Rama: Vitin e ardhshëm do të regjistrojmë votuesit emigrantë

Shqipëria

Rama: Vitin e ardhshëm do të regjistrojmë votuesit emigrantë

Më: 16 tetor 2017 Në ora: 12:08
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se duke filluar nga viti i ardhshëm, qeveria shqiptare do të nisë të regjistrojë votuesit e saj të cilët ndodhet jashtë kufijve të Shqipërisë.

Lajmi u bë i ditur gjatë mbledhjes së organizuar në kryesinë e kuvendit, ku është duke u prezantuar platforma për diasporën shqiptare. Në mbledhje kanë marrë pjesë përfaqësues të LSI-së, ndërsa nga ana tjetër, deputetët e PD-së nuk janë paraqitur.

“Vitin e ardhshëm jemi të gatshëm të kryejmë regjistrimin, viti i cili përkon me atë të Skënderbeut, por në të gjitha rastet është një detyrë që ne e kemi marrë përsipër. Jemi të angazhuar që ta garantojmë vitin e ardhshëm në masën më të madhe.”-tha Rama.

Ndërsa, Rama nuk ka nguruar për të falënderuar edhe përfaqësueset e LSI-së për interesin që ata kanë pasur lidhur me këtë çështje.

“Ministri ka bërë të mundur që në këtë tryezë të gjendet sot një dokument i rëndësishëm si pikënisje që ta çojmë përpara dhe ta mbyllim me sukses regjistrimin e plotë të të gjithë shqiptarëve ku ata jetojnë. Dua të falënderoj përfaqësuesit e LSI dhe nuk është sekret që me të njëjtën gatishmëri dhe sens të interesit të përbashkët të kishim këtu dhe përfaqësuesit e opozitës kryesore, PD, sepse kjo është një temë që s’ka qasje as majtas as djathtas, por qasje unifikuese kombëtare. Falënderoj përfaqësuesit e vendeve partnere që janë këtu dhe kam besim që eksperienca e shumëllojshme dhe e pasur e vendeve të përfaqësuara është një burim, që ne mund ta shfrytëzojmë në funksion të këtij procesi”, tha Rama.

Pjesë e kësaj tryeze ishte edhe deputeti i LSI-së, Shezai Rrokaj, i cili ka vlerësuar dokumentin në fjalë, duke u shprehur se është më i ploti që është hartuar deri më tani.

“Më duhet të pohoj se është një dokument shumë i rëndësishëm dhe më duhet të komplimentoj ministrin dhe stafin që e ka punuar. Është më i plotë se çdo dokument tjetër që kemi patur deri më tani.”, -tha Rrokaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat