Mbledhja/ “Xhelozia” për Bregun, Pollo-Bushati, fyerje dhe sharje në Kuvend

Shqipëria

Mbledhja/ “Xhelozia” për Bregun, Pollo-Bushati, fyerje dhe sharje në Kuvend

Më: 18 tetor 2017 Në ora: 10:25
Pamje nga mbledhja

Seanca e dëgjesës në Komisionin e Integrimit ka degraduar me një fjalor të ulët mes ministrit Ditmir Bushati dhe kryetarit të komisionit, Genc Pollo. Ka mjaftuar që ministri Bushati të sjellë në komision emrin e ish-kryetares Majlinda Bregut, si model që duhet ndjekur që situata të precipitojë në fyerje të rënda. Pollo e ka etiketuar ministrin si rrugaç, ndërsa ky i fundit ka kërkuar prej tij që të tërheqë fyerjen. Para se të largohej nga mbledhja, Bushati tha se nuk lejon as Pollon dhe as Saliun ta fyejnë. Debatet mes tyre nisën që në fillim të mbledhjes, ku Pollo ka hedhur akuza në drejtim të ministrit Ditmir Bushati pas arrestimit të shtetasit Moisi Habilaj në Itali si kreu i një bande droge dhe që sipas opozitës ka lidhje me ish-ministrin Saimir Tahiri.

Debati i plotë

Ditmir Bushati: Para pak ditësh disa vende të Bashkimit Evropian i kërkuan Komisionit Evropian njëzëri që të vijë me propozimin dhe mandatin për të nisur negociatat për Shqipërinë. Pra është ende herët për të thënë nëse një raport i Komisionit Evropian do të shqyrtohet nga vendet anëtare në pranverë apo do të shqyrtohet në qershorin e vitit të ardhshëm. Për shkak të mungesës së frymës së konsensusit për futjen e Turqisë për herë të parë, BE-ja nuk pati konkluzione për procesin e zgjerimit dhe më pas kishte një deklaratë të presidencës sllovake. Një klimë më e mirë e bashkëpunimit politik është ndihmuese në procesin e integrimit të Shqipërisë. Është krejt realiste të mendohet që vitin tjetër Shqipëria të marrë një sinjal pozitiv për nisjen e bisedimeve për anëtarësim.

Genc Pollo: Unë do ju kujtoja që kryeministri në vjeshtë të vitit 2016 u shpreh i sigurt që negociatat do të çelen para zgjedhjeve parlamentare, pra në pranverë ose maksimumi në pjesën e para të sesionit të këtij viti. Kjo nuk ndodhi. Edi Rama mendon që në qershor të 2018 besoj se do të çelen negociatat dhe keni një përsëritje të një premtimi që herën e parë nuk është mbajtur. Ju duhet të na jepni shpjegim pse nuk e mbajtët herën e parë. Çfarë ju bën juve zoti ministër kaq optimist që në mes të vitit të ardhshëm, siç thotë kryeministri, vërtetë të çelen negociatat?

Blendi Çuçi: Kush ka të bëjë pyetje, le të bëjë pyetje, dhe më pas përgjigjet ministri. Pastaj nëse dikush është i pakënaqur me përgjigjen e ministrit mund të shtrojë pyetje tjetër.

Genc Pollo: Është integrimi Evropian objekt i punës tonë dhe jo organet e tjera të shtetit. Njoftoni kush do të marrë fjalën.

Bledi Çuçi: Për procedurë dua fjalën. Është në dëshirën tonë që të jemi bashkëpunues. Bëra një propozim që është tërësisht në traditën e komisionit kur kemi një ministër në seancë dëgjimore. Ju thashë që fillimisht të fillojmë me pyetjet në mënyrë që ministri t’i ezaurojë të gjitha pyetjet dhe pastaj kush nuk është i pakënaqur mund të bëjë komentin e tij.

Genc Pollo: Besoj se komisioni është dakord me sugjerimin e fundit. Z.ministër fjala për ju.

Ditmir Bushati: Në parashtrimin që unë bëra, u përpoqa me vetëdije të plotë që t’i shmangesha sa më shumë të ishte e mundur politizimit të këtij procesi dhe vendosjes së elementit partiak në këtë proces. Mendoj se sidomos për ata që kanë pasur një funksion qeveritar, është një mësim se çfarë përmirësojmë ne në këtë proces. Ka shumë gjëra që nuk shkojnë siç duhet me fqinjët tanë por ka një gjë që më ka bërë shumë përshtypje kur kam vizituar parlamentin grek, kur zyra e liderit të qeverisë dhe të opozitës janë në një korridor përballë njëra-tjetrës që në gjykimin tim është shenjë që për disa procese të rëndësishme duhet të ketë një mirëkuptim. Unë e kam shumë të kollajtë z.Pollo për tu përfshirë në këtë diskutim, t’jua vendos me zë dhe figurë z.Basha.

Genc Pollo: Qëndroni në temë, z.ministër, mos të dalim nga çështja e integrimit evropian.

Ditmir Bushati: Po i përgjigjem komentit dhe pyetjes që më bëtë. Ju bëni pyetje, por jo koment sugjestionues pas pyetjeve dhe bëtë parashtrimin. Z.Basha e kam me zë dhe figurë dhe në të njëjtën grackë për fat të keq ratë dhe ju, pavarësisht se keni qenë disa herë ministër dhe bëni gabimin e madh që ndani këtë  proces dhe thoni se nuk do ta merrni ju datën për fillimin e negociatave, siç e tha para pak ditësh z. Basha në parlament.

Genc Pollo: Më dëgjuat mua ta them këtë gjë z.ministër? Rendit të ditës i janë shtuar dy pika konkrete. M’i konfirmoni ju lutem.

Ditmir Bushati: Mos t’i hyjmë debatit kush e bllokon kush e avancon. Mos të helmojmë opinionin publik. Ka një rekomandim të qartë të Komisionit Evropian, se si i vlerëson të gjitha vendet. Nëse unë do të them se Dritan Demiraj mbasi la detyrën ia pastroi Shqipërinë Edi Ramës nga kanabisi dhe ju më thoni tani që komitetin e përbashkët do të përfshihet kanabisi? Ky është një diskutim që nuk ia gjejmë dot fillin. Unë them që kohën që kemi në dispozicion ta fillojmë si ju dhe unë me këmbë të mbarë. Shpresoj që të jeni në lartësinë e paraardhësit tuaj për të vendosur një standard të lartë, pranuar kjo edhe nga partnerët ndërkombëtarë dhe unë dua që të bëjmë shumë pak politikë. Zgjodha të isha shumë teknik dhe shumë përshkrues për të gjitha këto procese që nuk ka nisur me mua dhe nuk do të kalojë me mua. Ky është një proces me tulla. Nëse reforma në drejtësi nuk do të kishte zgjatur dy vite për t’u miratuar, në rast se ju nuk do të shkonit në gjykatën kushtetuese për ta kundërshtuar reformën Shqipëria e kishte të gjithë shansin për të filluar bisedimet për anëtarësim. Në rast se i pari juaj nuk do i kishte thënë BE-së “bullshit”, ne do të ishim në një situatë tjetër.

Genc Pollo: Parlamenti është për të kontrolluar një qeveri dhe jo të vijë një ministër në dëgjesën i paprovokuar dhe t’i japë mend komisionit se si duhet të sillet. Folët për standardet dhe biem të gjithë dakord që standardi më i mirë parlamentar është ai i gjetjes së vërtetës dhe i ekspozimit të saj kur i ndihmon shqiptarëve. Në parashtrimin tim besoj se nuk politizova, por citova fakte konkrete që ju evituat t’i referoheshit. Deklarata konkrete të kryeministrit dhe mos përmbushje të tyre. Nuk paragjykova pse nuk përmbushen, por desha nga ju të më shpjegonit pse nuk ndodhi kjo gjë sepse mësimet që ne nxjerrim na shërbejnë për t’u orientuar më mirë drejt së ardhmes. Ju nuk iu përgjigjët pyetjes time.

Aldo Bumçi: Presidenti i Komisionit Evropian, z. Junker, i cili në atë që thuhet “state of dhe union”, në letrën që dërgoi, deklaronte se komisioni po përgatit një kalendar konkret për anëtarësimin e Serbisë dhe Malit të Zi në vitin 2025 dhe nuk përmendej Shqipëria në këtë perspektivë.

Ditmir Bushati: Në rast se do i vendosni notë përgjigjeve të mia atëherë durimi do të ketë kufi dhe kam frikë se cinizmi do të prevalojë durimin.

Genc Pollo: Faleminderit për durimin dhe kohën që na keni vënë në dispozicion z.ministër. Standardi më i lartë në një komision të tillë lypset të jetë ndershmëria.

Ditmir Bushati: Ju jeni rasti më i keq i kutisë të ndershmërisë,më falni që po jua them.

Genc Pollo: Kjo është e papranueshme z.ministër.

Ditmir Bushati: Mund të jetë e papranueshme, por është qëndrimi im, nëse doni të bëjmë koment mbi njëri-tjetrin.

Genc Pollo: Jeni personi më i papërshtatshëm për të qenë në atë post dhe për të thënë gjëra të tilla.

Ditmir Bushati: Këtë nuk e vendosni ju, por kryeministri dhe shqiptarët me votë. Por as ju mos u prekni, unë vura në dukje faktin se paraardhësja juaj ka bërë një punë të paqme dhe të dobishme. Mos u xhelozo.

Genc Pollo: Kriteri i ndershmërisë ka të bëjë me të vërtetën dhe fshehja e pisllëqeve nën qilim nuk i shërben as ndershmërisë dhe as publikut.

Ditmir Bushati: Nuk kam asnjë lloj dëshire dhe ngasje të hyj në një debat shterp.

Genc Pollo: Ishit ju i pari që provokuat me sjellje prej rrugaçi z.Bushati.

Ditmir Bushati: Nuk lejoj as ty, as Saliun tënd të më thonë mua rrugaç. Unë nuk e vazhdoj këtë mbledhje pa kërkuar falje. Mua nuk më fyen dot. Kafen, drekën dhe darkën di unë se me kë e ha. Mua këtu më trajton vetëm si ministër të Jashtëm. Për sa kohë nuk e ke kriterin elementar të edukatës nuk mund ta vazhdoj këtë seancë. Mos u ndje i provokuar nga ajo që unë thashë për Bregun, me të cilën unë kam pasur debate shumë të ashpra, por nuk e kemi kaluar kurrë cakun.

Genc Pollo: Në mënyrë të paprecendentë në eksperiencën time parlamentare… ka mundësi të mbyllësh gojën dhe mikrofonin.

Ditmir Bushati: Kërko ndjesë të madhe për ndotjen që shkaktove.

Genc Pollo: Që të mos kemi nevojë për shërbimet e gardës.

Ditmir Bushati: Po lëri shërbimet e Gardës. Saliun nuk e bën dot me mua. Erdha këtu për t’i dhënë përgjigje secilit prej jush. Por fjalorin rrugaç e vagabond që u përdor këtu nuk e pranoj dot. Kjo i shkon vetëm Saliut. Salikuq unë nuk kam njohur, po shoh sot. Nëse nuk kërkon ndjesë për fjalorin, unë nuk jam i gatshëm për ta vazhduar më këtë mbledhje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat