Studime në SHBA, flet ekspertja: Ja hapat që duhet të ndiqni për të fituar bursë

Shqipëria

Studime në SHBA, flet ekspertja: Ja hapat që duhet të ndiqni për të fituar bursë

Më: 11 tetor 2017 Në ora: 11:48
Ilustrim

Shtetet e Bashkuara kanë hapur aplikimet për të gjithë ata që duan të vazhdojnë studimet në një prej universiteteve amerikane.

Në një njoftim të publikuar në faqen e saj zyrtare, Ambasada Amerikane jep orientimet për të gjithë të interesuarit, dhe rekomandon maturantët e studentët që të drejtohen në Qendrën Informative të Arsimit Amerikan në Shqipëri. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Aida Hudhri, këshilluese edukative në këtë qendër, tregon se numri i studentëve shqiptarë që studiojnë në Amerikë është në rritje nga viti në vit. Gjithashtu, ajo vendos theksin mbi hapat që duhet të ndjekin aplikantët për të fituar të drejtën e studimit në një universitet amerikan. Kjo qendër, sipas këshillueses, ofron informacion falas për të gjithë të interesuarit dhe i orienton mbi përzgjedhjen e institucionit më të përshtatshëm. Madje, instruktorët i ndihmojnë aplikantët edhe me formulimin e kërkesave për mbështetje financiare.

Kush mund të aplikojë për të studiuar në SHBA?

Çdo vit, një numër i konsiderueshëm maturantësh dhe studentësh nga Shqipëria kërkojnë të ndjekin studimet Bachelor dhe Master në USA. Në këto universitete mund të aplikojë çdo i interesuar që përmbush kriteret e pranimit të vendosura nga vetë institucioni i arsimit të lartë ku do të vazhdojë studimet, si dhe theksoj se nuk ka një kriter moshe të përcaktuar për të aplikuar.

Cilat janë kriteret e vendosura?

Secili universitet apo kolegj i vendos vetë kriteret e pranimit dhe afatet e aplikimit. Prandaj ne themi që hapi i parë është përzgjedhja e universitetit, për të ditur çdo informacion në lidhje me këtë të fundit. Aplikantët duhet të njohin paraprakisht kriteret e pranimit për fusha të ndryshme studimi.

A është i përcaktuar numri për studentët që pranohen brenda një viti në universitetet e SHBA?

Jo, nuk ka një numër të caktuar studentësh nga Shqipëria që pranohen brenda një viti në universitetet apo kolegjet amerikane. Por vlen të nënvizoj faktin që, numri i studentëve shqiptarë që studiojnë në Amerikë është në rritje çdo vit.

Për cilat degë mund të aplikojnë maturantët apo studentët?

Të gjithë të interesuarit mund të aplikojnë në të gjitha degët. Ndërkohë, drejtësia dhe mjekësia janë dy nga degët që kanë një rrugëtim ndryshe nga Shqipëria. Qendra jonë është e pajisur me një bibliotekë të pasur me libra dhe CD, sipas fushave më parësore të arsimimit. Aktualisht, Qendra Informative e Arsimit Amerikan në Shqipëri, ka rreth 300 libra të fushave të ndryshme, si në: Arkitekturë, Biologji, Mjekësi, Farmaci, Inxhinieri, Marrëdhënie Ndërkombëtare, Drejtësi, Ekonomi, Telekomunikim, Psikologji, Punë Sociale, Sport etj. që u vijnë në ndihmë aplikantëve.

Në momentin që një student fiton të drejtën për të studiuar në një universitet në Amerikë, a ka tarifa studimi?

Normalisht që ka tarifa studimi, që përfshijnë taksën e shkollës dhe koston e jetesës. Këto tarifa përcaktohen nga universiteti apo kolegji përkatës.

A ofrohen bursa studimi?

Po! Shumë universitete ofrojnë bursa të pjesshme apo të plota. Shumë studentë shqiptarë kanë arritur të fitojnë bursa në Amerikë. Instruktorët pranë qendrës sonë i informojnë aplikantët mbi mbështetjen financiare apo mundësitë  e bursimit. Madje i ndihmojmë edhe në formulimin e hartimin e kërkesave për mbështetje financiare. Faqja zyrtare në internet përjavësohet me mundësi të ndryshme bursash studimi si dhe njoftimesh të tjera të rëndësishme.

Cili është misioni i qendrës suaj?

Tashmë, të gjithë të interesuarit që dëshirojnë të studiojnë në SHBA, kanë në dispozicion të tyre një Qendër Informative të Arsimit Amerikan, ku mund të marrin informacione pa pagesë. Këshilluesit pranë qendrave informative kanë përvojën dhe kualifikimin e duhur lidhur me arsimin e lartë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Biblioteka e qendrës disponon edhe libra përgatitorë për testimin e gjuhës angleze, TOEFL, PEARSON si dhe libra për testimin e njohurive në ACT, GRE, LSAT, SAT, GMAT, të shoqëruar me CD-të përkatëse. Ne u mundësojmë të interesuarve edhe orientim për testet, e informim mbi jetën sociale dhe kulturore në USA.

Cilët janë hapat që studentët duhet të ndjekin për të aplikuar?

Instruktorët tanë i orientojnë dhe qartësojnë aplikantët, që të ndjekin në mënyrë vijuese hapat e duhur, të cilët do të përmblidheshin në 5 të tillë. Së pari, të interesuarit duhet të shqyrtojnë alternativën më të mirë për arsimim, e më tej të përfundojnë dokumentacionin për aplikim. Pas kësaj aplikantët duhet të financojnë studimet duke aplikuar për bursë, e më tej duke aplikuar për vizë studenti. Pas plotësimit të hapave të pikave të mësipërme, studentët duhet të përgatisin udhëtimin për në USA. Instruktorët pranë Qendrës i ndihmojnë të interesuarit edhe në formulimin dhe hartimin e: Curriculum Vitae, letrës së motivimit, letrave të rekomandimit, eseve.

Çfarë është Education USA?

EducationUSA është një rrjet prej 500 qendrash informative në të gjithë botën, ku miliona studentë të vendeve të ndryshme marrin informacion të detajuar dhe të përditësuar për mënyrën e aplikimit dhe shkollimit në kolegjet dhe universitetet amerikane. Ky rrjet i qendrave informative gëzon mbështetjen e plotë të Zyrës për Edukim dhe Çështjet Kulturore të Departamentit të Shtetit Amerikan. EducationUSA Albania financohet nga Ambasada Amerikane në Shqipëri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat