“Pas Tahirit fillon ekspozimi i rrethit të ngushtë të Ramës deri në rrëzimin e qeverisë”

Shqipëria

“Pas Tahirit fillon ekspozimi i rrethit të ngushtë të Ramës deri në rrëzimin e qeverisë”

Më: 20 tetor 2017 Në ora: 12:20
Saimir Tahiri dhe Edi Rama

Avokati Spartak Ngjela, me anë të një statusi në “Facebook”, ka reaguar lidhur me çështjen Tahiri, ku shkruan pas ish-ministrit të Brendshëm  fillon ekspozimi i rrethit të ngushtë të Ramës deri në rrëzimin e qeverisë.

Por nga ana tjetër Ngjela, nuk nguron pa sulmuar dhe kryeministrin Edi Rama, duke u shprehur se ai do të cilësohet nga ndërkombëtarët si më qesharaku.

Statusi i plotë:

Shtetet e Bashkuara të Amerikës me politikën e tyre proshqiptare në Ballkan, po e shpëtojnë edhe një herë Shqipërinë dhe shqiptarët nga rreziku i shkatërrimit.

Narkotrafiku politik; paratë e korrupsionit makabër Berisha-Rama; shkatërrimi i të gjithë sistemit ligjor dhe sistemit gjyqësor në Shqipëri – të gjitha bashkë kanë qënë dhe mbeten ende tentativë për ta kthyer Shqipërinë në pronë.

Por tani të gjithë krerët janë të hetuar ndërkombëtarisht dhe po shkojnë drejt fundit të tyre.

l.

Si pasojë e gjymtimit të popullit shqiptar nga fuqitë e mëdha që në fillim të Shekullit të Njëzetë, dhe krijimi i tre shteteve ballkanikë me territore shqiptare dhe me shqiptarë: Greqia, Serbia dhe Mali i Zi; pushtetet politikë në Shqipëri kanë qënë pronë personale e kreut të shtetit.

Dy janë më tipikët që e kthyen Shqipërinë si pronë të tyre: Ahmet Zogu dhe Enver Hoxha.

I treti që tentoi ta kthente në pronë ishte Sali Berisha në vitet 1992-1997; por shqiptarët e flakën si një rreckë.

Tani po shohim se paskësh filluar edhe një tjetër, Edi Rama, që paska menduar dhe mendon me memdjelehtesinë e një të padituri, se mund ta blente Shqipërinë dhe shqiptarët me para korrupsioni dhe para trafiku.

II.

Ahmet Zogun e shkatërroi politika italiane pasi e bleu më parë si ordiner që ishte.

Enver Hoxhën dhe hordhitë e tij e rrëzoi embargoja perëndimore dhe budallallëku i tij prej diktatori mizor; sepse i çoi shqiptarët drejt urisë.

Sali Berishën e rrëzoi politika amerikane me brilancën e Bill Klintonit.

Tani na ka dalë në skenë një kaqol që kërkon të blejë Shqipërinë me para trafiqesh, por që, pasi ka katër vjet që përgjohet, është kapur plotësisht nga investigimi amerikan dhe i vendeve të bashkimit europian. Tani sigurisht që pritet likuidimi i tij.

lll.

Është marrëzia e mediokriteti provincial shqiptar ajo që i ka shtyrë këta individë drejt orekseve patologjike kundër shqiptarëve, por edhe blerja që iu kanë bërë më radhë Beogradi, Athina dhe Moska. Tani duket se jemi në fund të kësaj historie të trishtë kur në një shekull kanë bërtitur në Beograd: “blejini krerët shqiptarë kundër shqiptarëve, se ata shiten”!

Por i fundit: Edi Rama, do të cilësohet si më qesharaku.

Gjithsesi tani, si pasojë e ngritjes së lartë perëndimore të ndërgjegjes shqiptare, dhe suksesit që pati politika amerikane dhe ajo gjermane në Reformën në Drejtësi, korrupsioni shqiptar i të dy krahëve të politikës është në grahmat e fundit.

lV.

Po t’i qëndrojmë praktikës amerikane në spastrimet e bandave korruptive, duhet të presim që, tani, pas çështjes Tahiri, të fillojnë më radhë ekspozimit e korrupsionit të rrethit të ngushtë Rama, deri në rrëzimin e qeverisë së tij.

Po pas kësaj, çfarë do të ndodhë.

Uashingtoni duhet të mbështesë një qeveri besimi antikorrupsion në Shqipëri, e cila duhet të drejtojë Reformën, dhe ta fusë Shqipërinë dhe shqiptarët, për herë të parë, në zgjedhje të lira e të ndershme.

Në ngjarjen Tahiri, janë trembur të gjithë: i shihni Bashën dhe ata që dalin nga PD si janë bërë në fytyrë?

Kjo është koha e drejtësisë shqiptare, jo vetëm për shqiptarët në Shqipëri, por edhe për të gjithë shqiptarët që popullojnë prej mëse 2000 vjetësh Ballkanin Perëndimor.

Kjo sepse , në një shekull, kjo ka qënë praktika amerikane në vendosjen e demokracisë, ligjit dhe drejtësisë në vendet që ajo ka ndihmuar për demokracinë dhe identitetin e tyre kombëtar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat