Miratohet Komisioni për Reformën Zgjedhore me 18 anëtarë

Shqipëria

Miratohet Komisioni për Reformën Zgjedhore me 18 anëtarë

Më: 14 tetor 2017 Në ora: 10:15
Pandeli Majko

Përdorimi i kriminelëve për të mbledhur vota e për të fituar zgjedhjet nuk është një histori gallate që përsëritet shumë nga opozita në Parlament. Këtë pohim e ka bërë dje ministri për Diasporën, Pandeli Majko gjatë diskutimit në Parlament për reformën zgjedhore. Pas shtyrjes së seancës së të enjtes, dje salla e Parlamentit nuk u tensionua si më parë dhe për pasojë u diskutua edhe për çështjet e rendit të ditës. Qëndrimin më të papritur e ka deklaruar ministri socialist, Pandeli Majko duke dhënë me zë dhe figurë atë që ka mohuar gjithmonë lidershipi i Partisë Socialiste mbi përdorimin e kriminelëve për të mbledhur vota dhe për shit-blerjen e votave. Majko tha se përdorimi i të fortëve nga politika për të mbledhur vota është një problematikë serioze dhe duhet pranuar ashtu siç është. Ai dha edhe një shembull personal se si ndikojnë të fortët në zgjedhje.

Po ashtu, Majko tregoi orientimin e kriminelëve. Siç pohoi ai, nuk zgjedh politika kriminelin, por është ky i fundit që zgjedh partinë ku do të shkojë. “Nëse është i vërtetë ky diskutim, nëse ju (PD) keni marrë 200 mijë vota më pak për arsyet tuaja që i diskutoni apo kjo ka ndodhur sepse krimi i organizuar, mafia, droga, paratë e kanabis sattiva që është trafikuar në Shqipëri kanë ndikuar tek këto 200 mijë vota; o është njëra, o është tjetra. O jeni viktimë ose ka ndodhur diçka tjetër. Dhe mendoj se në këtë pikë ia vlen të qëndrojmë nëse doni ta bëjmë diskutimin nga pikëpamja se çfarë ka ndodhur në Shqipëri dhe se çfarë ka bërë krimi i organizuar në Shqipëri. Po e them që në krye të herës: krimi i organizuar, ai që është tani krimi i kristalizuar në Shqipëri nuk është as me PS-në dhe as me PD-në.

Nuk i zgjedhim ne, na zgjedhin ata! Besoj se kaq gjë e kuptojmë për ta thënë hapur dhe kjo ndodh jo në mënyrë të organizuar, kjo ndodh në zona të caktuara të Shqipërisë. Më ka ndodhur edhe mua që më kanë thënë duhet të shkosh në filan vend, të pish kafe me filanin. Nuk kam pranuar. Kur janë numëruar kutitë e kam ndjerë gropën dhe kam thënë çfarë është ajo gropa atje ku ne kemi dalë gjithmonë shumë mirë. E dini çfarë më kanë thënë? Është ajo kafja që nuk e pive shef, ma kanë thënë. Këto dhe elementë të tjerë të cilat ne i themi me zë të ulët apo me zë të lartë në kafe apo jashtë kësaj salle janë të vërtetat të cilat ne duhet t’i mirëkuptojmë dhe t’i shikojmë se çfarë po ndodh me realitetin dhe qytetari të mos e shikoj këtë histori që zhvillohet në Kuvendin tonë si histori gallate”, deklaroi ministri Majko. Shit-blerja e votës po ashtu u pranua nga ministri socialist si një fenomen.

“Nëse do të flasim me logjikën nëse blihen votat në Shqipëri unë hyj tek njerëzit që e kam përsëritur dhe do të vazhdoj ta përsëris: Po, në Shqipëri është krijuar një shtresë njerëzish që shesin votën dhe ia shesin atij që i jep më shumë. Nuk ka rëndësi, i majtë apo i djathtë. Kjo nuk ka ndodhur katër muaj përpara, kjo ka ndodhur edhe në zgjedhjet e mëparshme”, u shpreh ai. Tek këto dy problematika u ndalën gjatë edhe deputetët demokratë, të cilët cituan dy paragrafë të raportit final të OSBE/ODIHR për përdorimin e kriminelëve dhe për shit-blerjen e votës. Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku tha se, politika i ka shkuar vazhdimisht qytetarëve dhe u ka kërkuar që të shesin votën kundrejt ofertave, si drita, legalizime etj. “E dëgjova me vëmendje zotin Majko, që tha ekziston një klasë, një kategori njerëzish që shesin votën. Po, o zoti Majko, ekziston, sepse ekziston një kategori politikanësh që kërkojnë ta blejnë votën.

Nuk ekzistojnë njerëzit automatikisht vetvetiu që na kërkojnë neve që të shesin votën por i ka mësuar politika ata që të shesin votën, i ka shkuar politika dhe i ka kërkuar sistematikisht; votën ose dritat, votën ose legalizimin, votën ose lekët kushdo që ka qenë në pushtet”, tha Tabaku, duke pranuar në këtë mënyrë që edhe PD-ja ka përdorur paratë për mbledhje votash. Edhe për përdorimin e krimit Tabaku tha se është përdorur edhe më parë. “Në fakt është mëse e vërtetë që krimi dhe politika nuk është se kanë qenë fortë të distancuara edhe më parë dhe nuk po them që ky fenomen lindi sot, në 2017. Ka pasur forca politike që në ’97, mbas ’97-ës që kanë kërkuar që të qeverisin me krimin, ashtu siç ka pasur dhe forca politike në 2005-ën që gjithë këto kriminelë i futën pas hekurave, që janë njohur në çdo raport ndërkombëtar, që kanë marrë meritën dhe janë vlerësuar me liberalizimin e vizave, me hyrjen në NATO, etj dhe qartësisht ka një ndryshim ndërmjet atyre që i burgosin kriminelët dhe ndërmjet atyre që i marrin kriminelët për të qeverisur”, u shpreh deputetja e PD-së.

Presionet mbi punonjësit në privat

Bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Zgjedhore, Oerd Bylykbashi u shpreh për një problematikë tjetër lidhur me zgjedhjet e 25 qershorit të këtij viti. Në foltoren e Parlamentit, Bylykbashi tha se, ka pasur edhe presion edhe tek punonjësit e bizneseve private për votën e tyre. “U kërcënuan dhe punonjësit në privat për vendin e punës”, tha deputeti i PD-së. Po ashtu, Bylykbashi u shpreh për problematikën e shit-blerjes së votës, ndërsa tha se raporti i OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 2017-ës ishte edhe më i keq se ai i vitit 2001. “Ky është raporti më i keq që nga viti 2001 që ODHIR-i ka nxjerr për zgjedhjet në Shqipëri. Keni dhënë me koncesion shit-blerjen e votës, nuk merrni nga krimi për të blerë vota por ma zgjidhni këtë problem sepse ta zgjidh sa të vij në pushtet tani cakton dhe përfaqësuesit në Parlament, nuk kemi më kriminelët këtu. Ashtu si edhe para katër vjetësh, në tetor 2013, edhe sot në këtë sallë, ka vend vetëm për ata që zgjidhen ose për ata që blejnë vota për t’u zgjedhur. Për të dyja palët nuk ka vend. Nëse duhet të fillojë dekriminalizimi i zgjedhjeve, ashtu qoftë!”, tha ai, duke shtuar se, “Duhen të merren masa të forta për të zgjidhur problemin e vazhdueshëm të shit-blerjes së votës. Është problem i vazhdueshëm, kërkohen masa të forta”, tha Bylykbashi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat