PS drejt votës kundër për Tahirin, Hysi: Provat e akuzës jo bindëse

Shqipëria

PS drejt votës kundër për Tahirin, Hysi: Provat e akuzës jo bindëse

Më: 21 tetor 2017 Në ora: 08:27
Deputetja e Partisë Socialiste, Vasilika Hysi

Partia Socialiste është drejt një vendimi për të rrëzuar kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për autorizimin e arrestimit të deputetit Saimir Tahiri  nëse para Këshillit të Mandateve nuk paraqiten prova bindëse.

Deputetja e Partisë Socialiste, Vasilika Hysi, njëherësh edhe anëtare e Këshillit të Mandateve, deklaron se organi i akuzës nuk paraqiti prova të reja as në seancën me dyer të mbyllura.

Vasilika Hysi: Bazuar në kërkesën e depozituar nga prokuroria rezultonte që nuk kishte dokumenta shoqërues, prova që kërkon kodi për të autorizuar heqjen e lirisë ose arrestimin.U kërkua seancë e mbyllur për tu njohur me prova por faktikisht ne u njohëm me veprimet hetimore, që janë mjetet e kërkimit të provës, por jo me prova.

Xhoi Malësia: Nuk kishte prova të reja?

Vasilika Hysi: Jo. Nga ana tjetër në respekt të asaj që kemi thënë dhe ne jemi realisht të angazhuar për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, çka do të thotë se beteja e organit të prokurorisë duhet të jenë të mirëmbështetur me prova.

Në një intervistë për Ora News, Hysi thotë se organi i akuzës ka nisur procedim ndaj deputetit Tahiri vetëm bazuar në përgjimet e prokurorisë italiane që u transmetuan në media.

Ajo shtoi se nuk ka pasur një hetim nga organi i akuzës për të krijuar dyshimin e arsyeshëm për imlikimin e zotit Tahiri me rrjetin kriminal të Habilajve.

Vasilika Hysi: Kishim një kërkesë ku flitej më shumë për bandën kriminale, aktivitetin e bandës por nuk kishim prova. Beteja që duhet të bëjë organi i prokurorisë duhet të jenë të mirëmbështetura në prova. Nuk ka absolutisht vlerë të bësh një kërkesë nëse nuk bazohet në prova. Nuk mundëm të dëgjonim pretendimet e palës së avokatit të zotit Tahiri pasi kërkesa u depozitua në Kuvend dje në orën 17:00. Ne jemi njoftuar pas dy orësh. Sot prokurorët në prezantimin e tyre ku ne kërkonim ku e bazonin dyshimin e arsyeshëm se duhet të ketë disa fakte, nuk mundën dot ti jepnin. Avokati i Tahirit kërkoi kohë dhe ne e kemi lënë seancën për nesër. Banda e Habilajve ka katër vite që hetohet në Itali, ndërkohë që prokuroria ka filluar procedimin për zotin Tahiri bazuar vetëm në tabulatet apo përgjimet që nxori media, në datë 17 tetor 2017.

Me datë 18 kanë kërkuar informacion nga autoritetet italiane dhe vetë prokurorët thanë se u ka ardhur informacini me datë 19 dhe kjo është ajo gjëja që vë në dyshim atë që ne themi dyshimin e arsyeshëm bazuar në prova. Vetëm dje u ka ardhur një pjesë e materialit, nuk kanë pasur kohë ta përkthenin, kanë përkthyer vetëm disa pasazhe dhe brenda orës 17:00 kanë parashtruar kërkesën për dhënie autorizimi. Nuk ka pasur një hetim nga organi i prokurorisë lidhur me implikimin e deputetit Tahiri. Brenda 6-7 orësh nuk mund të arrish të krijosh atë dyshimin e arsyeshëm të bazuar në prova. E pohuan vetë se nuk kanë pasur kohë të përkthenin materialin dhe se ishin të gatshëm të na e vinin në dispozicion.

Hysi tha se mazhoranca ka vullnetin politik për të mbështetur çdo kërkesë të prokurorisë, nëse ajo është e mbështetur në prova.

Hysi: Nëse dyshimi i arsyeshëm i Prokurorisë së Krimeve të Rënda është i arsyeshëm ne padyshim kemi vullnetin për ta dhënë votën pro. Për rastin e zotit Tahiri nuk mund të shprehem se ka të drejtën të dëgjohet nesër.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat