Vendimi: Si u la i lirë i dyshuari si pronar i 5 tonëve hashash

Shqipëria

Vendimi: Si u la i lirë i dyshuari si pronar i 5 tonëve hashash

Më: 11 tetor 2017 Në ora: 09:51
Operacioni i Policisë

Droga u kap në banesën e vëllait të Rakip Arapaj, që sipas Prokurorisë së Vlorës është vetëm 7 metra larg banesës së tij. Vëllai i të dyshuarit kishte vdekur prej kohësh.

Gjykata e Vlorës ka liruar një të arrestuar për mbi 5 tonë drogë, tre muaj pasi policia sekuestroi në fshatin Llakatund një sasi rekord prej 15 tonë hashash. Bëhet fjalë për Rakip Arapajn, 58 vjeç, i cili nga arrest në burg është lënë nga gjyqtari Arqile Basho me masën e sigurimit personal “garanci pasurore” prej 1 milion lekësh, si dhe ndalimin për mos të dalë nga Shqipëria deri në përfundim të hetimeve.

Apelimi

Prokuroria, sipas burimeve të TCH, ka vendosur që të apelojë vendimin, përderisa Arapaj është i dyshuari kryesor si pronar i drogës. Sipas Prokurorisë së Vlorës, Rakip Arapaj jeton në një banesë që është 7 metra larg një objekti të braktisur ku u gjet droga, një ndërtesë kjo që ka oborr dhe portë të përbashkët me shtëpinë e të dyshuarit. Por pronari i shtëpisë së braktisur është vëllai i të dyshuarit që ka ndërruar jetë prej kohësh e për këtë nuk dihet se si 5 tonë drogë u magazinuan. Më herët dy gjykata, ajo e Shkalles së Parë dhe të Apelit vlerësuan të ligjshëm arrestimin e 58-vjeçarit me argumentin se objekti i braktisur ka të njëjtin rrethim me banesën e të dyshuarit kryesor.

Ngjarja sipas gjykatës

Ja si e përshkruan Gjykata vendngjarjen: “Policia gjyqësore i ka kërkuar shtetasit Rakip Arapaj të hapte banesën e mbyllur, shtetasi ka deklaruar se banesa nuk është në pronësi të tij, por të vëllait të tij që ka vdekur dhe ai që nga vdekja e vëllait nuk ka hyrë në banesë”. Por nga ana e saj, Prokuroria këmbëngul se objekti banohej përderisa përveç 5200 kilogramëve hashash të depozituar, dy armëve kallashnikov dhe 2 litra e gjysmë vaj hashashi, janë sekuestruar edhe pesë filxhanë kafeje, te të cilët nuk janë zbuluar gjurmë gishtash. Prokuroria këmbëngul se është e pamundur të transportohej ngarkesa e konsiderueshme pa dijeninë e të dyshuarit. Megjithatë, Gjykata vlerëson se afër shtëpisë së Arapajt ka edhe shtëpi të tjera. “Nuk janë kryer nga ana e akuzës marrja e deklarimeve edhe për persona të tjerë që kanë banesat në të njëjtën afërsi”.

Operacioni

Më 14 korrik të këtij viti gjatë një operacioni të gjerë policor në Llakatund të Vlorës u kapën 15 tonë drogë dhe u arrestuan 9 veta, mes të cilëve 2 ishin policë. Gjatë operacionit të policisë ku ishin përfshirë 150 forca të FNSH dhe policive të Vlorës e Fierit sasia e drogës u kap në disa banesa. Në pranga u vunë inspektori i policisë Lirim Lamaj, inspektori i policisë Avdyl Sinanaj, Astrit Lamaj (vëllai i Lirim Lamajt), Balil Gjata, Myzafer Tushaj, Rakip Arapaj, Elvir Tushaj Kudret Tushaj dhe Elion Tafili. Në dhënien e masës së arrestit u la i lirë inspektori i policisë Avdyl Sinanaj, ndërsa të kapurit e tjerë u lanë në burg. Gjatë atij operacioni policia raportonte se janë kapur edhe sekuestruar 5 armë zjarri automatik kallashnikov.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat