Furnizimi me energji, Gjiknuri: Situata drejt stabilizimit, më pak importe

Shqipëria

Furnizimi me energji, Gjiknuri: Situata drejt stabilizimit, më pak importe

Më: 25 shtator 2017 Në ora: 14:36
Gjiknuri

Rikthimi i reshjeve do të ulë sasinë e importit të energjisë elektrike duke përgjysmuar sasinë për tetorin. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri gjatë inspektimit të investimeve u shpreh se tashmë situata po shkon drejt stabilizimit, ndërsa sqaroi se situata e krijuar gjatë stinës së verës nuk rëndoi në buxhet.

Shirat e vjeshtës po çojnë drejt stabilizimit prodhimin e enrgjisë në vend, ku përgjatë muajve të verës në vend u ul ndjeshëm prodhimi për shkak të thatësirës së tejzgjatur.

Gjatë inspektimit të një investimi në zonën e Laprakës ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri u shpreh se tashmë pritet që të mos ketë më probleme përsa i përket furnizimit me energji.

Gjiknuri: “Është pjesë e një plani për rivitalizimin e të gjithë infrastrukturës energjitike në gjithë Shqipërinë. Kjo po vazhdon pavarësisht situatave të vështira financiare që ka patur Operatori i Shpërndarjes për shkak të krizës energjitike. Suksesi i reformës në energji u provua, me këtë test që kaloi sistemi, përballoi importe deri në 90 milion euro pa shkundur financat e shtetit. Të mos harrojmë se dikur, kur kishte krizë energjitike e thatësirë, financat e shtetit shkundeshin dhe pengohej çdo lloj investimi tjetër. Përkundrazi, OSHEE ka qenë në gjendje ti përballojë këto me të ardhurat e veta, me një mbështetje minimale e të programuar nga Buxheti i Shtetit. Në çdo rast vendi nuk duhet të mbetet pa energji por siç e thashë, treguesi i suksesit të reformës bëri të mundur që kompania të sigurojë furnizimin me energji, të importojë edhe pse në kushte të vështira e me çmime të larta për shkak të thatësirës e mungesës së prodhimit në gjithë Ballkanin. Ka qenë e planifikuar që në fillim të vitit një garanci e mbështetje prej 3 miliard lekësh për sektorin energjitik. Klima po përmirësohet dhe besoj se pjesa më e madhe e rrezikut është tejkaluar. Në kushtet që jemi, edhe me mbështetjen në bazë të aktit normativ, situata do jetë e stabilizuar dhe nuk do kemi problem me importin e furnizimin”

Administratori i OSHEE Adrian Çela u shpreh se investimet do të ndikojnë në përmirësimin e furnizmit me energji elektrike të zonës.

Çela: Janë 20 kilometra kabëll i ri, janë rreth 28 kabina të reja. Ky investim pasohet edhe nga një tjetër për fidrin 356 që do të kapë gjithë pjesën e mbetur të Don Boskos dhe Bregun e Lumit. Brenda këtij viti, kjo zonë do të ketë një linjë të re shpërndarjeje brenda standardeve. Nuk është investimi i fundit që po kryejmë në Tiranë me fondet e OSHEE. Dua të falënderoj të gjithë abonentët, jo vetëm në qytetin e Tiranës por në mbarë Shqipërinë që vazhdojnë ti përgjigjen pagesës së faturave. Ritmi i arkëtimeve është në nivele të kënaqshme dhe kjo po u kthehet qytetarëve me investime.

Nga investimi që po kryhet në zonën e Laprakës pritet të përfitojnë më shumë se 10 mijë abonentë që pritet të përfitojnë një furnizim më të qëndrueshëm e cilësor me energji.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat