E denoncoi Lulzim Basha, kush është Renato Çami, sponsorizuesi i PS-së që rrëmbeu një person

Shqipëria

E denoncoi Lulzim Basha, kush është Renato Çami, sponsorizuesi i PS-së që rrëmbeu një person

Më: 15 tetor 2017 Në ora: 23:21
Lulzim Basha

Ngjarja e denoncuar sot nga kreu i opozitës, Lulzim Basha, sipas Policisë së Shtetit nuk është mbajtur e fshehtë, por është referuar edhe në Prokurorinë e Fierit dhe hetimet janë në vazhdim për identifikimin e autorëve.

Policia e Shtetit deklaron se ngjarja është publikuar në faqen zyrtare të Policisë në internet, asp.gov.al. Përmes këtij njoftimi, Policia thotë se ka informuar opinionin për ngjarjen e ndodhur më 2 tetor të këtij viti, që ishte denoncuar në Polici të nesërmen nga i dëmtuari.

Në lidhje me këtë rast, është regjistruar procedim penal për veprën penale “heqje e paligjshme e lirisë” dhe Policia thotë se po punohet për identifikimin e autorëve. Sipas Policisë, një shtetas 20-vjeçar, me inicialet F.L., ka kallëzuar në Seksionin Kundër Krimeve ndaj Personit në Policinë e Fierit se, më datë 2 tetor, është rrahur nga disa persona dhe është mbajtur disa orë në një banesë në lagjen “1 Maji”.

Burime nga Policia thanë se i dëmtuari nuk ka dhënë asnjë emër personi të dyshuar, por ka bërë vetëm përshkrim fizik, sipërfaqësor, duke pretenduar se nuk i njihte autorët. Por nga ana tjetër, kreu i opozitës, që i referohet denoncimit të bërë nga një punonjës i Policisë së Fierit, deklaron se autori i kësaj ngjarjeje është shtetasi Renato Çami dhe sipas tij, Policia nuk ka ndërhyrë.

Renato Çami, emri i vërtetë i të cilit është Renato Saliu, është konsideruar vazhdimisht si eksponent krimi në qytetin e Fierit. Ndërsa krahu i djathtë i tij është konsideruar shtetasi Gramoz Yzeiri, i cili deri në vitin 2009, ku u ekstradua nga Amerika, konsiderohej si një person me rrezikshmëri të lartë dhe ishte një ndër më të kërkuarit e drejtësisë shqiptare. Gramoz Yzeiri, nga lagjja Sheq i Madh i Fierit, njihej si person me precedentë të shumtë penalë. Rezultonte i skeduar në listat e personave të shpallur në kërkim që nga viti 2003, i kërkuar për vrasjen e Xheladin Qelisë, ngjarje e ndodhur në vitin 1998, në qendër të qytetit të Fierit.

Për këtë ngjarje u dyshua si i implikuar edhe Renato Çami, madje kishte dyshime se vrasjen e kryen në bashkëpunim. Sipas Policisë, Gramoz Yzeiri, së bashku me Renato Saliun, kanë ndaluar shtetasin Xheladin Qelia, i cili ka qenë duke udhëtuar me një motor së bashku me një person tjetër, me inicialet Sh.J. Autorët nën kërcënimin e armëve, pasi kanë ndaluar viktimën dhe personin që e shoqëronte, kanë qëlluar me breshëri automatiku mbi shtetasin Xheladin Qelia, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Pas kryerjes se krimit, Yzeiri dhe Çami janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes.

POLICIA

“Më datë 03.10.2017 u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier, për veprën penale ‘Heqje të paligjshme të lirisë’, parashikuar nga neni 110/2 i Kodit Penal, si dhe po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, pasi më datë 03.10.2017 është paraqitur dhe ka bërë kallëzim shtetasi F.L., 20 vjeç, banues në fshatin Petovë Fier, se më datë 02.10.2017, në lagjen ‘1 Maj’, Fier, është rrahur nga disa persona dhe është mbajtur peng për disa orë në një banesë”.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat