Prokurori zbulon provën e re për Audin e Tahirit dhe Habilajt...rrezikohen edhe policë!

Shqipëria

Prokurori zbulon provën e re për Audin e Tahirit dhe Habilajt...rrezikohen edhe policë!

Më: 20 tetor 2017 Në ora: 13:35
Saimir Tahiri

Ndërsa më herët vetë kryeministri Edi Rama dukej sikur e kishte “dorëzuar” Saimir Tahirin përballë drejtësisë, këtë të premte deputetët e mazhorancës kanë shfaqur një tjetër qëndrim.

Në mbledhjen e Këshillit të Mandateve, ata kanë ‘gozhduar’ me pyetje prokurorët për Krime të Rënda, duke kërkuar fakte dhe prova që siç drejtuesi i kësaj prokurorie Besim Hajdarmataj tha, janë sekrete! Ai tha se çështja ndaj Saimir Tahirit të dyshuar për trafik droge në bashkëpunim me Habilajt, është ende në hetim dhe se në këtë dosje përfshihen emra të cilat nuk mund të dalin kurrë publikisht. E për këtë arsye prokurori kërkoi që mbledhja të bëhej me dyer të mbyllura, pa prani të mediave. Por deputetët këmbëngulën dhe mbledhja vijoi e hapur për të vendosur në do i heqin imunitetin Tahirit, për të bërë më tej arrestimin.

Duam prova! Ishin fjalët e kolegëve të Saimir Tahirit. Prokurori Hajdarmataj tha se nëse do flisnin më shumë se sa është parashtruar në dosjen që i është vënë në dispozicion Kuvendit, do të cënonte hetimet, pasi aktualisht ministri po hetohet por edhe punonjës të policisë janë në përgjim.

“Kemi punonjës policie në përgjim që s’mund ti themi. Provat nuk  i themi dot këtu kemi autorizim nga gjykata. Ata mund të jenë ende në detyrë”, tha Hajdarmataj.

Në përgjigje të këmbënguljes së deputetes Vasilika Hysi për prova, kreu i prokurorisë për Krime të Rënda tha se në një rast pasi i ka shitur makinën e tij Audi A8 Artan Habilajt, ministri Tahiri e ka marrë sërish automjetin. 

Artan Habilaj është nisur me makinë dhe ka shkuar në Greqi me makinën që i kishte shitur Tahiri, pa bërë zyrtarisht akt-shitjen, ndërkohë në kthim për në Shqipëri, në makinë ka qenë Saimir Tahiri.

Vetë Tahiri tha mbrëmë në “Opinion” se nuk i ka takuar Habilajt dhe se sepeb për shitjen e makinës është bërë xhaxhai i tij. 

Pyetjeve këmbëngulëse të mazhorancës, të cilat logjikisht nuk mund të merrnin përgjigje nga prokurorët që ndër të tjera i kërkuan edhe deputetëve të firmosnin deklaratën se do të ruanin sekretin hetimor, sollën edhe reagimin e deputetit demokrat Eduard Halimi.

“Çfarë jeni duke bërë keni 4 orë që po i bëni gjyqin drejtësisë, doni prova sekrete që kanë ata? Çfarë është kjo nuk ka ndodhur ndonjëherë. Është tmerrësisht i vështirë rasti, bëhet fjalë për një çështje trafiku ndërkombëtar droge, armësh që janë përfshirë prej 4 vjetësh, nuk është histori gazetash. Ndërprisni gjyqin ndaj prokurorëve”, tha Halimi.

Prokurorët sqaruan disa herë se procedimi penal i regjistruar ndaj Tahirit më 17.10.2017, është në vijim të procedimeve të mëparshme të nisura ndaj Habiljave, ku me ndihmën e autoriteteve italiane është zbuluar edhe lidhja e Moisi Habilajt, me Tahirin, të cilët ndër të tjera janë kushërinj të largët. 

Habilaj është arrestuar në Itali si kreu i bandës së trafikut ndërkombëtar të drogës nga Shqipëri në Itali dhe në përgjimet e kryera nga autoritetet italiane, ai implikon drejtpërdrejt Tahirin dhe drejtues të Policisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat