I kthyer në mollë sherri mes Shqipërisë dhe Francës, të kërkuarit si trafikant droge Domart Konjari autoritetet e kanë të vështirë t’i gjejnë adresën e shtëpisë.
Prej një viti 44-vjeçari po ia del mbanë të jetojë në arrati, ndërsa policia, e cila duhet të vërë në dijeni të afërmit për nisjen e gjykimit kundër tij, nuk po i gjen dot as shtëpinë.
Sipas zyrtarëve të komisariatit numër 4, Konjari prej 5 vitesh nuk jeton më në këtë zonë e për këtë duhet të kërkojë komisariati numër 1. Gjykata urdhëroi rikërkimin e adresës në mënyrë që të ezaurohet njoftimi, përderisa ky është një ndër kushtet e ndryshimeve për gjykimin në mungesë.
Domart Konjari u arrestua rastësisht duke lënë Shqipërinë fundvitin e 2015-s me një pasaportë false, ndërkohë që rezultoi se ai ishte në kërkim nga Franca si trafikant i një rrjeti që shiste kokainë e heroinë në Marsejë.
Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda e mbajti vetëm një muaj në paraburgim të dyshuarin, i cili pasi siguroi masën e detyrimit me paraqitje u arratis në drejtim të paditur.
Në atë kohë pati reagime të forta edhe nga ambasadori i Francës, që akuzoi se po sabotohej puna e autoriteteve franceze. Ndërsa ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani kërkoi falje në emër të gjykatave shqiptare.
Por gjykimi i Dormat Konjarit parashikohet të pezullohet për afatin e një viti, një mundësi që afrohet nga ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale. Që do të thotë se në Shqipëri nuk do të ketë më de fakto gjyqe në mungesë, një standard ky që ofrohet për herë të parë nga drejtësia.