Super të shtrenjta/ Berisha: Prokuroria të hetojë syzet e Tahirit, dhuratë e Habilajve

Shqipëria

Super të shtrenjta/ Berisha: Prokuroria të hetojë syzet e Tahirit, dhuratë e Habilajve

Më: 22 tetor 2017 Në ora: 09:56
Saimir Tahiri

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i pranishëm në mbledhjen e Këshillit të Mandateve ku po vendosej për imunitetin e tij dhe autorizimin për arrestim e kontroll banese; është paraqitur me një palë syze të firmës së njohur Maybach.

Ndaj këtij ‘fakti’, ish-kryeministri Sali Berisha nuk ka qëndruar indiferent, por ka postuar një denoncim të ardhur nga qytetari digjital, që i komunikonte markën e syzeve, llojin dhe vlerën.

Përmes rrjetit social Facebook, Berisha shkruan se syzet që mban ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, janë një nga markat më të shtrenjta në botë dhe ku syzet optike kapin shifra marramendëse nga 5000 euro e sipër.

Referuar mesazhit të ardhur në adresë të ish-kryeministrit Berisha, postuar nga ky i fundit në rrjetin social, mësohet se janë syze të markës Maybach, lloji hedonist dhe variojnë me një çmim nga 5000 euro e sipër.

Nga ana tjetër, ish-kryeministri, pyet; A mundet një ish-ministër dhe një deputet pa asnjë të ardhur shtesë përveç rrogës të ketë syze të tilla?

Sipas tij, prokuroria duhet të hetojë se këto syze janë dhuratë e Habilajve.

“Lind pyetja: A mundet një ish ministër dhe një deputet pa asnjë të ardhur shtesë përveç rrogës të posedojë syze të tilla ? Prokuroria të hetojë se këto syze janë dhuratë e Habilajve” – thuhet në SMS-në e publikuar nga Berisha.

Risjellim në kujtesë se deputetët e mazhorancës në Këshillin e Mandateve dhe Imunitetit nuk kanë dhënë votën pro heqjes së imunitetit për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.

Në një prononcim për mediat në përfundim të mbledhjes, deputeti socialist Ulsi Manja ka deklaruar se provat e prokurorisë janë të pamjaftueshme për të autorizuar arrestimin e Tahirit.

Ndërkohë, deputetët e opozitës, PD dhe LSI, mësohet se kanë votuar pro heqjes së imunitetit të ish-ministrit të Brendshëm, i akuzuar për përfshirje në trafik droge me grupin kriminal të Habilajve.

Këshilli do të dalë me dy raporte për seancën plenare të së mërkurës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat