Zbulohet polici i afërm me deputetin e PS në 'kurthin' ndaj Antonio Nazërajt

Shqipëria

Zbulohet polici i afërm me deputetin e PS në 'kurthin' ndaj Antonio Nazërajt

Më: 31 tetor 2017 Në ora: 13:40
Antonio Nazëraj

Përplasja ndërmjet Policisë së Fierit dhe vëllezërve Habilaj, në fillim të vitit 2014, ka përfshirë në mënyrë indirekte edhe kryetarin e Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja.

Antonio Nazëraj, ish-efektiv i qarkullimit rrugor në Fier është arrestuar nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm për një rast korrupsioni. Por Nazëraj, në një intervistë të gjatë mediatike rrëfen se arrestimi dhe dënimi i tij janë inskenuar nga SHKB-ja.

Sipas tij, ai ka qenë nën vëzhgim të rreptë nga SHKBA-ja pasi, gjatë një kontrolli rutinë ka shoqëruar në komisariat vëllezërit Moisi dhe Artan Habilaj, të cilët udhëtonin në rrugën Fier-Levan, nën shoqërinë e dy vajzave.

Nazëraj tregon gjithashtu se Habilajt nuk kanë qëndruar më gjatë se 10 minuta në komisariat, për shkak të ndërhyrjeve “nga lart”.

Pas këtij episodi, Nazëraj deklaron se ai dhe kolegët e tij kanë qenë nën vëzhgim, pasi, sipas tij, “kishte guxuar të shoqëronte kushërinjtë e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri”.
Në 28 mars 2014, pak kohë pas shoqërimit të Habilajve, Antonio Nazëraj arrestohet për një rast korrupsioni, së bashku me dy kolegët e tij.

SHKB-ja referoi në Prokurori se Antonio Nazëraj, Bledar Naçi dhe Benard Feza i kanë marrë shumën prej 8 mijë lekë të reja një shtetasi.

Nazëraj pretendon se gjithçka është e inskenuar, në bazë të të cilit e pësoi ai dhe dy kolegët e tij.

“Mapo” mëson se një prej efektivëve të arrestuar, Benard Feza, është një familjar i Ulsi Manjës, aktualisht drejtues i Komisionit të Ligjeve në Kuvendin e Shqipërisë.
Mësohet se ndërhyrhjet si tek Policia e Fierit, ashtu edhe tek prokuroria dhe gjykata kanë shmangur penalizimin e Fezës. Nuk dihen pretendimet që ka paraqitur Feza.

Por, duke marrë të mirëqenë pretendimin e Nazërajt se arrestimi i tyre është inskenim dhe hakmarrje për shoqërimin e Habilajve, të njëjtin pretendim mund të ketë prezantuar edhe pala e Bernard Fevzës.

Pra, nëse do të ishte i vërtetë inskenimi, atëherë, sot Ulsi Manja mbështet fuqishëm Saimir Tahirin, veprimet e të cilit kanë penalizuar familjarin e tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat