PS-ja u heq personelin dhe fondet organeve të Vettingut

Shqipëria

PS-ja u heq personelin dhe fondet organeve të Vettingut

Më: 26 shtator 2017 Në ora: 08:41
Komisioni i ligjeve

Mbështetja deklarative e Partisë Socialiste për strukturat e Vettingut nuk po përkthehet edhe në akte, përkundrazi. Komisioni i Ligjeve miratoi dje strukturat për organet e Vettingut, numrin e personelit dhe pagat e punonjësve, jo si ata propozuan, por siç maxhoranca kishte vendosur.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimeve, Kolegji i Apelimit dhe Komisioneri Publik kishin kërkuar që qeveria t’u miratonte një numër punonjësish prej 180 personash gjithsej. Por në vendimin e djeshëm që u mor në Komision, maxhoranca gati e përgjysmoi këtë numër, duke e çuar në gjithsej 113. Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim u shprehën kundër shkurtimit në staf, duke deklaruar se kjo është një manovër për të mbajtur nën ndikim strukturat që supozohet se do të pastrojnë gjyqësorin nga elementët korruptiv. Kundër PS-së votoi edhe Saimir Tahiri.

Ish-ministri votoi vetëm për personelin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimeve, ndërsa për dy strukturat e tjera ai bojkotoi votimin, pasi siç u shpreh gjatë diskutimeve, këtyre organeve u duhej dhënë e gjithë mbështetja financiare dhe me personelin që ata kërkonin. Ndërkaq, shqetësimin e opozitës e deklaruan edhe vetë drejtuesit e organeve të Vettingut. Natasha Mulaj, kryetarja e Kolegjit të Apelimit deklaroi para deputetëve se ishte kundër shkurtimit, duke thënë se në këtë mënyrë ekzekutivi po cenon pavarësinë e institucioneve. Mbledhja e Komisionit të Ligjeve zgjati disa orë dhe u shoqërua me debate.

Debati në Komisionin e Ligjeve

Genta Bungo (kryetare e Komisionit të Pavarur të Kualifikimeve): Në emër të kolegëve dua të them që do të ishim shumë të lumtur të kishim atë strukturë por meqë ne jemi shumë të qartë për çfarë jemi zgjedhur, për çfarë ju na keni votuar, jemi shumë dashamirës të nisim menjëherë punën dhe nuk do të donim më shumë vonesa.

Natasha Mulaj (kryetare e Kolegjit të Apelimit): Ne jemi institucion që propozojmë dhe mos na u merrni me shoferë dhe me magazinierë, ju lutem shumë se janë gjëra… Ne kemi propozuar një strukturë dhe jemi mbështetur në ligj që e keni krijuar ju vetë, jo ne. Ne e kemi reduktuar aq sa nuk mundemi më ta reduktojmë personelin e Kolegjit të Apelimit. Ne nuk duam luks. Ne duam strukturë që të jetë procesi më efikas. Po e reduktuat dhe e çuat në këtë numër strukturën e Kolegjit të Apelimit (37) unë mendoj se ju po cenoni pavarësinë, ju po cenoni procesin efikas të punës së Kolegjit të Apelimit. Është normale, jemi të gjithë koshientë çfarë kërkohet në ligj, çfarë kërkohet këtu dhe çfarë keni sjellë ju.

Mua më vjen çudi që të merrmi me këtë punë. Populli i ka sytë tek ne. Edhe një gjë. Po bëjmë katër muaj që rrimë në një zyrë të gjithë. Kolegji i Apelimit rri në një zyrë tek Pallati i Kongreseve. Gjithë verën zyra jonë ka qëndruar e hapur, kanë ardhur gjithë ata persona që bëjnë denoncime. Se si e kanë gjetur zyrën mua më habisnin, aq fluks denoncimesh ka sa ju nuk e imagjinoni dot. Ne me këtë ligj të ri jemi futur në një rrugë, në një proces duke luftuar një sëmundje, do të thoja në mënyrë figurative, që është kanceri i shoqërisë, i shtetit shqiptar, që është korrupsioni. Ju me ç’të drejtë më keni vënë përcaktimin e pagës së gjyqtarëve dhe kryetarit? Ku është kjo bazë ligjore? Mendoj që me këtë vendim, çdo procesverbal këtu, çdo e dhënë këtu është e pavlefshme. Unë jam gjyqtare dhe i njoh shumë mirë rregullat.

Florian Ballhysa (Komisionari publik): Nga një shikim që i kemi bërë projektstrukturës shohim që ka një shkurtim prej 50 për qind të personelit që është kërkuar nga ana jonë. Na është shkurtuar muskuli i këtij organi, nga 12 këshilltarë juristë dhe ekonomistë, keni arritur në 6.

Saimir Tahiri: Ju e kuptoni se ne ju duam apo jo? Po kthehet në garë kush ju do më shumë.

Eduard Halimi: Edhe Shullazi bënte garë kush e donte më shumë.

Saimir Tahiri: Unë si deputet dhe bashkë me kolegët një herë në vit do ju takojmë juve. Nuk kemi ne asnjë kompetencë të marrim ndonjë raport prej jush për atë që bëni, vetëm kur bëhet buxheti. Mua nuk më intereson sa njerëz do të merrni ju në punë por sa do të hiqni ju nga puna. Nuk dua që të dëgjoj apo të mësoj që ju do të fshiheni pas vendimmarrjes sonë dhe do të justifikoheni për atë që nuk do të arrini të bëni dot. Nuk dua që nesër të ndodh që të thoni nuk arritëm të bënim dot punë se Parlamenti na la pa buxhet apo këshilltarë.

Enkelejd Alibeaj: Çfarë rreziku keni ju në punën tuaj?! Ose presion politik, o presion korruptiv. O presion qeveritar sepse ai është kryesori ose presion paraje. Çfarë anti-trupash keni ju ndaj presionit korruptiv? Pse mos ju krijojmë juve kushte të tilla që çdo lloj tentative korrupsioni të mos arrijnë tek ju? Ky vend nuk mund të pranojë më eksperimente. Ne sot jemi të prirut që t’ju krijojmë maksimumin e kushteve. Kjo na bën nder të gjithëve ne. Nuk mund të jemi të shtrenjtë në krunde, e të lirë në miell.

Vasilika Hysi: Kërkohet që një komisioner publik të marrë 10 milionë lekë të vjetra në muaj; 9 milionë lëkë për zonjën Bungo dhe stafin, këshilltarët kërkojnë të marrin 80 për qind të pagës së komisionerit publik, por jo me këtë shtesë, por 3 milionë lekë; ndërsa Kolegji i Apelimit një pagë kërkon 11 milionë lekë të vjetra për person në muaj.

Gent Strazimiri: Ne kemi ngritur një strukturë anti-mafie këtu sepse supozohet që këta zotërinj bashkë me stafin e tyre dhe me gjithë rrisqet që do marrin përsipër do të shkojnë tek thelbi i mafias që ka mbytur këtë vend. Të marrim e të flasim se sa kushton puna e tyre, ata e dinë sa iu dhëmbë shpirti që të merren me këtë punë. Ke ngritur një strukturë dhe u kërkon anëtarëve që të kalojnë detin në këmbë.

Eduard Halimi:Vasilika mos u nxeh e mos bërtit kot. Prano atë për të cilën kemi rënë dakord një vit më përpara kur ke miratuar ndryshimet kushtetuese për ti dhënë atyre të drejtën që ti propozojnë ata strukturën, nivelin e pagave të punonjësve, të propozojnë edhe shtesën për vështirësitë. Është e drejtë e tyre. Mos u nxjerr kot dhe mos gënje.

Oerd Bylykbashi: Sa më shumë zgjatë procesi i Vettingut; sa më shumë zgjatë koha se kur fillon e kur mbaron ky proces, aq më të varur dhe nën presion nga ata që shtynë nga pas, që është ekzekutivi, mbetet sistemi i drejtësisë. Pra, sa më shumë kapacitet dhe burime financiare të keni ju aq më shpejtë ecën kjo punë dhe aq më të pavarur do të jeni.

Ulsi Manja: Nuk është e thënë se çfarë kërkohet, edhe të merret. E rëndësishme është që Kuvendi i Shqipërisë të mos cenojë funksionimin normal të këtyre institucioneve shumë të rëndësishme të shtetit shqiptar.

Edmond Panariti: Unë jam totalisht pro akordimit të gjithë mbështetjes së duhur me strukturë, me mbështetje me personel, madje jam i pritur që ne duhet ti mbështetim ndoshta edhe në mënyrë më bujare nga sa ata kanë kërkuar për arsye se nuk besoj se është racionale tashmë ne të diskutojmë për një strukturë që duhet të ketë të gjithë mbështetjen integrale me infrastrukturë, me personel, për të çuar përpara këtë proces madhor, nga i cili ka një pritshmëri shumë të lartë nga të gjithë ne. Unë do të isha i prirur që të mbështesë edhe kërkesat që erdhën nga kolegët të tjetër të opozitës për të mbështetur edhe më shumë këto struktura.

Bashkim Fino: Nëse këta të krahut tim këtej, (deputetët e LSI dhe PD-së) komunikojnë vesh më vesh apo iu vijnë informacionet nga zyrat e tyre dhe duhet të thonë edhe dy llafe më shumë, të mbështesin PD-në ta kishin bërë më përpara, kur kishte kohë boll për të diskutuar, nuk mund ta bëjnë kur të duan.

Edmond Panariti: Ne nuk mund t’ia mbyllim fjalën njeri-tjetrit. Procesi nuk mund të ngelet peng i disa kufizimeve apo presupozohet kursimeve që u dashkan bërë për një komision kur ndërkohë kemi një shtet i cili është i stërmbushur me struktura, me personel ndoshta jo të nevojshëm dhe ne nuk mundet tashmë të kufizojmë një strukturë të tillë nga kërkesat të cilat u argumentuan këtu.

“Personeli i Vettingut”

Komisioneri Publik kërkoi 52 punonjës, maxhoranca miratoi vetëm 26

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit kërkoi 68 punonjës, maxhoranca miratoi vetëm 50

Kolegji i Apelimit kërkoi 65 punonjës, qeveria miratoi vetëm 37

Personeli i ONM-së

Personeli vëzhgues ndërkombëtar përbëhet nga 40 persona gjithsej

8 juristë, 7 të vendeve të BE-së, 1 nga SHBA

11 kërkues dhe analizues

12-18 përkthyer, numër jo përfundimtar

Pjesa tjetër e stafit do të përbëhet nga roje sigurie dhe ekspertë IT-je

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat