I vunë tritol për herë të dytë, pronarja e dyqanit habit hetuesit e policisë

Shqipëria

I vunë tritol për herë të dytë, pronarja e dyqanit habit hetuesit e policisë

Më: 5 tetor 2017 Në ora: 09:47
Bruneta Aliaj (Meço)

Një 56-vjeçare, makina e së cilës u hodh në erë 6 muaj më parë në Tiranë, është kërcënuar sërish po me eksploziv.

Kësaj here tritoli nuk ka shpërthyer, si në rastin ku i shkatërroi makinën, por është përdorur si formë presioni, brenda një pakoje të vendosur në derën e dyqanit të saj.

Pakoja e dyshimtë u konstatua dje në orën 10:37 nga e dëmtuara Bruneta Aliaj (Meço), e vendosur pranë derës së dyqanit të saj të rrobave, që ndodhet në rrugën “Petro Nini”, te “Tregu Elektrik”.

Menjëherë në vendngjarje mbërritën forcat e Policisë së kryeqytetit që rrethuan zonën, duke vendosur fillimisht perimetrin e sigurisë. Pasi kryen verifikimet e nevojshme, forcat xhenierie kanë konstatuar se në pako kishte lëndë eksplozive dhe kanë nisur veprimet për ta çaktivizuar.

Burimet thanë se kallëpi i tritolit me fitil zjarrpërcjellës ishte vendosur në derën e dyqanit, por fatmirësisht nuk ishte ndezur për të realizuar shpërthimin. Për këtë arsye, të njëjtat burime shpjegojnë se pakoja me lëndë plasëse është vendosur aty në formë presioni ndaj 56-vjeçares, e cila si në rastin e parë, edhe dje ka deklaruar se nuk ka probleme me askënd.

SHPËRTHIMI NË MAKINË

Shpërthimi që ndodhi më 1 maj, në një makinë të parkuar pranë Prokurorisë së Përgjithshme në Tiranë, dyshohet të jetë pasojë e një konflikti të mbartur nga divorci, i pronares së automjetit.

Të paktën vetë ajo ka pohuar në Polici se i vetmi konflikt që ka pasur ka qenë ai me ish-bashkëshortin, para dhe pas divorcit, dhe se nuk ka pasur asnjë problem tjetër. Për këtë arsye, Policia e Tiranës shoqëroi në atë kohë në cilësinë e të dyshuarit ish-bashkëshortin e tregtares Bruneta Aliaj (Meço), së cilës i vendosën eksploziv në makinë. Edmond Meço, ish-bashkëshorti i 56-vjeçares, është mbajtur disa orë në Polici, por pasi ka dhënë deklarime, është lënë sërish i lirë.

Burimet thanë se nuk ka të dhëna apo prova konkrete që ky person të jetë autor i ngjarjes. Prej disa vitesh, Bruneta Aliaj jeton e vetme në një pallat pranë Prokurorisë së Përgjithshme në Tiranë, ku ndodhi edhe shpërthimi në makinën e saj.

Ajo është nënë e dy fëmijëve, një vajze që është e martuar dhe e një djali 27-vjeçar, që jeton në Britaninë e Madhe prej disa vitesh. Ajo ka deklaruar se është divorcuar nga i shoqi prej më shumë se 5 vitesh dhe, sipas saj, përveç mosmarrëveshjeve që ka pasur me të, nuk ka probleme me persona të tjerë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat