Kuvendi, 1 minutë heshtje për nder të Dritan Priftit

Shqipëria

Kuvendi, 1 minutë heshtje për nder të Dritan Priftit

Më: 13 tetor 2017 Në ora: 09:45
Dritan Prifti

Seanca e sotme plenare ka nisur me një minutë në nderim të kujtimit të ish-ministrit Dritan Prifti, i cili u nda nga jeta pasditen e djeshme pas një sëmundje të rëndë gjaku.

Ndërsa mësohet se sot do të mbahen homazhe te Muzeu Kombëtar nga ora 10:00 deri në 12:00, ndërkohë që trupi i pajetë i ish-ministrit do të përcillet për në banesën e fundit në Shish-Tufinë. Bëhet e ditur se varrimi i Priftit do të zhvillohet në orën 13:00.

Edhe pas operacioneve të kryer kohëve të fundit, Prifti nuk ka mundur ‘të fitojë’ ndaj kësaj sëmundje.

Prifti ishte deputet në Kuvendin e Shqipërisë nga viti 2001 deri në vitin 2013, ndërkohë që nga 2009 deri në 2010 mbajti edhe postin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë. Ai u shkëput para disa kohësh nga angazhimet zyrtare por asnjëherë nuk hoqi dorë nga politika.

Edhe në postimin e fundit të bërë prej tij në rrjetin social “Facebook” pak ditë para zgjedhjeve ai shkruan po për politikën, edhe pse thekson se çfarëdo gjëje që thotë tashmë nuk e bën me entuziazëm.

Prifti ka ndarë mendimin e tij për dhënien e votës, duke mbështetur në një farë mënyre Partinë Socialiste.

Ai shkruante se: “Në Fier unë do votoja Partinë Socialiste sepse i njoh kandidatët dhe socialistët janë superior. Numri 9 dhe 10 në listën e PS që mund të jenë në vendet e rrezikuara janë 2 persona që e meritojnë më shumë se çdokush të jenë në Parlament. Gramoz Ruçin e njoh për më shumë se 30 vjet si një shok i mirë i babait tim”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat