“Qeveria 18.4 mln dollarë për shpenzime luksi dhe 48 mln dollarë rritje taksash”

Shqipëria

“Qeveria 18.4 mln dollarë për shpenzime luksi dhe 48 mln dollarë rritje taksash”

Më: 8 nëntor 2017 Në ora: 18:39
Jorida Tabaku

Nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë Jorida Tabaku ka deklaruar se qeveria ka dëshmuar se është e paaftë të realizojë investime publike. Gjatë diskutimit për shpenzimet dhe investimet, ajo theksoi se koncesionet po gërryejnë ekonominë.

“U rriten me 30 % nga viti i kaluar shpenzimet për koncesionet duke kapur vlerën e 9,4 mld lekë dhe këtu nuk është llogaritur projektin 1 miliard euro për infrastrukturën. Qeveria ka dëshmuar se është e paaftë të realizojë investime publike dhe e orientuar nga praktikat korruptive prandaj po i jep me koncesion”, tha Tabaku.

Ajo theksoi se qeveria në këtë projektbuxhet vazhdon të mos-parashikojë rritje pagash, ndërkohe që rrit me 48 mld dollarë taksat. Sipas saj, një pjesë e mirë e të ardhurave që do të sigurohen nga rritja e taksave do të shkojnë për shpenzime.

“Rriten me 15 mln USD shpenzimet e qeverisë “operative dhe mirëmbajtje”, 3.7% më shumë sesa viti 2017. Ulet me 19 mln USD fondet për Infrastrukturën vendore dhe rajonale, një vlerë që është 21% më e ulët se sa vlera e alokuar për vitin zgjedhor 2017. Të njëjtin fat kanë edhe shpenzimet sa i takon investimeve për kanalet ujitëse dhe kullimit, të cilët janë ulur me 13% në raport me një vit më parë, pra 2.1 mln USD më pak”, tha nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë.

Sipas Tabakut, qeveria ka parashikuar 18.4 mln dollarë rritjen e shpenzimeve për rikonstruksione zyrash, pajisje zyrash dhe makinash.

“Sipas një llogarie të thjeshtë me 18.4 mln USD që qeveria mund të kishte kursyer në këtë zë luksi mund të sigurohej 2 vjet e gjysmë pagesë papunësie, 92% e fondit vjetor për pagesat e ish të përndjekurve politikë dhe rritja e pagave”- tha ajo.

Tabaku ngriti shqetësimin dhe për dëmshpërblimin e të përndjekurve politik të cilët qeveria i përdor për show sa herë është në vështirësi..

“Të Përndjekurit Politikë vazhdojnë të jenë grupi i harruar i qeverisë ato vazhdojnë të marrin një vlerë prej 20 mln USD, një vlerë e cila edhe sipas raportit të KLSH është e pamjaftueshme dhe e zhvlerëson detyrimin që shteti jonë ka ndaj tyre. Sipas llogarive të KLSH, me këto hapa do të duhen rreth 16 vjet për ta shlyer vetëm detyrimin monetar ndaj tyre”, tha ajo.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat