Policia krenohet edhe me Elbasanin: Bllokuam 50 milionë euro pasuri

Shqipëria

Policia krenohet edhe me Elbasanin: Bllokuam 50 milionë euro pasuri

Më: 2 tetor 2017 Në ora: 10:07
Ilustrim

“Vjeshta” e këtij viti nisi me një operacion që sipas policisë do të jetë edhe një prej operacioneve që do të grumbullojë më shumë asete, ndërsa janë sekuestruar një sërë pasurish të të shënjestruarve. Ndërkohë që operacioni sipas policisë ka një muaj që është në vijim, Elbasani, teksa pretendohej t`i nënshtrohej këtij operacioni nxori në pah dy skandale të njëpasnjëshme kriminale, ku jo vetëm që nuk mund të bllokoheshin dot mjetet luksoze, por madje nuk bëhej dot e mundur as të ndalohej personi që sulmonte policinë. E pavarësisht përplasjeve të dhunshme mes palëve në këtë qytet, përplasje që solli edhe përplasje politike dhe institucionale, është sërish policia që vijon të publikojë të dhëna të suksesshme për operacionet e veta, tani pas në Elbasan doli në pah publikisht ajo që në fakt dihet prej më shumë se një dekade se institucionet e drejtësisë sprapsen nga krimi i organizuar i këtij qyteti!

Vlera e operacioneve 

Në vetëm një muaj që nga nisja e operacionit “Vjeshtë 2017”, për goditjen e grupeve dhe aseteve kriminale, Policia e Shtetit ka referuar materiale në Prokurori për hetime pasurore për 44 raste, nga të cilat 40 janë dërguar në Prokurorinë për Krimet e Rënda, e 4 referime në prokuroritë e Rretheve Gjyqësore Berat, Tiranë e Fier. Sipas burimeve bëhet fjalë për pasuri, që nëse do të sekuestrohen e më pas konfiskohen, vlera financiare mund të kalojë shifrën e 50 milionë eurove.  Sipas të dhënave mësohet se janë një sërë pasuri të dyshuara që janë evidentuar. Në listën e drejtuesve të operacionit renditen 79 apartamente banimi dhe vila, 25 njësi tregtare, 84 automjete, një pallat 11-katësh, dy anije peshkimi, si dhe rreth 54 mijë metra katrorë sipërfaqe toke.

Në vetëm një rast në qytetin e Lezhës, gjykata ka aprovuar kërkesën e prokurorisë, pas referimit të saj, duke sekuestruar pasuri në vlerën e 670 mijë eurove të një individi me të shkuar kriminale në disa vende të Bashkimit Europian. Operacioni “Vjeshtë 2017” nuk ka një afat të paracaktuar, thonë burime nga policia, ndaj pritet që të vijojë deri në fund të vitit dhe synon të arrijë shifra rekord në historinë e viteve të fundit, sa i takon vlerës së pasurive të sekuestruara. Por, problem mbetet hallka tjetër, konfiskimi përfundimtar i aseteve për llogari të shtetit. Nga eksperienca e viteve të fundit, në shumicën e rasteve, si pasojë e zvarritjes së proceseve, por edhe manovrave ligjore, individëve iu kthehen pronat, pasi nuk arrihet të vërtetohet burimi kriminal.

Shkodra dhe Berati

Në Berat policia ngriti postblloqe të shumta në hyrje dhe në dalje të qytetit, për të verifikuar të gjitha automjetet luksoze të dyshuara si të trafikuara. Burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Berat bënë me dije se deri tani janë shoqëruar në polici 12 automjete luksoze. Këto mjete po verifikohen nga inspektorët e krimit të organizuar për të vërtetuar nëse janë të vjedhura apo jo, si dhe për të vërtetuar mundësinë financiare të blerjes së tyre nga pronarët. Të njëjtat burime konfirmojnë se aksioni do të vijojë në të gjitha akset e qytetit, derisa të verifikohet çdo automjet që qarkullon në Berat. Ndërkohë në Shkodër, rreth 2300 m2 pasuri e paluajtshme dhe 4 automjetet u sekuestruan nga policia.

Dy godina u bllokuan në lagjen “Ajasëm” në Shkodër, në të cilat prodhoheshin produkte ushqimore false. Blutë e Shkodrës sekuestruan edhe një magazinë ku ruheshin pijet e prodhuara dhe 4 automjete në përdorim të subjektit tregtar “Briland”.  Kohë më parë Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe RENEA ishin në Elbasan, Vlorë, Fier dhe Tiranë ku ndaluan dhjetëra persona me shkelje, si dhe të dyshuar për përfshirje në veprimtari kriminale. Aksioni i gjerë nisi pas një incidenti me Policinë në Elbasan, ku një Audi i blinduar goditi makinën e nëndrejtorit të policisë, teksa ai bashkë me dy patrulla po shoqëronin një automjet luksoz për kontroll.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat