është shprehur kundër prishjeve brutale dhe pa dëmshpërblim për banorët dhe ka kërkuar legalizim dhe kompensim me çmimin e tregut, ndërsa Rama, si në rastin e Shkozës, i ka injoruar kërkesat dhe ka vijuar me shkatërrimet.

Image
Fotografia e publikuar
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat