Përjashtohet deputeti opozitar, acarohen marrëdhëniet pozitë-opozitë - Bota Sot
Përjashtohet deputeti opozitar, acarohen marrëdhëniet pozitë-opozitë

Shqipëria

E shtunë, 16 dhjetor 2017

Përjashtohet deputeti opozitar, acarohen marrëdhëniet pozitë-opozitë

Më: 12 tetor 2017 Në ora: 21:19
Rama dhe Basha

Byroja e parlamentit vendosi në mbrëmje të përjashtojë për 10 ditë nga punimet e seancave plenare deputetin e Partisë Demokratike, Flamur Noka pas incidentit të sotëm në seancë.

Vendimi u mor me 5 vota pro dhe 3 kundër pas kërkesës së deputetëve socialistë.

Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ashpërsuan sërish tonet e deklaratave kundër njëri-tjetrit të enjten pasdite, ndërsa në parlamentin e ndërprerë nga polemikat ka ardhur për miratim ngritja e një komisioni për reformën zgjedhore.

Seanca plenare e mbrëmjes u shty në mëngjes prej këmbënguljes së deputetit opozitar Flamur Noka për të mos lëshuar sallën e parlamentit pas përjashtimit nga drejtuesi i seancës për shkelje të rregullores.

Zoti Rama tha në oborrin e parlamentit tha se opozita po shkel rregulloren në emër të lirisë dhe po shfrytëzon lirinë e rregullores për të çuar përpara axhendën e vet.

“Jemi në sallën e Kuvendit, nuk jemi në çadër. Është rihapur çadra, është rivënë pllaka e gramafonit të parazgjedhjeve, të cilën shqiptarët e thyen më 25 qershor. Ka filluar një proces vetëpengues i opozitës, që kërkon debat dhe nuk bën debat, kërkon diskutim dhe bllokon foltoren, kërkon hapësirë për çështje që i duken asaj në interesin parësor dhe pastaj nuk i jep vetes mundësinë që të diskutojë. Është një opozitë pa kokë, pa vizion, pa program, pa skuadër, pa përgjegjësi” - tha zoti Rama.

Por kryetari i Partsë Demokratike të opozitës Lulzim Basha tha se me urdhër të kryeministrit Rama shkelja e rregullores u kthye në normë nga Gramoz Ruçi, sepse i tremben debatit për të vërtetat tronditëse të jetës së shqiptarëve.

“Ata nuk lejojnë debatin mbi çështjet më të rënda të qytetarëve shqiptarë, që kanë të bëjnë me zgjedhjet dhe dhunimin e tyre, si edhe me ngjarjet kriminale, që mbuluar Shqipërinë dhe lidhjen e drejtpërdrejtë e personale të Edi Ramës me bandat që sot sundojnë qytetet, që janë jashtë kontrollit të Policisë” - tha zoti Basha.

Ai tha se shumica e shqiptarëve duan të largohen, sepse qeverisen nga një qeveri ilegjitime, që e sollën bandat dhe jo votat, ndaj shkelin ligjin dhe rëndojnë të varfërin.

Ndërsa për zotin Rama opozita nuk ka vullnet për të ndërtuar një alternativë dhe po kthehet në çadër, duke rifolur për përplasje.

“Iu ka mbirë krimi në gjuhë, në buzë, në gojë, në bark, iu ka mbirë krimi në sy. Thonë “Krimi! Droga!”, sepse nuk kanë asnjë ide a program” - tha ai.

Por zoti Basha tha se parlamenti është mbushur me kukulla në duart e krimit dhe mafias, dhe se opozita do t’u tregojë shqiptarëve me fakte, lidhjet personale të Edi Ramës me krimin e organizuar shqiptar.

“Ky është fundi i parlamentit, t'i mbyllësh gojën opozitës. Kjo nuk mund të ndodhë dhe asgjesimi i debatit parlamentar do të çojë në krizën më të rrezikshme të demokracisë në 27 vite. Ne duam me çdo kusht që ta evitojmë këtë krizë. Ne duam me çdo kusht t'i evitojmë shqiptarëve dhe Shqipërisë koston e një përplasje” - tha ai.

Si rrallë ndonjëherë, seanca e radhës në parlament nis herët në mëngjes, me një axhendë të ngjeshur dhe me një polemikë të ndezur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test