Strukturat e rivlerësimit, miratohet varianti i shumicës

Shqipëria

Strukturat e rivlerësimit, miratohet varianti i shumicës

Më: 30 shtator 2017 Në ora: 00:45
Kuvendi i Shqipërisë

Në Shqipëri parlamenti votoi në orët e para të mëngjesit të sotëm për strukturën e institucioneve të cilat janë ngarkuar për realizimin e procesit të rivlerësimit të mbi 800 gjyqtarëve dhe prokurorëve të vendit. Falë votave të saj shumica e majtë kaloi variantin e cili parashikon një personel ndjeshëm të reduktuar në numër krahasuar me kërkesat e paraqitura nga vetë drejtuesit e këtyre institucioneve. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Kolegji i Posaçëm i Apelimit dhe institucioni i Komisionerit Publik, të cilët përbëhen gjithsej nga 27 anëtarë, kishin kërkuar që në total të kishin një personel mbështetës prej 185 punonjësish. Por struktura e miratuar parashikon vetëm 110 të tillë.

Opozita, si Partia Demokratikë ashtu dhe Lëvizja socialiste për Integrim e kundërshtuan qëndrimin e socialistëve dhe propozuan amendamente të posaçme të cilat ishin në një linjë me kërkesat e institucioneve të rivlerësimit. Të dyja palët akuzuan drejtuesit e shumicës se “përmes trysnisë financiare, po synon të vërë nën kontroll sistemin e Drejtesisë”. Sipas tyre procesi i rivlerësimit, hallka kyçe e të gjithë Reformës në Drejtësi po rrezikohet seriozisht, pasi “pavarësia dhe efikasiteti i institucioneve janë të kërcënuara”. Përfaqësuesit si të PD-ës ashtu dhe të LSI-së i kujtuan kryeministrit se vetëm Këshilli i MInistrave ka sipas tyre një organikë prej mbi 640 personash

Zoti Rama hodhi poshtë akuzat se po synon kontrollin e procesit, duke deklaruar se struktura e institucioneve të rivlerësimit është rishikuar në kuadër të riorganizimit të të gjithë administratës publike. “Ndryshimet që janë bërë nuk kanë eliminuar asnjë funksion, por kanë reduktuar staf të tepërt, të kotë, të paarsyetuar”, tha zoti Rama duke shtuar se “padyshim, në varësi të ngarkesës së punës, në varësi të ecurisë së punës, në varësi të çfarë puna do të sjellë, ne këtu jemi dhe mjafton të na provohet nevoja për më shumë staf dhe padyshim do të konsiderohet prioritet”.

Përsa i përket debatit për pagesën mujore të anëtarëve të 3 institucioneve, socialistët saktësuan se një gjë e tillë është e parashikuar në ligj, sipas tw cilit ata do të trajtohen me të njejtin nivel page si anëtarët e Gjykatës së Lartë apo Gjykatës Kushtetuese.

Parlamenti votoi gjithashtu në favor të Dekretit të ish presidentit Bujar Nishani i cili vitin e shkuar kishte kthyer pas ligjin për importin e mbetjeve urbane për qëllime riciklimi. Ashtu siç dhe kishin paralajmëruar socialistët u tërhoqën nga nisma e tyre e cila vitin e shkuar provokoi jo pak debate. Partia Demokratike ndërkohë këmbënguli se ajo nga ana e saj do të çojë në parlament kërkesën për organizimin e një referendum që do të ndalonte përfundimisht importin e mbetjeve urbane “në mënyrë që kryeministri Rama të mos mund t’i rikthehet kësaj çështjeje”, deklaroi kryetari i grupit parlamentar demokrat Edmond Spaho./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat