Prokuroria: Sot kemi sjellë prova të reja që e implikojnë Tahirin

Shqipëria

Prokuroria: Sot kemi sjellë prova të reja që e implikojnë Tahirin

Më: 21 tetor 2017 Në ora: 10:11
Komisioni i Mandateve

(E plotësuar) - Në vijim të mbledhjes së djeshme të Këshillit të Mandateve dhe Rregulloreve, Prokuroria për Krime të Rënda ka kërkuar sërish që zhvillimi i seancës për heqjen e imunitetit të deputetit Saimir Tahiri të jetë me dyer të mbyllura.

Kreu i Prokurorisë për Krime të Rënda Besim Hajdarmataj tha se faktet e reja që organi i akuzës ka mbledhur nga hetimet ditën e djeshme, përbëjnë sekret hetimor. Prokurori ka kërkuar të depozitojë këto prova të reja para deputetëve, ndërkohë që në mbledhje është parashikuar të bëhet mbrojtja e Tahirit nga avokati i tij Artan Hajdari.

“Kemi bërë disa veprime hetimore që e implikojnë deputetin Saimir Tahiri. Dje ne kemi marrë një pjesë tjetër të përgjigjes të ardhur nga autoritetet italiane,. Edhe këto përbëjnë sekret hetimor”, tha Hajdarmataj. 

Prokuroria kërkon arrestimin e Saimir Tahirit duke e akuzuar për përfshirje në trafikun e drogës në bashkëpunim me bandën e Habiljave, kreu i të cilëve Moisi Habilaj, kushëri i largët me ish-ministrin e Brendshëm, u arrestua në Itali. 

Këshilli i Rregullores, mandateve dhe imuniteteve përbëhet nga 10 antarë: Gramoz Ruçi, Vasilika Hysi, Bledar Çuçi, Klotilda Bushka, Ulsi Manja si perfaqesues te PS, Eduard Halimi,  Gent Strazimiri, Enkelejd Alibeaj dhe Dhurata Çupi si perfaqesues te PD dhe Nasip Naço i LSI.

***

Deputeti socialist Saimir Tahiri sapo ka hyrë në Kryesinë e Kuvendit, ku do të zhvillohet mbledhja e Këshillit të Rregullores për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e tij, kërkuar Prokuroria e Krimeve të Rënda. 

Tahiri ka kaluar në mes të mbështetësve të tij, mbledhur para Kryesisë, sikurse edhe një ditë më parë, në foton më sipër.

Këshilli sot do të dëgjojë parashtrimet e avokatit të Tahirit, z. Artan Hajdari. Pas diskutimeve të deputetëve dje mbi këtë kërkesë, Kryetari i Kuvendit,  Gramoz Ruçi vendosi të shtyjë mbledhjen  e Këshillit për sot, datë 21 tetor 2017, ora 10:00.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat