Misteret e vrasjes në Lushnje, ende pa emër autori i tretë

Shqipëria

Misteret e vrasjes në Lushnje, ende pa emër autori i tretë

Më: 16 tetor 2017 Në ora: 15:29
Pamje nga video

Dy nga autorët e masakrës me dy të vrarë në Lushnje janë ende në kërkim, por hetuesit kanë shumë enigma. 

Në një kohë që nuk është identifikuar autori i tretë, grupi hetimor nuk ka gjetur as pronarin e vërtetë të makinës tip benz që u përdor në masakër dhe më pas u shkrumbua.  

Sipas prokurorisë së Lushnjes, targa e automjetit të djegur që u gjet në afërsi të fshatit Cukaj, në një rrugë dytësore, nuk korrespondon me shasinë, çka hedh dyshime se mund të jetë vendosur targë fallco. Por në të njëjtën kohë numri i shasisë së Benzit është tepër i dëmtuar. 

Një orë pas ngjarjes së datës 11 tetor, policia zbuloi mjetin në flakë, kurse në brendësi të tij tre kallashnikovë. Që prej asaj dite, policia vazhdon kontrolle në gjithë territorin e vendit për kapjen e dy personave të shpallur në kërkim; Laert Haxhiut dhe Orgest Bilbilit. 

Prokuroria nuk konfirmon asnjë pistë të re, apo dëshmi që të çojë në identifikimin e autorit të tretë të ngjarjes. Ditën e shtunë në mbrëmje, ministri i brendshëm Fatmir Xhafa bëri një vizitë të papritur në komisariatin e Lushnjës dhe kërkoi zbardhjen urgjente të ngjarjes dhe arrestimin e autorëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat